Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim një nismë për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në këtë marrëveshje do të angazhohen për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë fushë.
“Në mbledhjen e sotme i kemi 23 propozim vendime. Në mesin e tyre me rëndësi të veçantë do të jetë shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-së. Në këtë marrëveshje do të angazhohemi për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me planifikim të mbrojtjes, qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake”.
Kurti tha se marrëveshja do të jetë e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate e në koordinim me SHBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë. Me këtë marrëveshje Kosova dhe SHBA angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike, si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se qëllimi i marrëveshjes është për avancim të bashkëpunimit në këtë fushë dhe tha se nisma është në përputhje me qëllimet e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Në koordinim të plotë me SHBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi me avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”.
“Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, kërcënimet për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë, gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Për këtë Kurti paralajmëroi se do të flasë më gjerësisht Maqedonci në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë./ KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi dje Kosovën për herë të parë pasi mori këtë detyrë. Ai takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR.
Rutte ka takuar edhe komandantin e misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, i cili ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë të martës ka mbajtur edhe një tryezë diskutimi me gazetarë, ku ka theksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës dhe misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Sipas tij, misioni i NATO-s në Kosovë është kyç për sigurinë dhe stabilitetin e të gjitha komuniteteve. Megjithatë, ai nënvizoi se një zgjidhje e qëndrueshme paqësore duhet të jetë politike.
Gjatë kësaj konference, Rutte dha mesazhe të rëndësishme.
Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon.
Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.
“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.
Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Ëashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.
Para se të takohej me krerët shtetërorë të Kosovës, shefi i NATO-s qëndroi një ditë më parë edhe në Bosnje e Hercegovinë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rutte tha se kërkesa e tij për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është që të veprojnë në mënyrë të parashikueshme.
“E dimë që për momentin në Bosnje e Hercegovinë ka tensione për shkak të rastit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Dhe duke pasur parasysh faktin e tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se është në interesin e të gjithëve që të ulen tensionet. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është që të jeni të parashikueshëm dhe të përmbaheni nga veprimet e njëanshme”, tha shefi i NATO-s.
Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.
“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.
“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, i pyetur nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.
“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tri hapa përpara dhe nuk dua të flas për ‘çka nëse’”.
Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, dje mirëpriti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Zëvendës-sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjithashtu, Barduani u takua me ambasadorët e vendeve që kontribuojnë me trupa në KFOR, duke i falënderuar ata për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit dhe stabilitetit rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it./ KultPlus.com
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka qëndruar dje në Kosovë ku takoi zyrtarët e lartë shtetërorë si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Në vazhdën e këtyre takimeve Rutte ka takuar edhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Orav njofton se u takua me Rutte dhe zëvendëssekretaren e NATO-s, Radmila Shekerinska, me të cilët riafirmoi mbështetjen që Bashkimi Evropian ka për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Dje gjatë vizitës së tyre në Kosovë rikonfirmuan mbështetjen e BE-së dhe të NATO-s. Përballë sfidave gjeopolitike, qëndrimi në rrugën drejt BE-së është vendimtar. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet e vetmja rrugë drejt stabilitetit të qëndrueshëm”./ KultPlus.com
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s (CMC), ka qëndruar dje në Kosovë bashkë me delegacionin e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Cavo Dragone, në një postim në platformën X, tha se e kanë lavdëruar përkushtimin e palëkundur të të gjithë personelit të KFOR-it, të cilët, tha ai, vazhdojnë ta ruajnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë që nga viti 1999.
“Nën udhëheqësinë aktuale të Enrico Barduaniit, KFOR-i garanton ambient të sigurt, duke nxitur një Kosovë multietnike dhe demokratike”.
“Vlerësim i veçantë për Ekipin Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s, tani të udhëhequr nga gjenerali Christian Nawrat, për rolin e tyre kryesor në këshillimin dhe mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke rritur stabilitetin rajonal”.
“Jemi krenarë për ju! Vazhdoni punën e jashtëzakonshme”, potencoi Admirali Giuseppe Cavo Dragone./ KultPlus.com
Në gushtin e vitit 1945, në SHBA u botua libri “Ferma e kafshëve” e shkrimtarit britanik George Orwell (Xhorxh Oruell). Rezultoi një sukses i madh, me mbi gjysmë milioni kopje të shitura që në vitin e parë. Libri u pasua 3 vjet më vonë nga një sukses edhe më i madh, romani “1984”.
Nga Mark Satta
Në vitet që pasuan, shkrimet e Oruell lanë një shenjë të pashlyeshme në mendimin dhe kulturën amerikane. Shitjet e këtyre 2 librave u rritën sërish në vitin 2013 kur Eduard Snouden zbuloi dokumente konfidenciale nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Shteteve të Bashkuara (NSA).
Po ashtu “1984“ u ngjit në krye të listës së librave të shitur nga “Amazon”, pas hyrjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017. Si profesor i filozofisë, unë jam i interesuar të analizoj sesi idetë e Oruell mbeten aktuale edhe sot, përfshirë ato mbi totalitarizmin dhe socializmin.
Karriera e hershme
Xhorxh Oruell ishte pseudonimi i Erik Bler. I lindur në vitin 1903 në Indinë koloniale, Bler u transferua më vonë në Angli, ku falë disa bursave ndoqi shkollat më elitare të vendit. Pas mbarimit të shkollës, u bë një zyrtar shtetëror britanik, dhe punoi në Burma (sot Mianmari). Në moshën 24-vjeçare, Oruell u rikthye në Angli për t’u bërë shkrimtar. Gjatë viteve 1930, ai pati një sukses modest si eseist, gazetar dhe romancier. Në atë kohë shërbeu si një ushtar vullnetar në një milici të krahut të majtë, që luftoi përkrah republikanëve gjatë Luftës Civile në Spanjë.
Gjatë atij konflikti, Oruell e kuptoi nga afër se si propaganda mund të diktonte narrativat politike, dhe e bëri këtë duke vëzhguar rrëfimet e pasakta të ngjarjeve, të cilat ai i kishte përjetuar si dëshmitar okular.
Më vonë ai e përmblodhi me këtë fjali kuptimin e shkrimeve të tij nga Lufta Civile Spanjolle:”Çdo shkrim serioz që kam shkruar që nga viti 1936 është drejtuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kundër totalitarizmit, dhe në favor të socializmit demokratik”.
Po çfarë është totalitarizmi?
Për Oruell, totalitarizmi ishte një rend politik i përqendruar tek pushteti dhe kontrolli i tij. Kjo ide shtjellohet nga antagonisti në librin “1984”, O’Brajan. Ky personazh imagjinar, është një zyrtar i fuqishëm qeveritar, që e përdor torturën dhe manipulimin për të kontrolluar mendimet dhe veprimeve të protagonistit, Uinston Smith.
O’Brajan e trajton dëshirën e tij për pushtet si një synim në vetvete. Ai është një përfaqësim i fuqisë për hir të vetë pushtetit. Shumë nga idetë kryesore të Oruell, kanë të bëjnë me atë me të cilën totalitarizmi është i papajtueshëm.
Në esenë e tij të vitit 1941, “Luani dhe njëbrirëshi: Socializmi anglez dhe gjeniu”, Oruell flet për “idenë totalitare, sipas së cilës nuk ekziston një gjë e tillë si ligji, por vetëm pushteti…”. Me fjalë të tjera, ligjet mund të kufizojnë fuqinë e një sundimtari.
Nga ana tjetër, totalitarizmi synon të zhdukë kufijtë e ligjit, përmes një ushtrimi të pacipë të pushtetit. Ngjashëm, në esenë e tij të vitit 1942 “Duke parë në retrospektivë luftën spanjolle”, Oruell argumenton se totalitarizmi synon të mohojë ekzistencën e fakteve neutrale dhe të vërtetës objektive.
Oruell e identifikon lirinë dhe të vërtetën si “garancitë” kundër totalitarizmit. Ushtrimi i lirisë dhe njohja e së vërtetës, janë të papajtueshme me kontrollin total të centralizuar që imponon totalitarizmi. Oruell e kuptoi se totalitarizmi mund të gjendet në politikë, si në të djathtë ashtu edhe në të majtë.
Për Oruellin, naz izmi dhe komunizmi ishin totalitariste. Për mendimit tim, vepra e tij na sfidon që t’i rezistojmë tundimit për t’i lejuar udhëheqësit të kenë sjellje totalitare, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Gjithashtu ajo na kujton se disa nga mjetet më të mira që kemi në dispozicion për t’i rezistuar totalitarizmit, janë thënia e të vërtetës dhe ruajtja e lirisë.
Çfarë është socializmi demokratik?
Në librin e tij të vitit 1937 “Rruga drejt skeles Uigan”, Oruell shkruan se socializëm do të thotë “drejtësi dhe liri”. Drejtësia së cilës i referohet ai, shkon përtej drejtësisë së thjeshtë ekonomike. Ajo përfshin gjithashtu drejtësinë sociale dhe politike.
Oruell e shpjegon më në detaje se çfarë nënkupton me socializëm tek “Luani dhe njëbrirëshi”. Sipas tij, socializmi kërkon “barazinë e përafërt të të ardhurave, demokracinë politike, dhe heqjen e të gjitha privilegjeve trashëgimore, sidomos në arsim”.
Duke specifikuar se çfarë nënkupton me “barazinë e përafërt të të ardhurave”, Oruell thotë më vonë në të njëjtën ese, se diferenca në të ardhura nuk duhet ta kalojë raportin 10 me 1. Duke e interpretuar këtë ide nga perspektiva e sotme, mund të thuhet se Oruell do ta konsideronte etike që presidenti i një kompanie të fitojë 10 herë më shumë se sa punonjësit e tij, por jo 300 herë më shumë, siç ndodh sot mesatarisht në Shtetet e Bashkuara.
Por në përshkrimin e socializmit, Oruell nuk merret vetëm me pabarazinë ekonomike. Shkrimet e Oruell tregojnë se koncepti i tij i preferuar i socializmit, dikton gjithashtu “demokracinë politike”. Siç e vë në dukje studiuesi Dejvid Douan, Oruell dallon “dy koncepte të demokracisë’.
E para i referohet fuqisë politike në dispozicion të njerëzve të zakonshëm. E dyta ka të bëjë me liritë liberale klasike, siç është ajo e mendimit. Të dyja konceptet e demokracisë duken të rëndësishme, për atë që Oruell nënkupton me socializmin demokratik.
Për Oruell, socializmi demokratik është një rend politik që siguron barazi sociale dhe ekonomike, duke e ruajtur gjithashtu lirinë e fortë personale. Unë besoj se përshkrimi i Oruell mbi socializmin demokratik, si dhe pranimi prej tij, se socializmi mund të marrë forma të ndryshme, mbeten të rëndësishme ende sot, pasi debati politik mbi socializmin në Shtetet e Bashkuara anashkalon shpesh shumë prej nuancave që përfshin në debat Oruelli.
Për shembull, shumë shpesh amerikanët e ngatërrojnë socializmin me komunizmin. Oruell na ndihmon të sqarojmë ndryshimin midis këtyre termave. Duke pasur parasysh nivelet e larta të pabarazisë ekonomike, sulmet politike ndaj së vërtetës dhe shqetësimet e reja mbi totalitarizmin, idetë e Oruell mbeten po aq të rëndësishme sot sa ishin 75 vjet më parë./ “The Conversation”
Promovimi i librit “E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” nga Janet Reineck do të behet më 13 mars nga ora 17:00 në Librarinë ‘Dukagjini’.
Një diskutim i shkurtër për librin me antropologen Reineck. Në diskutim do të marrin pjesë antropologu Arsim Canolli dhe antropologia Lumnije Kadriu (përkthyese e librit në gjuhën shqipe). Do të ketë një koktej simbolik dhe mundësi për blerë librin me zbritje dhe të nënshkruar nga autorja.
Ndërhyrjet në infrastrukturën turistike të aventurës, synojnë të nxisin më tej eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë.
Një projekt inovativ ka marrë jetë përmes Platformës së Inovacionit në Turizëm (TIP), ku Çeta Hiking fitoi çmimin e parë për të realizuar Via Ferrata-n në Kuç, në rajonin e Vlorës.
Via Ferrata e parë në Shqipëri po ndërtohet për ngjitje në zona shkëmbore me instalime hekuri.
100 metrat e parë të këtij shtegu janë financuar nga GIZ, si dhe 150 metra shtesë u financuan nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Përmes një Memorandumi Mirëkuptimi mes GIZ, FSHZH dhe Bashkisë Himarë, ky produkt i ri po bëhet realitet.
E vendosur në një zonë ende të pashfrytëzuar e të paprekur nga turizmi, Via Ferrata në Kuç do të krijojë një eksperiencë unike përpara se turistët të zbresin drejt bregdetit jugor.
Ky zhvillim jo vetëm që do të diversifikojë ofertën turistike në rajon, por gjithashtu do të krijojë mundësi të reja ekonomike për banorët lokalë dhe operatorët turistikë, duke i dhënë zonës një dimension të ri tërheqës për vizitorët dhe aventurierët. /atsh/ KultPlus.com
Rreth 800 vjet më parë, një djalë 7-vjeçar i quajtur Onfim duket se ishte lodhur nga detyrat e shkollës dhe, në vend të tyre, vizatoi veten si një kalorës mbi kalë duke vrarë një armik. Onfim, i cili shkroi emrin e tij mbi këto skica argëtuese, bëri vizatime mbi më shumë se një duzinë copash të holla lëvore thupre në mesin e shekullit XIII. Aftësia e tij artistike u ruajt për shekuj falë tokës së lagësht dhe me pak oksigjen të Novgorodit, një shtet mesjetar sllavo-lindor që më vonë u bë pjesë e Rusisë.
I njohur si Gramota Nr. 200, autoportreti i Onfimit përfshin ushtrimet e tij me alfabetin cirilik mbi një vizatim ku duken një kalë, një armë e ngjashme me shpatë, një armik i mundur dhe, pranë një përfaqësimi të vetes, firma e tij: ОНѲИМЄ. Figuracionet e tij të thjeshta, një tregues i moshës 7-vjeçare, kanë shprehje të ashpra, bust të rrumbullakosur, këmbë të gjata dhe duar me më pak gishta sesa duhet.
Në vitin 1951, arkeologët në Novgorod zbuluan tekstet e para ruse të vjetra të shkruara në lëvore thupri, dhe deri më sot janë gjetur më shumë se 1200 të tilla. Përpara se letra të bëhej e disponueshme, lëvorja e butë e thuprës gërvishtej me mjete metalike ose kockore. Përmasat e këtyre teksteve ndryshojnë, por shumica janë afërsisht sa një kartolinë. Historiani rus Valentin Janin ka vlerësuar se mund të ketë mbi 20,000 tekste të tjera që ende nuk janë zbuluar nga toka me baltë të lagësht.
Qyteti i Novgorodit, që ndodhet në Rusinë perëndimore, rreth 160 kilometra në jug të Shën Petersburgut, ishte një qendër e rëndësishme tregtare gjatë periudhës mesjetare dhe, si rezultat, kishte nivele të larta të shkrim-leximit. Tekstet e shkruara në lëvore thupre nga Novgorodi trajtojnë kryesisht transaksione tregtare ose janë kopje të pasazheve nga Bibla.
Por puna e Onfimit është paksa ndryshe. Edhe pse ai ka shkruar psalme dhe himne, shumica e dorëshkrimeve të tij përmbanin vizatime figurative, dhe stili i tyre i thjeshtë e i këndshëm e ka bërë atë personin më të famshëm të teksteve të Novgorodit në lëvore thupre, si dhe krijuesin e disa prej veprave më të hershme artistike të prodhuara nga një fëmijë që janë zbuluar ndonjëherë.
Fatkeqësisht, nuk ka dëshmi historike që të tregojnë se çfarë ndodhi me Onfimin ndërsa u rrit. A u bë tregtar apo murg? A hipi ndonjëherë mbi kalë dhe vrau armiqtë e tij? Megjithëse nuk e dimë fatin e Onfimit, vizatimet e tij 800-vjeçare kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në histori. / INKL – Syri.net/ KultPlus.com
Leximi modelon trurin! Një njeri i apasionuar pas librave mund të dallohet nga anatomia e trurit, pasi leximi është në gjendje t’u japë formë dy zonave të hemisferës së majtë që janë të lidhura me tingujt dhe kategorizimin e informacioneve domethënëse.
Përsa i përket tiparit të parë, të tingullit, shkronjat dhe të lexuarit nuk i përkasin vetëm fushës vizive të të kuptuarit, por shkronjat janë tinguj.
Dhe kush lexon, ka një anatomi ndryshe, me lobin temporal në hemisferën e majtë që është në përmasa më të mëdha. Dhe këtë disa njerëz e kanë më të zhvilluar, ndërkohë që tek fëmijët, zona e trurit përgjegjëse për tingujt që është më e hollë, është simptomë e disleksisë.
Jennie nga BLACKPINK dhe ylli botëror i pop-it, Dua Lipa, kanë bashkuar forcat për të sjellë një nga bashkëpunimet më të pritura të vitit – “Handlebars”.
Kënga, e cila ka ngjallur menjëherë entuziazëm mes fansave të të dyja artisteve, vjen e shoqëruar me një videoklip spektakolar, i cili tejkalon pritshmëritë me pamjet e tij vizuale mahnitëse.
Me një stil të rafinuar dhe një estetikë unike, klipi ofron një përvojë vizuale të mbushur me skena të fuqishme, ngjyra të theksuara dhe efekte kinematografike të jashtëzakonshme.
Jennie dhe Dua Lipa shfaqen më karizmatike se kurrë, duke reflektuar një energji tërheqëse dhe një harmoni të përkryer në interpretimin e tyre.
“Handlebars” është një kombinim i veçantë i pop-it modern me elemente elektronike dhe ritme dinamike, ndërsa teksti i saj sjell një mesazh të fortë për vetëbesimin dhe lirinë.
Bashkëpunimi mes dy yjeve të muzikës ka marrë vlerësime të shumta, duke u konsideruar si një nga projektet më inovative të vitit.
Që në momentin e publikimit, videoklipi është kthyer në një sensacion, duke grumbulluar miliona shikime brenda pak orësh dhe duke u komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.
Fansat e të dyja artisteve kanë përshëndetur këtë bashkëpunim, duke e cilësuar atë si një nga duetet më ikonike të kohëve të fundit.
Me këtë projekt të ri, Jennie dhe Dua Lipa konfirmojnë edhe një herë statusin e tyre si ikona globale të muzikës, duke lënë një shenjë të fortë në industrinë muzikore.
Mbetet për t’u parë se çfarë surprizash do të sjellin në të ardhmen dyshja e talentuar, por një gjë është e sigurt: “Handlebars” është vetëm fillimi i një suksesi të padiskutueshëm./rtv21/ KultPlus.com
Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondacionin Gramsci të Pulias, Festivali i Filmit Sudestival mirëpret kinematografinë shqiptare me një sesion të dedikuar.
Pas Romës, do të jetë në Monopoli, te Pulias, stacioni i radhës. Data 14 mars, në Teatrin Radar në Monopoli, do të jetë një ditë e gjatë kushtuar bisedave, debateve dhe shfaqjeve të disa prej veprave më të mira kinematografike që rrëfejnë historinë e Shqipërisë.
Në program parashikohet “Anuloje Ligjin” (Annula il decreto) nga Fabrizio Bellomo. Pas shfaqjes së filmit, do të ketë një bisedë me regjisoren Fabiola Ismaili (Aquile di Seta), Edon Qesari (Historian, Akademia e Shkencave e Shqipërisë), Prof. Claudia Villani (Historiane, Universiteti i Barit – Fondacioni Gramsci Puglia).
Filmi tjetër në program është “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” nga Alessandro Ferrantelli, i cili do të shfaqet në shqip me titra italisht. Kjo premierë italiane do të ndiqet nga një bisedë me Arbër Agalliu, Noè Andreano (kryetar i bashkisë së Casalvecchio di Puglia), prof. Lucia Martino.
Në mbrëmje do të shfaqet i mirënjohuri “Lulëkuqet mbi mure”, i regjisorit Dhimitër Anagnosti që do të ndiqet nga biseda me Vito Saracino (Fondacioni Gramsci i Pulias), Marinela Ndria dhe Eriona Vyshka (Arkivi Qendor Shtetëror i Filmit), Nicola Barbuti (Dabimus srl – Universiteti i Barit), Resmie Hallulli (Universiteti i Barit, Fondacioni Gramsci i Pulias). /atsh/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Këshillin e Atlantikut të Veriut, përcjell KultPlus.
Osmani e ka konsideruar këtë takim si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe në një moment vendimtar.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:
Një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në një moment vendimtar me Këshillin e Atlantikut të Veriut (North Atlantic Council – NAC).
Patëm një diskutim përmbajtësor rreth zhvillimeve në Kosovë e rajon dhe riafirmova përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimit me NATO-n.
Forcat e NATO-s kanë rol të rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë, prandaj si partnere serioze e kredibile, Kosova do të vazhdojë të kontribuojë për paqen e stabilitetin afatgjatë./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Federatës Ndërkombëtare të Esports, Boban Totov, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Esports në Kosovë, Altin Preniqi.
Në këtë takim u disktuan për përgatitjet, progresin dhe punët që po bëhen drejt organizimit të Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë.
Ngjarja më e madhe e Lojërave Elektronike në Evropë do të mbahet në Prishtinë në korrik të këtij viti. Me 45 shtete pjesëmarrëse dhe me mbi 250 lojtarë, ky kampionat do të sjell në Prishtinë garat e Counter-Strike 2 dhe Dota 2./ KultPlus.com
Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, shkruan KultPlus.
“Profesoresha Lindita Sejdiu Rugova është zgjedhur drejtoreshë e Seminarit për një mandat dyvjeçar. Duhet theksuar se Prof. Sejdiu Rugova ka përvojë 23 vjeçare në organizimin e drejpërdrejtë të aktiviteteve të Seminarit”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Filologjisë.
Sekretar shkencor nga Këshilli i Seminarit u propozua Prof. asoc.dr. Muhamed Çitaku, kurse anëtarë të Këshillit u zgjodhën profesorët: Prof. dr. Bardh Rugova, Prof. dr. Avdi Visoka, Prof. ass. Dr. Gëzim Qerimi, Prof. ass. dr. Shpëtim Elezi, dhe Prof. ass. dr. Zahrije Kapllanaj.
Sekretare profesionale u emëruan MA. Liridona Bërkolli dhe Donika Elezkurtaj Bërveniku./ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se është pasuruar me katër balerinë të rinj, të cilët tashmë janë pjesë e përhershme e institucionit të BKK, shkruan KultPlus.
Isa Gjocaj, Blerta Fanaj, Rigon Krasniqi dhe Erza Limani kanë nënshkruar kontratat e rregullta të punës, duke u bërë pjesë e trupës së baletit.
“Edhe pse këta balerinë kanë qenë të angazhuar prej kohësh si pjesë e jashtme e trupës sonë, është tejet e rëndësishme që tani kanë marrë statusin e të punësuarve në BKK-së.
Baleti Kombëtar i Kosovës ju uron suksese dhe mbarësi në karrierën e tyre artistike, me shpresën që angazhimi dhe puna e tyre do të sjellin vlera të reja për publikun dhe artin skenik në vend” thuhet në njoftimin e BKK./ KultPlus.com
Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.
Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.
Fillimisht drejtori i qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”. Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.
Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.
Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025.
Ansambli Vokal “Harmonius” nën dirigjimin e Adelina Ndreca Kolaj, sonte do të mbaj koncert në Kishën katolike “Shën Ndou”, shkruan KultPlus.
“Harmonius” është një ansambël vokal i përbërë nga tetë vajza, të bashkuara nga pasioni për muzikën me një repertor që dhuron emocione të veçanta, i cili kësaj radhe vjen me një program modern.
Koncerti mbahet sonte duke filluar nga ora 19:30 në Kishën “Shën Ndou”./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka treguar se është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku kanë diskutuar për partneritetin më të fuqishme të sigurisë në botë.
Ajo ka shkruar se Kosova në NATO nuk është vetëm përcaktim strategjik – por domosdoshmëri për paqen.
“Si vend që ka tejkaluar objektivin e NATO-s për investime në mbrojtje prej 2% të GDP-së dhe po ndërton një forcë moderne të sigurisë, në përputhje me standardet e Aleancës, synimi ynë është i qartë: anëtarësimi në NATO si një kontribuues i palëkundur për sigurinë rajonale dhe globale”, ka shkruar tutje Osmani./KultPlus.com
Shqipëria do të ketë pavijonin e saj në Bienalen e 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia.
Pavijoni ynë, me titull Building Architecture Culture, eksploron marrëdhënien midis arkitekturës dhe shoqërisë, duke shtrirë ndikimin e saj përtej praktikës, në akademi dhe sferën publike. Kjo është një hapësirë dialogu ku idetë ndahen, pikëpamjet shkëmbehen dhe riformësohen.
Kuratorja e pavijonit shqiptar Anneke Abhelakh është një studiuese e angazhuar në projekte në fushën e artit bashkëkohor, arkitekturës dhe hapësirave publike, që jeton dhe punon në Zyrih. Fusha e veprimtarisë fokusohet në marrëdhëniet hapësinore midis praktikës, akademisë dhe sferës së tretë të kulturës arkitekturore dhe zhvillon projekte që lidhin dhe nxisin diskutimin dhe mirëkuptimin.
Bienalja e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025, ka temë qendrore: “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive”.
Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, pjesëmarrjet kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias./atsh/KultPlus.com
Të premtën, me datë 14 mars duke filluar nga ora 20:00, në teatrin Oda do të jepet premiera e video performancës “Krenaria Ka Shumë Ngjyra” nga Arlinda Morina – Liki dhe Uresa Ahmeti.
Kjo video-performancë zhytet thellë në ngjyrat e flamurit të krenarisë, duke i zbërthyer ato në përjetimet e një komuniteti që jeton mes shtypjes dhe rezistencës. Secila ngjyrë e flamurit – nga e kuqja e jetës deri te e vjollca e rilindjes – merr formë përmes 6 poezive dhe 6 performancave trupore dhe vizuele që shqyrtojnë një gamë të gjerë emocionesh, nga dashuria dhe solidariteti deri tek frika dhe dhuna.
Ky projekt, i financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka për qëllim jo vetëm të edukojë dhe sensibilizojë publikun për të drejtat e njeriut, por gjithashtu të njohë rezistencën shumëngjyrëshe LGBTQI+ dhe të fuqizojë e frymëzojë individët queer të jetojnë me liri dhe krenari./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka njoftuar se të mërkuren, do të promovohet libri “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”.
Në njoftim thuhet se promovimi do të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Promovimi do të bëhet duke filluar nga ora 18:00./KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert në Zvicër nesër, me datë 12 mars, në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Casino Bern, me një mbrëmje gala nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier”. thuhet në njoftim.
Tutje, nga filharmonia kanë njoftuar se ky koncert do të jetë i veçantë, pasi do të interpretohen vepra nga disa prej kompozitorëve shqiptarë të Kosovës të shekullit XX dhe XXI deri te disa nga perlat e literaturës klasike botërore, si dhe me pjesëmarrjen e sopranos Besa Llugiqi dhe saksofonistit Vitaly Vatulya./KultPlus.com
Këto dhjetë rregulla, Friedrich Nietzschei parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:
1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;
2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;
3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;
4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;
5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;
6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;
7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;
8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;
9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;
10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore./KultPlus.com