Të gjitha kafshët janë të barabarta dhe asnjë kafshë nuk është më e barabartë se tjerat

12 Janar, 2022 - 4:00 pm

Që një grup njerëzish të meritojnë etiketën e shoqërisë, nuk mjafton vetëm ndarja e një hapësire të përbashkët të banimit në bazë të një përzgjedhjeje të rastësishme natyrore, as të kuptuarit nëpërmjet një kodi të paracaktuar të komunikimit, as krijimi i shprehive të ngjashme jetësore, përdorimi i të njëjtave resurse natyrore. Që të kalohet nga grupimi njerëzor në shoqëri nevojitet një emancipim i bazuar në dëshirën e vetë njerëzve për të ndryshuar.

Popujt gjithmonë janë në procesin e tyre të pandalshëm të emancipimit shoqëror. Kjo është edhe diferenca e vetme që shënojnë ata me ndërrimin e gjeneratave dhe ndryshimin e epokave. Aftësia e tyre për të bashkëpunuar me njëri – tjetrin duke ndarë të mirat e përbashkëta e duke njohur mangësitë e secilit është parakusht për krijimin e një bazamenti të emancipimit. Gjithçka nis e përfundon aty. Te dëshira e popujve për ndryshim.

Shoqëritë e zhvilluara apo ato në zhvillim e sipër, ndryshimin dhe emancipimin e kanë të përbrendësuar në sistemin vleror të tyre. Te këto shoqëri stagnimi nuk paraqet gjë tjetër veçse hapa prapa. Krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, mosdiskriminimi, vendosja e një kriteri të meritokracisë, e drejta e çdonjërit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e drejta e qasjes në shëndetësi, e drejta e arsimimit, janë vetëm disa nga detyrat e shtëpisë që i takojnë një shoqërie. Rrjedhimisht, shoqëritë e zhvilluara synojnë që t’i përmbushin me sukses këto detyra.

Duhet të pajtohemi të gjithë se në vendin tonë pabarazia është konstante. Konstante e shndërruar në bazament të organizimit shoqëror dhe në bazë te të cilit projektohet një pamje fiktive e mënyrës sesi njerëzit e këtij vendi (mbi)jetojnë. Pabarazia, ndonëse si koncept daton qysh në antikitet, nuk do të duhej të kishte vend në diskursin e përditshëm. Por, e vërteta është një dhe askush nuk duhet të ofendohet nga ajo (Aristoteli). Gjithçka tjetër pos saj nuk është gjë prej gjëje. Faktorët që e ushqejnë pabarazinë në proceset socio – politike të vendit janë heteronome. Që prej gjendjes ekonomike, nivelit arsimor e deri te stabiliteti politik. Ndërsa, llojet e pabarazisë dhe diskriminimit janë të natyrave të ndryshme, me theks të veçantë pabarazia klasore. Shtresa me gjendje të rënduar ekonomike, që në fakt përbën edhe numrin më të madh të popullsisë, nuk ka trajtim të barabartë në krahasim me shtresën e kamur të shoqërisë. Qasja elitiste e këtyre të fundit është rezultat direkt i superioritetit financiar, vendbanimit të qendërzuar në kryeqytet, nivelit më të lartë arsimor. E tillë është edhe pozita shoqërore! Përjashtimi i shtresës së varfër të shoqërisë dhe pamundësimi i shfrytëzimit të resurseve të përbashkëta nga ana tyre paraqet zenitin e pabarazisë dhe diskriminimit shoqëror. Një gjendje e tillë, ndonëse e çrregullt për nga metodat e jetësimit, nuk ndodhë rastësisht dhe pa qëllim. Ajo pashmangshmërisht dëshmon për trashjen e vijave ndarëse në mes të klasave. Dhe ky nuk është një problem që zgjidhet vetiu pa intervenuar në nervin e problemit.

Një tjetër përkufizim konkret i pabarazisë në vendin tonë është pozita shoqërore në të cilën gjenden komunitetet e margjinalizuara: romë, ashkali dhe egjiptianë. Ata vazhdimisht përballen me shkelje të të drejtave të tyre për dy arsye, dhe  secila më e ulët sesa tjetra: janë të varfër dhe nuk janë shqiptarë. Pra, përveç përjashtimit në bazë të gjendjes ekonomike, atyre u duhet ta mbajnë mbi kurriz edhe barrën e të qenit pakicë kombëtare, në një shtet që popullohet kryesisht nga shumica shqiptare. Si u bë që shqiptarët të cilët jo më shumë se dy dekada torturoheshin vetëm sepse ishin të tillë, pra shqiptarë e jo serbë, u shndërruan kaq prerazi në diskriminues. Kjo është pyetja që do të mund ta shtronte ndonjë cinik, përgjigjen e të cilës është vështirë ta formuloj e përmbledh përbrenda këtij teksti. Por, kjo përgjigje nuk do ta përmirësonte situatën në të cilën këto komunitete ndodhen. Nëse e shohim gjendjen e tyre dhe përballjen me pandeminë, shumë lehtë arrijmë në një konkluzion tejet tronditës: komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, nuk u trajtuan si pjesa tjetër e banorëve.

Ndonëse duhen dekada, ndoshta dhe shekuj, për ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe emancipimit kolektiv, intervenimi i menjëhershëm në sistemin arsimor është parakusht për çdo lloj ndryshimi. Pa një sistem arsimor publik me cilësi më të lartë sesa sistemi aktual, pa tekste të përditësuara mësimore, pa mësimdhënës me ide dhe vizion të qartë të emancipimit, ky i fundit nuk është gjë tjetër, veçse iluzion. Ndërsa, pabarazia do të jetë gjithmonë e prekshme dhe e pranishme!

Prandaj, sot është koha kur duhet ta përgënjeshtrojmë Oruellin që thoshte: të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat. Të gjitha kafshët janë të barabarta dhe asnjë kafshë nuk është më e barabartë se tjerat – do të duhej të ishte motoja jonë drejt emancipimit shoqëror./ KultPlus.com

Shkruar nga Aulonë Memeti dhe Nuhi Sadiku

Të ngjajshme