Tetori i çmimeve dhe standardi i dyfishtë

1 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Nga: Ilir Demalia

Njeriu, letrari, shkrimtari, intektuali, ndjehet i tillë nga raporti dhe qendrimi moral që ka me të vertetën dhe me veten, pra me ndërgjegjen e tij.

Më 10 tetor 2019 në Stokholm u lauruan me Çmimin Nobel 2018 në letërsi Olga Tokarczuk, polake, e cila është kundër sovranizmit dhe nacionalizmit polak. Liberale globaliste. Çmimi i saj është dhënë kundër zgjerimit amerikan të zonave të kontrollit në Europën Lindore e posaçërisht në Ukrainë, që lidhet me origjinën e saj.

Fituesi tjetër Peter Handke austriak. Për Handke pati një reagim të menjëhershëm për laurimin me Çmimin Nobel 2019, jo vetëm nga media e botës shqiptare, por edhe botërore. Kundërshtimi nuk lidhej me letërsinë e tij për dhënien e këtij çmimi, por për përkrahjen e Sllobodan Millosheviçit në shkrimet publicistike. Politikisht Handke pajtohej me spastrimin etnik të Millosheviçit kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve. Në një kohë që regjimi serb i Millosheviçit me masakrat dhe vrasjet masive si dhe me dhunimet e grave dhe fëmijëve kishte pushtuar ekranet e botës me karvanet e një spastrimi etnik të përmasave biblike.

Handke nuk u ndal këtu. Ai vazhdoi duke shkuar edhe në varrimin e Millosheviçit, duke mbajtur një fjalim për “kasapin e Ballkanit” sikur ky të ishte njeriu që i kishte dhënë paqen Ballkanit. Politika shoviniste serbe me Milosheviçin në krye, i shkaktoi ish-Jugosllavisë mbi 300 mijë viktima dhe miliona të shpërngulur nga shtëpitë dhe trojet e tyre. Ajo që është edhe më e rëndë për nobelistin Handke është fakti që ende sot, edhe pasi mori Çmimin Nobel, ai nuk ka kërkuar qoftë dhe formalisht një pardon për këtë qendrim të tij. Në të kundërt, Handke, vazhdon të thotë se nuk ka pasur spastrim etnik nga serbët e Millosheviçit në Bosnjë e Kosovë.

Me të drejtë u mbajt një qendrim i ashpër për moralitetin e shkrimtarit Handke dhe përzgjedhjen e tij për Çmimin Nobel nga komisioni i akademisë suedeze të Nobelit.
Kërkush nuk u mor me letërsinë e tij që në Shqipëri është pothuajse e panjohur. Personalisht nuk i kam lexuar asnjë rresht. Arti i tij letrar me atë ç’ka u mundova të kërkoj pas laurimit me Çmimin Nobel, flet për një shkrimtar që ishte vlerësuar me çmime të ndryshme në botë edhe mbas qendrimit tij pro Millosheviçit në vitin 2000 dhe deri kur mori çmimin më prestigjioz në letërsi, atë Nobel.

Në vitin 2000, Handke ka marrë çmimin Brothers Karić Award, 2002 America Award, 2008 Thomas Mann Preis, 2009 Franc Kafka Prize, 2014 International Ibsen Award, 2018 Nestori Theatre Prize for Lifetime Achievemet dhe ne 10 tetor 2019 Nobel Prize, si një shkrimtar “me një vepër me ndikim që me një mrehtësi gjuhësore ka eksploruar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore”, sipas Nobelit.

Pikërisht kur ndodhnin masakrat në Bosnjë dhe Kosove, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili pretention e i takon Çmimi Nobel kishte miqësi me Handken. Siç pohon vetë Kadare, “televizioni austriak më kërkon një mendim për qendrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qendrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister… E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme… Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë” (Ra ky mort dhe u pamë, 20 prill 1999).
Ismail Kadare që ka qenë skajsisht i pamëshirshëm në gjuhën e tij me shkrimtarët shqiptarë të paraluftës, përdor një gjuhë elegante, deri në përkujdesje për mos ta lënduar Handken që përkrahte makinën gjenocidiale të Millosheviçit kundër shqiptarëve te Kosovës! “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”. Pse? Sepse Handke ishte recensuesi i përkthimit dhe botimit të librave të Kadaresë në Austri nga shtëpia botuese “Residennz Verlag” apo se Kadare ka manifestuar kurdoherë një diabolizëm tipik? Apo të dyja.

Nuk është vetëm Handke që ka pasur lidhje me diktatorë dhe ka shprehur simpati apo ka pasur miqësi me diktatorë, ka dhe nobelistë si Gabriel Garsia Markes, i cili ka qënë mik i ngushtë i Fidel Kastros. Gunter Gras ishte ushtar nazist në moshë fare të re, gjë të cilën e nxorri vetë pasi mori Çmimin Nobel, Knut Hamsun është shkrimtari më i njohur në Norvegji dhe ka marrë çmimin Nobel, në një kohë që ishte përkrahës i Hitlerit.

Mendoj se për të gjithë këta që kanë përkrahur diktatorë, pamvarësisht se vepra e tyre letrare nuk ka qenë e lidhur në mënyrë integrale me diktaturën apo diktatorin, Çmimi Nobel është i tepërt. Letërsia, që kur është krijuar, ka kultivuar të mirën mbi të keqen dhe ka një mision human.

Diktatorët që kanë përkrahur dhe investuar për shkrimtarë, apo janë përkrahur nga cilido shkrimtar apo artist e kanë humbur misionin e tyre të humanizmit dhe luftës me të keqen, pavarsisht se nuk e kanë të lidhur në mënyrë integrale dhe e kanë vënë krijimtarinë e tyre në shërbim të diktaturës apo diktatorit.

Gjashtë ditë pasi Handke mori çmimin Nobel, shkrimtari Ismail Kadare mori çmimin Neustadt International Prize for Literatur nga World Literature Today dhe Universiteti i Oklahamës. Më pas, në 26 tetor 2019, Kadaresë i’u dha çmimi Pak Kyong në qytetin Wonju të Koresë se Jugut për nder te shkrimtares koreane Pak Kyongni. Ky çmim është krijuar në vitin 2011 nga Fondacioni Kulturor Toji.

Në botë mund të ketë 1000 çmime në vit nga vënde, fondacione dhe organizata të ndryshme për letërsinë. Edhe Universiteti Europian i Henri Çilit në Shqipëri ka Çmimin Kadare që shkrimtari çek me banim në Francë, Milan Kundera e refuzoi. Të dy këtyre çmimeve që iu dhanë Kadaresë, media e shkruar dhe vizive në Shqipëri pa përjashtim, u bëri jehonë në mënyrë superlative dhe gati hyjnore, pa reflektuar se vetëm pak ditë më parë, kishin sulmuar akademinë suedeze që i dha Çmimin Nobel shkrimtarit Hadke për qendrimet e tij pro Millosheviçit dhe makinës ushtarake serbe që krijojoi tragjedi dhe shkatërrime që të kujtonin Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa në rastin e Kadaresë asnjë qëndrim kritik, megjithëse Kadare ka shërbyer nën një regjim diktatorial nga më krimanalët në Europën Lindore, ndërsa Handke si njeri i botës së lire.

World Literature Today shkruante për çmimin Neustadt International Prize for Literature “Ismail Kadare është kampion botëror i lirisë dhe demokracisë”. Ky fakt tregon se serioziteti i këtyrë çmimeve le shumë për të dyshuar për njohjen e shkrimtarit nga këto fondacione apo institucione. Duke mos njohur aktivitetin politik dhe letrar të shkrimtarit, ato arritën deri aty sa ta quajnë shkrimtarin Kadare, kampion të lirisë dhe demokracisë botërore. Si dhe pse mund të quhet Ismail Kadare kampion botëror i lirisë dhe demokracisë?!

Ismail Kadare është shkrimtari që si askush tjetër në letërsinë e pas luftës gjatë regjimit komunist në Shqipëri, e ka të lidhur krijimtarinë e tij letrare dhe publicistike në mënyrë integrale, jo vetëm me regjimin komunist dhe diktatorin shqiptar Enver Hoxha, por edhe më Stalinin dhe komunizmin në rang botëror. Vetëm për diktatorin më të pamëshirshëm Josif Stalin ka shkruar gjashtë poezi e po ashtu edhe për Leninin. Kadare, për 30 vjet në Shqipëri, ka qënë masakruesi i shkrimtarëvë të paraluftës të ndaluar nga partia dhe diktatori Hoxha, sidomos shkrimtarët dhe publicistët e klerit katolik.

Universiteti Oklahamës dhe Fondacioni Toji ne Kore, ku Kadare u shpreh në ceremoninë e marrjes së e çmimit se “shumë shkrimtarë dhe artistë në vëndin tim janë burgosur dhe persekutuar, njëri prej tyre jam dhe unë”, duhet të ishin më të informuar për aktivitetin, publicistikën por edhe vetë letërsinë e Kadaresë. Kjo nënkupton që këto dy fondacione apo institucione nuk e njohim krijimtarinë letrare të shkrimtarit Ismail Kadare.

Ç’është edhe më keq, media dhe kritika letrare shqiptare me një fanfare të pakursyer, të udhëhequr nga vetë shkrimtari, jo vetëm që u angazhuan në një fushatë glorifikuese manipulim-simulimi, por edhe fallsifikimi të të vërtetës për pozitën dhe rolin e Kadaresë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Kadare, jo vetëm e pranon këtë fallsifikim të por edhe deklamon se ka qënë disident i regjimit komunist me letërsinë e tij. Faktet flasin ndryshe dhe janë të gjitha në shtypin e kohës.

Në vitin 1988 në gazetën “Zëri i popullit” organ i Partisë së Punës (komuniste) së Shqipërisë, e kontrolluar nga kupola e komitetit qendror të partisë, tre vjet pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha dhe një vit para shëmbjes së Murit Berlinit, Ismail Kadare në një shkrim me rastin e ditës së lindjes së Hoxhës, ndër të tjera shkruante:

“Figura e shokut Enver Hoxha tek ‘Dimri i madh’ është dhe do të mbetet figura më e rëndësishme historike që kam trajtuar në gjithë veprën time letrare. Merret me mend përgjegjësia e madhe që kam ndjerë si krijues gjatë punës për krijimin e saj, përpjekja që më është dashur të bëj, konsultimi me veprën e tij të gjerë, kujdesi për t’i bërë një zbërthim sa më të saktë asaj, studimi veprave arkivale të Partisë, që janë të pandara nga vepra e tij, studimi veçanërisht i imtë i gjithë materialeve të mbledhjes së Moskës etj., etj”.

Në hyrje të botimit dytë të romanit “Dimri madh” autori ka shkruar:

“Botimi i vëllimit të 19-të të Veprave të shokut Enver Hoxha, me jehonën brenda dhe jashtë vendit, ishte një ndihmë tepër e madhe për pasurimin e mëtejshëm të romanit, si dhe për konceptimin e plotë të ngjarjes monumentale, që tashmë ka hyrë në histori”.

Më vonë, pas largimit nga Shqipëria këtë roman – “Dimri i vetmisë së madhe” – Kadare është munduar ta shesë si disidencë, sikur donte të zbuste diktatorin dhe ta drejtonte nga perëndimi. Por e vërteta është se “Dimri madh” është një vepër monument për Partinë e Punës së Shqipërinë dhe Enver Hoxhën. Të shitet si disidencë akoma kjo vepër është një imoralitet intelektual dhe kulturor i papërtypshëm dhe revoltues.

Ja çfarë shkruan Kadare ne këtë roman: “Jo, – tha Enver Hoxha, – ne nuk goditëm njeri. Përkundrazi, ne u mallkuam si heretikë, sepse nuk iu bindëm urdhrit tuaj për të goditur një parti motër. Dhe kjo ishte vetëm njëra prej kontradiktave që kemi me ju. Ju e dini se ne prej kohësh nuk jemi dakord me ju për një sërë çështjesh. Neve nuk na pëlqen paternalizmi juaj, ne nuk kemi qenë dakord që ju ndër¬hytë në Hungari pa u kon¬sultuar edhe me ne, neve nuk na pël¬qen trajtimi që i bëtë çësh¬tjes së Stalinit. Veç kësaj ne nuk jemi në një mendje me ju në lidhje me qëndrimin ndaj Jugosllavisë, nuk na pëlqen përulja juaj, – ai deshi të shtonte ‘prej provin¬ciali’, por aty për aty ndë¬rroi mendje, – përulja juaj ndaj Perë¬ndimit. Gjithashtu s’jemi dakord për disa çështje të tjera pari¬more. Ne nuk jemi aq opti¬mistë sa ju. Ne nuk besojmë shumë në rrugët parlamentare të triumfit të komunizmit… Ndihej menjëherë se si, duke u pregatitur për t’u murruar në themelitë e kombit, ngjarja kapërcente sferën e marrëdhë¬nieve midis shteteve dhe partive. Ajo dilte nga gjysma e dytë e shekullit XX, ku kishte ndodhur, për t’u shtrirë në kohën e përgjithshme…”

Këtë roman Kadare ia ka dhuruar Hoxhës më 5 shtator 1978, me këtë dedikim: “Shokut Enver, me dashuri të pakufishme nga autori, në kujtim të ditëve të pashlyeshme të Moskës 1960, të cilat ia ngritën edhe më lart nderin vendit dhe Partisë dhe epopea e të cilave vazhdon e do të vazhdojë”.

Ndërsa gruas së diktatorit Nexhmie Hoxha i ka shkruar më 21 mars 1971: “Shoqja Nexhmie, duke ju falenderuar dhe një herë për ndihmën që më keni dhënë për romanin (Dimri madh) nuk di nëqoftëse do të keni gjetur ndërkaq edhe ndonjë material tjetër, për të cilin do t’ju isha shumë mirënjohtës. Unë dhe Elena kemi shumë dëshirë t’ju bënim një vizitë, nëqoftëse ju do të kishit kohë të lirë ndonjë ditë.”

Këto janë vetëm dy shembuj nga komunikmet e Kadaresë me diktatorin dhe të shoqen, që kanë qënë të vazhdueshme, me letra shumëfaqëshe por edhe me takime direkte. E gjitha kjo nuk bëhej për ta çuar Shqipërinë nga Perëndimi, siç mundohet ta paraqesë Kadare dhe portavoçet e zellshme të tij. Kadare i thur himn izolimit të Shqipërisë duke u bërë i vetmi vend stalinist në Europën Lindore në vitin 1961, pas Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Vetë koha kur është shkruar libri dhe idealizimi i diktatorit përkon me kohën më të tmerrshme të diktaturës vitet 1971-75 kur Shqipëria ishte kthyer në burgun më të tmerrshëm të Europës Lindore rrethuar me tela me gjëmba. Kadare nuk ka munguar të shkruajë as për qenin e kufirit – “Qeni i kufirit” – që shqyente njerëzit që mundoheshin të largoheshin nga ferri 28 mijë km2 i diktatorit Hoxha për të shkuar drejtë lirisë.

Merr frymë shpejt.
Me sy nervozë
Vështron përqark;
Një rryp i blertë
I shtrëngon qafën muskuloze,
Tek ec në pyll me hap të lehtë.

Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim,
Sorkadhet brirët e bukur i ulin në blerim

Dhe ujqit vetë, po t’u delte përpara
Do t’i hapnin udhën kafshës ushtare

Të gjitha librat e Ismail Kadare janë në funksion të regjimit diktatorial dhe nacional-komunizmit, kundër botës perendimore dhe lirisë së perëndimit, si “Linjat e Largëta”; “Kështjella”, sipas frymës së regjimit Shqipëria Socialiste kështjellë në brigjet e Adriatikut; “Dimri madh”, i cili është monumenti letrar që Kadare i ngre diktatorit Enver Hoxha dhe izolimit të Shqipërisë; “Koncert në fund të dimrit”, prishjes së marrëdhënieve me Kinën; “Dasma”, roman që himnizon revolucionin kulturor të vitit 1967, për çfarë regjimi i etiketonte si zakone prapanike; “Nëntori i një kryeqyteti” manipulon dhe fallsifikon “çlirimin” e Tiranës nga partizanë dhe arrin deri aty, sa nacionalistët me në krye Mit’hat Frashërin që po largoheshin nga Shqipëria, i quan “karvani I nacionalistëve dukej si zorra e trashë në largim nga rruga e Durrësit”; poemat “Shqiponjat futurojnë lart”, “Perse mendohen këto male”, e shumë e shumë të tjera. Ja çfarë shkruan Kadare tek “Komunizmi”:

Si dielli që përflak çdo gjë në mëngjes,
Ashtu çdo gjë ai ndrit mbi botë.
Dielli së pari retë i ndes,
Pastaj malet, lisat, shkëmbinjtë e forte.

Veç në honet dhe guvat
S’hyn dot diell’ i pashuar
Për t’u zvarrisur armiqtë e tij
Ato jan’ krijuar.

Partia ime

Atë, që dot s’ma jepte kush,
Partia ime, ti ma dhe
Me mijëra zemra që janë lidhur
Si enë komunikuese varg
Në dejt e mi me anë të tyre
seç rrjedh ky gjaku yt i madh’.

Tek Pashallarët e kuq që trumpetat e shërbimit të djeshëm të regjimit dhe Kadaresë janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen ta ta shesin si disidencë, Kadare shkruan:

Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet sec i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
-Oh, shoku Enver, hm, rrofte, oj!-
Por ai i mvrejtur
me dhëmbjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.
….
Si dikur patrullat partizane
Shtegetojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa
Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’ështe vec në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je per socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u permbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh.

Për diktatorin Enver Hoxha në poezinë “Feneri i komunizmit n’Evropë s’u shua”:

Shoku Enver Hoxha mbështetur te dritarja
Vështronte pejsazhin e gjerë mbi dhe.
Enver Hoxha vështronte zymtinë e maleve…
Ai nuk i hiqte sytë prej maleve të zbardhur
Dhe nuk mendonte se në flokët e tij
Gjithashtu ishin shtuar thinjat.
S’mendonte
Se malet e lartë
Thinjen kështu nëpër stuhi.
Përpara,
S’pyesnim për lodhje, për turne,
Djersa mbi këngët na binte në dhjetor.
Në bulevardin e madh
Kish dritë gjer vonë Komiteti Qendror.
Poezi për Leninin
Për të un’ rashë shumë në mendime,
Edhe shumë herë jam matur për të shkruar,
Porse në vargjet e fletores sime
I rrallë është emri i tij, si gur i çmuar.
Në vargje ai duhet të jetë
Përmes furtunës revolucionare,
Mes ngricave të vjeshtës së tretë,
Mes flamujve që skuqin porsi zjarre.
Prandaj lirikat shpesh kam grisur unë,
Sepse më dukej s’mbanin er’ furtunë,
Por erë fushash, bari të kositur
Ku hënëza vështron në rrugën e dremitur

Po nuk ka gjë: Iliçi le të jetë
Në mes pejzazheve që dua shumë.
Mes rrugëve, mes fushave të qeta,
Ku zhurmëron një lis, ku rrjedh një lumë.
Sepse Ai në eci nëpër shqota
Në rrugë plot me erëra tetori,
I deshte bukuritë e kësaj bote
Dhe drurëte dhe gjethet tej oborrit,
Dhe zjarrin që në fushë tutje fiket.
E desh Ai si shpirti i lirikut.
Deshi Ai dhe velën mbi liqenë.
Dhe fushën që po flë ku muzgjet vinë e venë.

Atij mëngjezi i bukur i kujtonte
Të ardhmen mbi Rusinë e paanë.
Dhe perëndim i skuqur i kujtonte
Ata që për tetorin vanë e ranë.
Dhe diellin që po ulej kur sodiste,
me libër nëpër duar tek dritoret,
Ai e dinte: perëndim s’do kishte
Mbi botën dielli i zjarrtë i Tetorit
Oh, unë e shoh kur përsëri i qetë
Me sytë e ndritur ngulur përmbi fletë,
Ndërsa thellimi fryn jashtë në drurë:
“Fitoret kurrë ne nuk do ti lëmë, Kurrë”.

Ja dhe një nga gjashtë poezitë e Isamil Kadare për diktatorin Stalin që ka vrarë 20 milion njerëz në Bashkimin Sovietik si kundërshtar të regjimit komunist. Në “Lamtumira e fundit” Kadare e quan Stalinin “baba”.

Kurora dhe kurora pa mbarim,
Kurora gjithë lule gjithë yje;
Dhe sytë të përlotur me trishtim,
Dhe pamj’ e rëndë zije.

O shokë, për të fundit here sot
Babain përshëndet turm’ e pasosur,
Me dhëmbje të kulluar e me lot,
Me zëmër të plagosur

Në gjysëm shtizë flamurët era tund
Gjëmime topash ndihen në hapsirë
I jep Stalinit turma e pafund
Të fundit lamtumirë

Pra lamtumirë mik’ i madh, baba!
Çdo zëmër sot i thotë; Lamtumirë!
Së bashku me Leninin krah për krah
Aty ka për t’u shtrirë

Isamil Kadare ka sulmuar si askush në letrat shqipe klerin katolik dhe letrarët katolikë të Shqipërisë, si edhe vetë kristianizmin me urrejtje patologjike. Ja çfarë shkruante Kadare pas ndalimit të fesë në vitin 1967 për priftërinjtë dhe shkrimtarët e klerit katolik në poemën “Perse mendohen këto male” në kohën e revolucionit kulturor, poemë për të cilën Enver Hoxha e mori vetë në telefon për ta uruar dhe për të cilën ia dha çmimi më i lartë në 20 vjetorin “e çlirimit” Çmimi i Republikës.

Kryqi i Krishtit, gjysmëhënë e Islamit,
Peizazhet e tua kërkonin t’i ndanin.
Turqishtja e kuranit, e arabëve përçartja,
Logjika latine, me frazat e gjata
Përpiqeshin të shkurtonin pushkën e gjatë.
Dhe fjalët latinisht dhe fjalët arabisht
Mbi tytën e saj binin ndryshk

Me këto vargje dhe me barazinë që i jep kryqit dhe islamit, Kadare, çfaq urrejtjen për fetë si mbështetës i nismës së regjimit komunist shqiptar për ndalimin e fesë dhe shkatërimin me themel të saj. Priftërinjtë me veladonët e tyre ai i quan errësira kozmike që si re të zeza i vijnë revolucionit.

Nga errësirat kozmike vijnë priftrinjtë
Me veladonët e tyre
Por turmat, i mbysin njerëzit me veladona
Dhe poetët rebelë i shqyen me thonjë
Përpos urrejtjes fetare, Ismail Kadare, ushqen dhe nxit dhe urrejte nacionale dhe gjuhësore në vargjet e tij.

Sistematikisht dhe vazhdimisht ai ka denigruar me urrejtje fetare dhe krahinore sipas orientimeve të partisë dhe diktatorit Hoxha, kollosin e letrave shqipe, maratonomakun e pavarsisë, kryetarin e Komisisë Letrare të Kongresit të Manastirit, poetin kombëtar, At Gjergj Fishtën.

Më 13 janar 1974, Ismail Kadare shkruan në “Zeri i Popullit” (faqe 3): “Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë.
Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift”.

At Gjergj Fishtën, Faik Konicën dhe Ernest Koliqin tre kollosët elitarë të mendimit, të letrave shqipe e pavarsisë dhe ushqyesit e frymës perendimore në Shqipëri, Kadare i ka sulmuar edhe në tetor 1989 në parathënien e librit “Ardhja Migjenit në letërsinë shqipe”, duke i quajtur, trekëndëshi reaksionar me kokëposhtë i letërsisë shqipe.

Kadare është tallur dhe ka përdorur fjalor banal ndaj nacionalistëve shqiptarë. Mit’hat Frashërin e quajti kreu i “zorrës së trashë” ndërsa mbretin Zog nje kufome me er-urinë.
Në artikullin “Epika e themelimit të Shqipërisë” botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, Kadare shkruan për librin e Enver Hoxhës “Kur hidheshin themelet”:

“Epikë të vërtetë, të pikturuar me një gamë të gjerë tonalitetesh, të cilat shkojnë nga nuancat e Rembrandit, tek penelatat e ashpra të Brygelit…Krahas stilit epik që u pështatet ngjarjeve në mënyrë të përsosur, kemi dhe një lirizëm të shkëlqyer, një humor, sarkazëm dhe ironi therëse.
Nën kamzhikun e satires therëse është përshkruar dhe pjella tjetër ‘e dale taze nga kuzhinat e fshehta të reaksionit… me një emër simbolik të nxjerrë nga sepetet e vjetra: Legaliteti’.
Me koherencën karakteristike të stilit të tij, shoku Enver e jep Legalitetin si diçka që mban erë myku e kufome mbretërore. ‘Te bindur që s’u doli gjë me Ballin, tani reaksionarët nisën të ngrenë nga varri Ahmet Zogun, ta lyejnë kufomën e tij me pudër me er-urina, që të krijojnë përshtypjen se mbretëria dhe mbreti në Shqipëri mbetën në fuqi të ligjshëm!’”

Ja çfarë shkruante Ismail Kadare në 26 prill 1985 në gazetën “Le Monde” në një reagim të tij pas vdekjes së Enver Hoxhës: “Është detyra ime të shkruaj këtë letër pas leximit të artikullit të botuar në gazetën tuaj ‘Le Monde’ në lidhje me ditët e fundit të vdekjes së udhëheqësit të popullit shqiptar, Enver Hoxha.… Sigurisht, gazetarët tuaj kanë të drejtën të kenë pikëpamjen e tyre për rendin shoqëror të një vendi për idetë që ai mbron dhe politikën. Megjithatë, duket se (artikulli) është i padenjë që të ofendojë njerëzit në kohë e tyre të pikëllimit dhe dhimbjes, ashtu siç ndodh në rreshtat e artikullit tuaj.
Populli shqiptar ka një histori të gjatë me pengesa, kështu që ai e di shumë mirë se pse ka dhimbje, se si ajo shfaqet dhe pse duhet të jetë në zi. Emri i Enver Hoxhës është i lidhur pazgjidhshmërisht me themelet, historinë dhe ndërtimin e Shqipërisë së re. Kjo është ajo që përcakton madhështinë e tij, dhe si pasojë edhe shtrirjen e zisë.
Ne kemi gjetur edhe diçka të çuditshme, që kolegët e mi dhe unë, si dhe gazeta ‘Le Monde’ ka futur me këtë rast edhe deklaratën e një krimineli, si i biri i ish-Mbretit Zog, me fantazi qesharake dhe që dëshiron të vendosë monarkinë e re në Shqipëri. Monarkia u përmbys edhe në Francën tuaj dy shekuj më parë dhe për këtë është me të drejtë krenare. Vetëm njerëzit e këqij mund të dëshironin një rikthim pas në historinë e Shqipërisë”.

Shkrimtari Ismail Kadare përpos veprës së tij të lidhur në mënyrë integrale dhe në mbështetje të diktaurës dhe diktatorit në Shqipëri, në letërsi dhe publicistikë, ka pasur edhe funksione të rëndësishme ne regjimin komunist shqiptar. Ai ka qenë anëtar e Partisë së Punës së Shqipërisë. Për tre legjislatura deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë komuniste. Nen kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë me kryetare gruan e diktatorit Enver Hoxha. Fronti Demokratik ishte fronti I internim dëbimeve.

Te gjitha këto funksione dhe fuqinë që gëzonte nga regjimi kriminal komunist, Ismail Kadare e përdori për të internuar të dashurin e vajzës së tij, Renato Rrapi, pasi ishte një familje që nuk përputhej me moralin dhe normat e regjimit komunist dhe nuk ishte e rangut të nomenklaturës komuniste, pjesë e të cilës ishte Ismail Kadareja dhe rrethi i tij.

Renato Rrapi, një djalë simpatik, violinist i talentuar, në moshën 17 vjeçare përjashtohet nga shkolla, torturohet nga policia sekrete në spitale psiqiatrike me elektroshok, dhe internohet për dhjetë vjet, nga 1981 deri në 1990 kur u përmbys rregjimi. Me fuqinë e Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alisë; Sekretarit të Komitetit Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni; dhe hetuesit, Riza Hicka, u krye opericioni i torturimit dhe shkatërrimit psiko-mendor të Renato Rapit. Ai sot e kësaj dite jeton si invalid në New York.

E pra, ky Ismail Kadare prej 30 vjetësh, sipas tij dhe publikimeve në median shqiptare, është “pretendent” për Çmimin Nobel në letërsi dhe ka qënë gjithmonë mes tre kandidatëve të pare. Por asnjëherë nuk ka qënë fitues i Nobelit asnjë nga pretendentët, ku përfshihet dhe Kadare, sipas medias shqiptare.

Keto që shkruajta janë vetëm një e njëqinda e mijra faqeve publicistike, letrare, poetike që ka shkruar Ismail Kadare, i përkrahuri dhe I përkëdheluri i regjimit komunist dje. Sherbëtor i regjimeve politike të cilat si dje edhe sot kanë investuar dhe investojnë për shkrimtarin Isamil Kadare ashtu si përhapnin dikur librat e Enver Hoxhës në gjuhë të ndryshme te botës.

Keto radhë nuk i shkruaj as për shoqërinë e qorruar dhe të shurdhuar shqiptare. As për artistët dhe letrarët shqiptarë të kompromentuar si dje dhe sot sipas modelit Kadare. As për median dhe gazetarinë shqiptare që i shërben Isamilit dhe Ismailëve të regjimeve politike dje dhe sot. Jo. Ky shkrim është për ato organizata e fondacioneve që japin çmime ndërkombëtare, që së paku, të kenë pak respekt për ata që shkuan nëpër rrathët e ferrit të regjimt komunist, në shërbim të të cilit ishin Ismail Kadare dhe intelektualët e modelit Kadare.

Pyetjet që kam për këto organizata dhe fondacione që e quajnë Ismail Kadarenë, kampion të lirisë dhe demokracisë botërore, janë:
1. A e njohin veprën dhe jetën e Ismail Kadaresë në diktaturë dhe posdiktaturë?!!
2. Në qoftë se e njohin siç flasin vetë shkrimtari Ismail Kadare dhe shkrimet e tij për regjimin komunist, a mendojnë sinqerisht ata se ky njeri është kampion i lirisë dhe demokracisë botërore?!!

Sido që të jetë, këto organizata dhe deri ajo e akademisë suedeze që i dha Peter Handke Çmimin Nobel, kanë humbur seriozitetin, moralin dhe besueshmërinë.
Kollosët e letërsisë botërore nuk u kanë gjëmuar çmimeve por kanë shkruar letërsi dhe janë në Panteonin e letrave botërore jo me çmime por më letersi dhe akte Nobel. Ka pasur edhe nga ata që nuk e kanë pranuar këtë çmim, si shkrimtari francez Jean Pol Sartre.

Ismail Kadaresë në 30 vjetët e fundit i është bërë obsesion Çmimi Nobel dhe jeton me bindjen se e meriton. /Ora news /KultPlus.com

Të ngjajshme