Temperatura e dhurimit dhe pesha e tullës tjetër

3 Dhjetor, 2019 - 10:30 am

Nga: Zija Çela

Dolëm për te hedhur disa hapa ne rrugën “Myslim Shyri”, kur i thashë sime shoqeje: A do të më shoqërosh për të bërë një veprim? S’di pse, kisha folur duke vënë dorën në xhepin gjoksor të xhupit, ku kisha ca kartëmonedha dhe ajo e nuhati në çast. Po sot bankat janë mbyllur, ma ktheu.

Ishte e premte, festë zyrtare. Është e njohur tashmë, shumica e të ngjashmëve të mi janë manuale, pa kartat bankare pensionistët nuk veprojnë dot on line. Kështu që duhej të kalonin tri ditë, derisa të vinte e hëna.  

Nuk janë pak qe temperatura shpirtërore për të dhuruar, të fillojë të bjerë ndërkaq. Sepse i tillë është njeriu i shkretë në përditshmëri, ai kaplohet nga gjithfarë ngurrimesh. Mjafton vetëm mëdyshja: Pse unë?! Le të japin ata që kanë shumë, ata që kështu e kështu, ata që ashtu e ashtu… Me një fjalë, gjetja e “arsyes” për ta përjashtuar veten.   

Të hënën, teksa dilnim nga banka, pata dyshimin se mos ime shoqe do të ma bënte atë pyetjen dekurajuese, që dendur përsëritet në këto raste: E çfarë të thotë rradakja, sa tulla mund të blihen me këtë dhuratën tende?!.. Po të më kishte pyetur, të gatshme e kisha përgjigjen. Le ta zëmë se blihen njëqind tulla. Por duhet shtuar patjetër edhe Një. Dhe është ajo e veçanta, e padukshmja. Tulla që me pas rëndon në zemër prej brengës së pashlyeshme: Pse u tregova ngurrues, kur të tjerët i kllaposi gjema?! Pse u mjaftova vetëm me fjalën ngushëlluese?! Çfarë ma mpiu vullnetin për të kaluar nga mosveprimi në nivelin veprues?!..

Lexues, të shtrenjtat mike e të shtrenjtët miq, e di, e di se ju e kuptoni qëllimin e këtij statusi. Për ndryshe, në jetë të jetëve nuk do t’ia falja vetes përmendjen e hapit tim të vockël në “Shyri”. Por shumë hapa të vegjël na çojnë te hapi i madh. Mos ta mallkojmë gjithnjë gjinsin shqiptar, se nuk jemi aq të prapë. Në fatkeqësi të rëndë, me donacionet që dëgjojmë po e mbajmë të ndezur temperaturën e dhurimit, duke dëshmuar jo thjesht solidaritet, por edhe vëllazërim kombëtar.

Zoti na e bëftë mbarë! /KultPlus.com

Të ngjajshme