Njerëz të thjeshtë, të udhëhequr në një përvojë të veçantë kërcimi nga një koreografe, në një nga vendet më emblematike të shqiptarëve, në vilën 31 në Bllok – ky është thelbi i shfaqjes së nesërme të Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit.
Me dëshirën për të sjellë një përvojë kolektive që vlerëson diversitetin dhe ripërkufizon nocionin e fuqisë dhe bukurisë, koreografja Ermira Goro krijon “Takime” të njerëzve shumë të ndryshëm për nga mosha, gjinia, etniciteti, trupi, dhe aftësia. Përmes kësaj vepre artistike, ajo ka për qëllim të shkëpusë shikuesit nga ideja që kërcimi realizohet vetëm me trupa “të përsosur”, rinorë, muskulozë, e të trajnuar.
Si i vështirësojnë apo pasurojnë lëvizjet veçoritë e secilit trup? Si transformohet një trup “i pamësuar” nga lëvizjet apo ritmet që nuk i përkasin fjalorit të tij të përditshëm?
Çfarë ndjesish mund të lindin nga kjo përputhje vëzhguese? Përmes eksplorimit të individualitetit dhe shprehjes së studimit të lëvizjes, po ashtu dhe kompleksitetit dhe diversitetit të trupave të performuesve, “Takime” i shtyjnë shikuesit të dallojnë copëza të vetes së tyre në skenë, t’i rivlerësojnë ato, si dhe të rishikojnë kuptimin e “të saktës” dhe “të përshtatshmes”.
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit të Tiranës ka bërë një ftesë publike që kushdo të merrte pjesë në punën e koreografes së njohur, Ermira Goro. Ftesa ka qenë e hapur për individë të të gjitha moshave, qofshin ata të njohur me artin dhe teknikat e kërcimit, ose fillestarë të apasionuar dhe pas më shumë se një jave me prova, gjithçka është gati për t’u shfaqur nesër përpara publikut në dy orare 16:00 dhe 17:00, në një vend që publikun e bën shumë kurreshtar, sic është dhe vila 31 në ish Bllok.
Një tjetër sit i trashëgimisë kulturore i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 është restauruar
Hamami i Durrësit ka rihapur sot dyert e tij, duke i ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor të Shqipërisë.
I gjendur pranë Kullës Veneciane, Hamami është një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që janë rinovuar plotësisht përmes programit ‘EU4Culture’, ndërsa puna është duke vazhduar në 8 site të tjera.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit u shpreh, “shumë i lumtur për inaugurimin e Hamamit, pasi ky vend është një testament i diversitetit fetar, social dhe kulturor të këtij vendi”.
“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese mes njerëzve me tradita të ndryshme. Kjo është edhe ajo që BE-ja përfaqëson, njerëz me kultura dhe tradita të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni”, theksoi ai./atsh/KultPlus.com
Sipas një studimi të botuar në revistën ”Nature Communications”, mjeshtrit e mëdhenj të epokës së Rilindjes dhe Barokut si Leonardo da Vinci, Sandro Botticelli dhe Rembrandt shtuan qëllimisht të verdhën e vezës në pikturat e tyre me vaj, shkruan g24.sky.it.
“Burimet janë të pakta dhe studimet shkencore mbi këtë temë nuk janë bërë kurrë më parë”, theksoi autorja e studimit, Ophélie Ranquet e Institutit të Inxhinierisë në Institutin e Teknologjisë Karlsruhe në Gjermani.
E verdha e vezës
Sipas asaj që doli nga studimi, mjeshtrit e epokës së Rilindjes dhe Barokut e zbatuan këtë strategji, sasi të vogla të verdhë veze, ndryshojnë në një mënyrë të qëndrueshme vetitë e bojës dhe artistët e dinin mirë këtë gjë”.
Deri më tani mendohej se prania e proteinave si e verdha e vezës ishte rezultat i kontaminimit aksidental.
Ranquet, e cila gjeti gjurmë të substancës në dy piktura në Alte Pinakothek në Mynih, ”Madonna me karafil” e Leonardos dhe ”Vajtimi mbi Krishtin e vdekur” të Botticellit, është e bindur se artistët ishin të vetëdijshëm për pasojat e përzierjes së të verdhës me bojë, duke përfshirë për shembull përmirësimin e rezistencës ndaj lagështirës.
”Të dhënat e reja nuk janë vetëm të dobishme për restaurimin dhe ruajtjen e veprave të artit, por gjithashtu lejojnë një kuptim më të mirë të historisë së artit. Ato na ofrojnë një skenar të ri për të kuptuar teknikat e lashta të pikturës”, deklaroi Maria Perla Colombini, profesoreshë e kimisë analitike në Universitetin e Pizës./ atsh/ KultPlus.com
Nga data 4 e deri më 10 tetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara kremton Javën Botërore të Hapësirës. Me rezolutën 54/68 të 6 dhjetorit 1999, Asambleja e Përgjithshme shpalli Javën Botërore të Hapësirës, si një vlerësim për kontributin e shkencës dhe teknologjisë hapësinore në përmirësimin e kushteve njerëzore.
Java Botërore e Hapësirës është ngjarja më e madhe vjetore hapësinore në botë që frymëzon të rinjtë; demonstron mbështetje të dukshme publike për programin hapësinor; edukon publikun për aktivitetet hapësinore dhe nxit bashkëpunimin ndërkombëtar në shtrirjen dhe edukimin në hapësirë.
Tema e zgjedhur këtë vit për Javën e Hapësirës, është “Hapësira dhe ndryshimet klimatike”.
Më 4 tetor 1957, lëshimi në hapësirën e jashtme të satelitit të parë të Tokës të krijuar nga njeriu, Sputnik 1, i hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës. Një dekadë më vonë, më 10 tetor 1967, hyri në fuqi Traktati mbi Parimet që Drejtojnë Aktivitetet e Shteteve në Eksplorimin dhe Përdorimin e Hapësirës së Jashtme, duke përfshirë Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë./KultPlus.com
Grupi britanik i rock-ut Pink Floyd ka arritur një marrëveshje me Sony për të shitur katalogun e tij muzikor për afro 400 milionë dollarë.
Grupi legjendar pranoi të shesë të drejtat për katalogun e tij muzikor, emrin dhe markën, por jo të drejtat e këngëve, raporton Guardian.
Në vitin 2022, Variety raportoi se Pink Floyd planifikoi të shesë rekordet e tyre dhe asetet e tjera me vlerë deri në 500 milionë dollarë.
Megjithatë, blerësit potencial e shtynë blerjen pas intervistës së basistit dhe themeluesit të grupit Roger Waters me revistën Rolling Stone në vitin 2022, në të cilën ai bëri deklarata të diskutueshme për Izraelin, Ukrainën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Katalogu i muzikës së regjistruar të Pink Floyd është një nga më të vlefshmit në muzikën bashkëkohore, sipas Variety. Albumi më i famshëm i grupit janë The Wall, Dark Side of the Moon, Wish you were Here, Animals dhe shumë të tjera.
Gjatë viteve të fundit, artistë të tjerë të profilit të lartë, duke përfshirë Bruce Springsteen, Bob Dylan, Justin Timberlake, Shakira, Red Hot Chili Peppers dhe të tjerë, kanë shitur katalogët e tyre muzikorë në labela të ndryshme diskografike./KultPlus.com
Nuk besoj më në fjalët e poemave, sepse nuk ngrejnë asgjë e asgjë nuk bëjnë. Dikur kishte poema që e dërgonin një luftëtar t’ia shqyenin grykën, por me grykë të shqyer luftëtari ishte i vdekur, e ç’i mbetej pastaj nga lavdia ? E kam fjalën, nga zelli i vet ? Asgjë.
Ishte i vdekur, e kjo shërbente për të edukuar nëpër klasa gomerët dhe të bijtë e gomerëve që do të vinin pas tij e që kanë shkuar në luftra të reja atomikisht të kurdisura, më duket se ka një gjendje ku luftëtari me grykë të shqyer dhe i vdekur, qëndron aty vazhdon të luftojë dhe të bëjë përpara, nuk ka vdekur ai, ec përpara për përjetësinë.
Por kush do të donte kështu përveç meje E mua, le të vijë pra ai që do të ma shqyejë grykën po e pres./KultPlus.com
Kjo është një fotografi që gjendet në arkivat e Bibliotekës së Kongresit Amerikan e cila tregon për gatishmërinë e shqiptarëve, në atë kohë emigrant të rinj në SHBA, për t’i ardhur në ndihmë vendlindjes.
Sipas skedës shoqëruese fotografia mendohet të jetë realizuar në Shqipëri midis viteve 1915-1920. Në të janë përjetësuar një grup i madh shqiptaro-amerikanësh të cilët janë vullnetar të Kryqit të Kuq dhe kanë ardhur të ndihmojnë në Shqipëri.
Shqipëria e fillim shekullit të XX ishte në një emergjencë shëndetësore. Shkëputja nga Perandoria Osmane, qeveria e brishtë e sapoformuar e Ismail Qemalit, dhe nisja e Luftës së Parë Botërore ishin ngjarje zinxhir të cilat ndikuan në jetën e shqiptareve,
Dokumentet e kohës tregojnë për praninë e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe që në vitet 1914 në Shqipëri. Gjatë luftës së parë botërore 1914-1918 janë vitet kur u shfaqen në vend edhe organizmat e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të ushtrive ndërluftuese.
Ishte viti 1919 kur nisi veprimtarinë e tij humanitare në Shqipëri një mision i Kryqit të Kuq Amerikan, kryesisht në fushën e shëndetit, atë sociale dhe të arsimit. Dega e Kryqit të Kuq Shqiptar u themelua më 4 tetor 1921, por vetëm në vitin 1923 u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. / KultPlus.com
Më 4 tetor 1818, në Ribera, Sicili, Itali, lindi Françesko Krispi, kryeministri parë i Italisë me origjinë arbëreshe.
Konsiderohet si njëri nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860. Në banketin që shtroi me 25 tetor 1887 në Torino, Françesco Krispi foli për të drejtat e popujve dhe theksoi nevojën për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë, pa derdhur gjak, duke thënë se: Shqipëria nuk është sllave; është një komb që ka një personalitet të vetin, që ka gjuhë e zakone të vetat, kujtesë e origjinës pellazgjike. Shqipëria ka në vetvete të gjitha elementet për një shtet pavarur, më mirë se sa i kishte Serbia dhe Bullgaria – dhe duke i lejuar të njëjtën vetë-qeverisje, Evropa do të bënte një vepër qytetare. Në një telegram të vitit 1895 për çështjen shqiptare, Françesko Krispi tha për origjinën e tij se ai ishte “një shqiptar me gjak dhe zemër” dhe një italo-shqiptar nga Sicilia.
Në 1861 kandidoi për ekstremin e majtë në Palermo, por humbet. Megjithatë ai arrin të fitojë një vend në kuvend si përfaqësues i komunës Castelvetrano. Në këto votime u mbështet nga një mik i ngushtë sicilian, republikani Vincenzo Favara.
Krispi fitoi emërimin si anëtari më agresiv dhe më i apasionuar i partisë republikane. Por, në 1864 ai deklaroi se ishte monarkist me citatin e njohur “Monarkia na bashkoi, Republika na ndau”, të cilin e gjejmë edhe në korrespondencën që kishte me Mazzinin.
Në 1866 refuzon të bëhet pjesë e qeverisë Ricasoli. Pas shpalljes së luftës franko-prusiane në 1870 u vu kundër aleancës së mundshme në mes të Italisë dhe Francës.
Pas ardhjes të së majtës në pushtet në nëntor 1876, emërohet President i Dhomës. Në 1887, rikthehet si ministër i brendshëm në qeverinë e Agostino Depretisit dhe mbrenda vitit e zëvendëson si kryeministër, pas vdekjes se Depretisit. Në 1889, miraton kodin penal të ri të Giussepe Zanardellit që solli shumë ndryshime të rëndësishme, si lirinë e shoqatave dhe të grevës për herë të parë në Evropë si dhe heqjen e dënimit me vdekje. Në lëmin ekonomik adoptoi një politikë proteksioniste duke vendosur taksa mbi prodhimet komerciale në doganë. Përparime u bënë edhe në industri, sidomos në atë të rëndën si metalurgjia e cila nuk ekzistonte aspak në Itali.
Në 1891 Krispi largohet nga qeveria e Rudinit por pas rënies të qeverisë Giolitti nga skandali i Bankës Romana, emërohet sërish kryeministër. Këtë herë qeveria e tij sa vjen e bëhet më shumë konservator edhe autoritare, duke shtypur me dhunë revoltat e punëtorëve si dhe shkrirjen e Partisë Socialiste në 1894.
Në këtë kohë pati si sekretar personal shkrimtarin dhe diplomatin milanez Carlo Dosi.
U largua nga skena politike pas dështimit në Adua në 1896. Dalja e fundit publike është në Romë katër vjet më vonë, gjatë funeralit të mbretit Umberto I. Vdes në Napoli më 12 gusht 1901 gati tetëdhjetë vjeçar. / KultPlus.com
Të enjten, në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj u mbajt aktiviteti kulturor Ora e Shkrimtarit, i konceptuar si bisedë letrare të Avni Spahiut dhe Ibrahim Berishës.
Në këtë ngjarje kulturore të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, morën pjesë përfaqësues të jetës politike, si dhe përfaqësues të institucioneve kulturore, arsimore të Komunës së Skenderajt, pastaj nxënës, studentë, mësimdhënës, gazetarë, shkrimtarë e dashamirës të shumtë librit.
Personaliteti krijues i Avni Spahiut, i vështruar në rrafshin diplomatik, publicistik, përkthimor dhe në dimensione të tjera, u trajtua përmes kumtesave të shkrimtarëve, studiuesve dhe kritikëve letrarë, të cilët sollën mjaft shembuj interesantë për jetën dhe veprën e tij.
Në fillim të fjalës së tij, Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderaj, foli për personalitetin dhe kontributin shumëdimensional të Avni Spahiut në periudha të ndryshme kohore. Pas fjalës së tij, kryetari Nura e nderoi Avni Spahiun me mirënjohje, me motivacion: “për kontribut të çmuar shumëvjeçar për çështjen e Kosovës, si letrar, publicist dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, duke e përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze në shtetet mike”.
Në rolin e moderatorit të këtij aktiviteti, poeti Sali Bashota, paraqiti jetëshkrimin e Avni Spahiut, pastaj u ndal veçanërisht në mendimet e tij të paraqitura për Drenicën në librin “Arti i bashkëbisedimit”. Në mesin e shumë veprave të përkthyera nga Avni Spahiu, Bashota, dalloi “Nobelistët e Letërsisë”, ku përfshihet periudha e shkrimtarëve laureate nga viti 1901-2021, si dhe antologjinë “Poetë bashkëkohorë amerikanë”, në të cilën përfshihen 36 poetë më të njohur amerikanë.
Në fjalën e tij, shkrimtari Binak Kelmendi, ndër të tjera, tha: “Pas tubimit në Prishtinë, Avniu na mbledhi sot edhe në Skenderaj. Me Avniun njihem nga viti 1977. Avniu duhet të ketë qenë absolvent fakulteti kur vinte në “Rilindje”, zgjidhte foto dhe bënte tekste të shkurtra dhe shumë atraktive për ngjarjet rreth e rreth botës. Më vonë, ose saktë pas një viti, ai filloi punën e rregullt gazetar në “Rilindje”. Unë pnoja në rubrikën e Politikës së Jashtme në “Rilindje” dhe edhe Avniu ia nisi shumë herët punës në këtë rubrikë”.
Duke i evokuar kujtimet e tij, të ndërlidhura me bashkëpunimin me Avni Spahiun, Kelmendi në vazhdim tha se “Avniu një ditë dezertoi nga gazetaria dhe publicistika. Dezertoi po them në thonjëza, sepse Avniu nga gazetaria kaloi në diplomaci. Më duket se gazetaria dhe diplomacia kanë ca gjëra të përbashkëta. Ndoshta kjo, por edhe përgatitja e tij e gjithanshme ka ndikuar që Avniu edhe në këtë fushë, sikur dhe në fusha të tjera paraprake, shkëlqeu me përkushtimin dhe me seriozitetin e vet kudo dhe kurdo. Kudo që shërbeu, Avniu mbrojti fuqishëm interesat e kombit tonë dhe të Kosovës”.
Shkrimtari Ibrahim Berisha paraqiti një kumtesë mjaft përmbledhëse, duke theksuar, ndër të tjera, kontributin e shumë personaliteteve të Drenicës, si: Hasan Prishtina, Ahmet Gashi, Luan Gashi etj.
Në kumtesën e tij, Berisha portretizoi personalitetin e Avni Spahiut, duke thënë: “Lexues kureshtar që në fëmijëri, ndërtues ëndrre apo më mirë thënë edhe aventure për të shkuar në shkollë në SHBA, pastaj gazetar, rikthim në SHB sërish tash si si korrespondent, po në SHBA. E dini çka bleu Avniu me paratë e kursyera katër vjet si korespondent në SHBA? Bleu tokën e gjyshit që e kishin marrë me dhunë shteti dhe kolonistët serbë. Aty sot ka ndërtuar një shtëpi duke dhënë mesazhin e vazhdimësisë dhe vlerësimit për vuajtjen edhe të brezave të familjes, sikur edhe të të gjitha familjeve drenicase”.
Më tutje, Ibrahim Berisha, duke i dalluar mendimet e Avni Spahiut në librin e Sali Bashotës “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes), tha se: “shprehjet, konceptet kulturore, letrare, estetike, diplomatike, varësisht prej përmbajtjes së temës për të cilën flitet, janë të ndërtuara qartë, të pasura, precize, profesionale, etike, këto vlera që ishin përcaktues i përhershëm i shkrimit dhe komunikimit publik të Avniu Spahiut. Prandaj, vështirë të gjesh një intelektual, i cili 50 vjet krijon, dhe të komunikojë intensivisht me këtë kod përgjegjësie gjuhësore. Avniu vazhdon të krijojë. Sa herë bisedohet dhe bashkëbisedohet, tema e parë e tij është puna”.
Në fjalën e saj, poetja dhe drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, Naime Beqiraj, rikujtoi çaste interesante të leximeve të para të shkrimeve publicistike dhe përkthimore të Avni Spahiut, duke e dalluar vlerën e tyre letrare dhe estetike.
Kryetari i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina, foli për personalitetin diplomatik të Avni Spahiut, veçanërisht për kontributin e tij në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Gjithashtu, në këtë aktivitet, Avni Spahiu, u nderua me mirënjohje edhe nga Xhafer Murtezaj.
Duke shprehur falënderimin e tij të veçantë për organizimin e këtij aktiviteti në Skënderaj, Avni Spahiu, i përmendi disa nga ngjarjet dhe protagonistët e rëndësishëm gjatë veprimtarisë së tij krijuese, publicistike, diplomatike brenda dhe jashtë vendit.
Në fund anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës, i dhuruan Bibliotekës së Skenderaj disa nga veprat e tyre si dhe botime të PEN Qendrës së Kosovës.
Projekti Ora e Shkrimtarit, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com
Një udhëtim në të kaluarën tonë të lashtë është bërë i mundur përmes monografisë “Varreza Tumulare e Dollcit”, botim i autorëve Premtim Alaj, Sedat Baraliu dhe Bardhyl Rexhepi, libër ky i cili u promovua dje, bën të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky libër sjell në dritë historinë e periudhës së Dardanëve në rajonin e Dollcit, Komuna e Klinës, duke thelluar njohuritë tona mbi trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike të Kosovës, veçanërisht duke hulumtuar traditën e nekropoleve të lashtësisë.
Në promovimin që u organizua nga Instituti Arkeologjik i Kosovëse morën pjesë njohës të trashëgimisë kulturore, arkeologë dhe studies.
Recensentët Shafi Gashi dhe Michael Galaty në fjalën e tyre ndanë pikëpamjet mbi vlerat e monografisë, ndërsa këshilltarja e ministrit Çeku, Nora Arapi-Krasniqi, përmendi përkushtimin e MKRS-së për të mbështetur arkeologjinë e vendit tonë.
Ndërsa u.d drejtori i IAK, Milot Berisha, foli për rëndësinë e këtij botimi për të pasuruar mozaikun e historisë sonë të lashtë. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti së fundmi ka takuar Adam Michnik, të burgosurin politik polak (tejet i njohur) i cili pastaj u bë intelektual publik evropian (edhe më i famshëm), përcjell KultPlus.
Sipas tij, ai ka treguar se ai fliste me admirim për Ismail Kadarenë dhe Fatos Lubonjën, por edhe për polemikën e tyre me njëri-tjetrin.”Evokon përplot mbresa takimet me Adem Demaçin e Veton Surroin, dhe pyet për Kosovën sot…”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri tutje i ka treguar edhe për përkthimet në shqip të shkrimtarëve nobelistë polakë, Czesław Miłosz, Wisława Szymborska e Olga Tokarczuk, dhe e ka ftuar që të rikthehet për një ligjëratë në Prishtinë.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Teksa ngjitemi shkallëve na paralajmëruan që ai pi shumë duhan. Ishte njëlloj kërkim faljeje paraprake për neve shoqëruar me brengë e dhembshuri për të.
Adam Michnik, nga një i burgosur politik polak (tejet i njohur) u bë intelektual publik evropian (edhe më i famshëm). I tillë është edhe sot, në moshën gati 78 vjeçare, me mendje të mprehtë e kujtesë të gjerë, kritik dhe produktiv, me humor të hollë trashëgimi e situatave të burgut e disidencës. Në fillim të bisedës, tregon se kur ka vizituar Prishtinën para shumë viteve, në një rast teksa po mbante fjalim në frëngjisht para një grupi polakësh, përkthimi ishte në shqip dhe ata s’kuptuan asgjë.
Vështirë të ketë një të dytë sikur Michnik që respektohet kaq shumë si prej atyre që pajtohen njësoj edhe prej atyre që s’pajtohen me të.
Dija mbi historinë dhe talenti për letërsinë, përvoja jetësore në sisteme të ndryshme shtetërore, janë fort të vlefshme sa të pazëvendësueshme për vrojtimet që bën e shpjegimet që jep, nga raporti i Bashkimit Evropian me demokracinë, te agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe sfidat e njerëzimit në botë.
Flet me admirim për Ismail Kadarenë dhe Fatos Lubonjën, por edhe për polemikën e tyre me njëri-tjetrin. Evokon përplot mbresa takimet me Adem Demaçin e Veton Surroin, dhe pyet për Kosovën sot…
I tregova edhe për përkthimet në shqip të shkrimtarëve nobelistë polakë, Czesław Miłosz, Wisława Szymborska e Olga Tokarczuk, dhe e ftova të rikthehet për një ligjëratë në Prishtinë ku padyshim se do ta zgjidhim problemin e përkthimit.
Adam Michnik, stoik si qytetar dhe liberal në shoqëri: “mund të jetë i burgosur edhe nga fashizmi, edhe nga komunizmi, por jo nga frika”.
Shtëllunga e tymit të cigares që nuk fiket ia mbështjell kokën e thinjur. Por fjalët që thotë dhe sytë që i shëndrrisin e zhbirojnë edhe atë. Shkallëve teposhtë te Gazeta Wyborcza futa dorën në xhepin e sakos, thua se edhe unë po kërkoja një shkrepëse për cigare. / KultPlus.com
Sot është përvjetori i lindjes i Françesco Krispit (4 tetor 1818) arbëresh, atdhetar italian, luftëtar për të drejtat shoqërore dhe burrështetas i njohur.
Ishte ndër protagonistët kryesorë të Rilindjes italiane dhe një mik i ngushtë e mbështetës i Giuzeppe Mazzinos dhe Giuzeppe Garibaldit. Konsiderohet si njëri nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860.
U lind në një familje arbëreshe në Robera të Sicilisë. Kreu seminarin greko-shqiptar të Palermos ku edhe u diplomua. Crispi ishte Kryeministër i Italisë për gjashtë vjet, nga 1887 deri në 1891 dhe përsëri nga 1893 deri në 1896; ai ishte kryeministri i parë i Italisë Jugore. Crispi ishte i njohur ndërkombëtarisht. Fillimisht ishte një atdhetar italian i ndritur dhe liberal demokrat vazhdoi të bëhej një kryeministër i zjarrtë autoritar. Karriera e tij përfundoi mes polemikave dhe dështimeve: ai u përfshi në një skandal të madh bankar dhe ra nga pushteti në 1896 pas humbjes shkatërruese të Betejës së Adva, e cila ndikoi ambiciet koloniale të Italisë mbi Etiopinë. Vdiq më 12 gusht të vitit 1901./ KultPlus.com
Dita Botërore e Kafshëve festohet çdo vit në datën 4 tetor. Fillimet e saj i ka në vitin 1931 në Firence të Italisë, ku në një konventë të ekologjistëve të asaj kohe u vendos 4 tetori si dita botërore e kafshëve. Në këtë ditë në forma të ndryshme festohet jeta e kafshëve dhe ngjarje të veçanta planifikohen në të gjithë globin.
4 tetori u zgjodh si Dita Botërore e Kafshëve, pasi përkon me festën që festohet ndaj Shën Franceskos (Giovanni Francesco di Bernardone), i cili ishte një adhurues i natyrës dhe mbrojtës i kafshëve.
Në këtë ditë në të gjitha vendet organizohen takime të ndryshme, konferenca, takime me nxënës të shkollave, ku flitet rreth lidhjes dhe dashurisë që kafshët kanë për njerëzit dhe që ne duhet t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë.
Në këtë ditë kushdo që ka mundësinë dhe dëshirën të ndihmojë qendrat e birësimit të kafshëve, strehimoret e kafshëve të rrugëve, me ndihma materiale apo dhe duke dhuruar dhe diçka nga koha jonë dhe duke ndihmuar vullnetarisht me angazhime të ndryshme.
T’i duam kafshët, këto qenie të pafajshme dhe të dashura me të gjithë ne./ KultPlus.com
Mbrëmë ka filluar Festivali i Filmit Frankofon. Kjo ngjarje ka mbledhur një numër të lartë të artdashësve që kanë mbushur plot sallën e Kino Armatës, përcjell KultPlus.
Mbrëmja filloi me një fjalim hapës nga Grégoire Cuvelier, ambasador i Belgjikës në Kosovë, dhe Kushtrim Krasniqi, atashe për media dhe organizator i Festivalit të Sportit në Komitetin Olimpik të Kosovës. Pas kësaj, të pranishmit dëgjuan përvojat e Gresa Bakraqit dhe Hana Beiqit, atlete kosovare në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, në një diskutim të moderuar nga Édouard Mayoral, këshilltar për Bashkëpunim dhe Veprim Kulturor në Ambasadën e Francës në Kosovë dhe drejtor i Institutit Francez të Kosovës.
Për këtë mbrëmje të parë të Festivalit të Filmit Frankofon rreth temës “Kinnemaja i kushtohet sportit”, u shfaq filmi i shkurtër i Samir Karahodes, “Pa vend”, i ndjekur nga dokumentari i Mickawl Gamransi “Olimpike! Franca e Lojrave”. Mbrëmja përfundoi me një koktej, ku Shef Christophe kishte mundësinë të prezantonte specialitete kulinare franceze.
Festivali i Filmit Frankofon do të vazhdojë deri më 9 tetor! / KultPlus.com
Katër firma të arkitekturës nga Kosova janë të nominuar për çmimin “SHARE Architecture Awards”, që do të mbahen në Athinë, në datat 7-8 tetor. Çmimet vlerësojnë dizajne të qëndrueshme dhe që përmirësojnë komunitetin. Ky ekspozim i kalon kufijtë dhe nxit bashkëpunime dhe mundësi të reja biznesi. Me një ceremoni madhështore në Athinë, Greqi, ata nxjerrin në pah arritjet individuale dhe ndikimin në rritje të Evropës Lindore në narrativën arkitekturore globale, transmeton KultPlus.
Në total, janë tetë projekte, dhe secili është më interesant dhe më i guximshëm se i fundit.
Më poshtë gjeni projektet e nominuara:
1. Maden Group, i hapur në vitin 2009, i ofron arkitekturës së Kosovës një studio unike, që jep rehati, përhap energji miqësore dhe punon me kreativitet. Ka jo më pak se katër projekte të nominuara në kategori të ndryshme:
AMC Multimedia, një godinë që shërben për evente të ndryshme multikulturore, skenografi, ambiente xhirimi dhe administrim, karakterizohet nga një stil brutalist, duke përdorur materiale të karakterizuara për vendin si betoni dhe blloku i baltës.
Një tjetër projekt, Noya, sipas fjalëve të tyre, është “një kryevepër e ndërthurjes së kuzhinës dhe dizajnit që me krenari e sollën në jetë në katin e 21-të në zemër të Prishtinës”.
Duplex Futura, projekti i tyre i tretë, veçohet në përdorimin inovativ të materialit material elastik në jastëkë si mbulesë për muret.
Dhija e kuqe është një shtëpi me formë trekëndore me anët e shkurtra pa hapje dhe brinja diagonale e cila zgjatet për së gjati merr dritën maksimale nga lindja në perëndim dhe i jep çdo hapësire jetese të njëjtën pamje.
2. Studio ARTEC. Ekspertiza e studios përfshin një gamë të gjerë projektesh, duke përfshirë kryeveprat e banimit, dizajnet e brendshme dhe hapësirat publike të gjalla. Projekti i tyre është ‘Pristine Original’: Ne donim një ngjyrë portokalli të verdhë. Ka një dizajn unik dhe të mrekullueshëm, kryesisht duke shfaqur një skemë ngjyrash të verdha të ndezura.
Studio ARTEC ka edhe një projekt të quajtur Buzuku I dhe konkurron në kategorinë ‘Tregtare – Shitje’ me pakicë. Buzuku I është një librari e krijuar për të kundërshtuar nocionin se një librari është thjesht një vend ku dikush shkon për të blerë një libër.
3. Arkitektët G+A G+A Architects është studio me seli në Aargau (Zvicër) dhe Prishtinë (Kosovë). E themeluar nga Gëzim Sadiku dhe Arbër Sadiki, firma ka ofruar me sukses shërbime arkitekturore në nivel ndërkombëtar dy dekadat e fundit.
Projekti i tyre, Xhamia në Tupalla ndodhet në rajonin malor me një komunitet të vogël mysliman. Hapësira e brendshme e ndërtesës përtej objekteve thelbësore të nevojshme për ritualet islame, është formësuar për të krijuar hapësirën universale për meditim.
4. LOKUS LOCUS është një platformë e kërkimit, dizajnit, arkitekturës dhe planifikimit, me bazë në Prishtinë, Kosovë, me profesionistë që kanë përvojë të gjerë në projekte të shkallëve të ndryshme, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Projekti i tyre, The Horizon Education Center, është një transformim i një hapësire të lirë tregtare në një qendër mësimi me kohë të pjesshme për fëmijët e shkollave fillore, të moshës 5-10 vjeç./ KultPlus.com
Në Festivalin Global të Gastronomisë Shqiptare, e cila u mbajt në Berlin, kryetari Përparim Rama ka bërë të ditur se është prezantuar ‘MASTER PLANI’ i Gollakut, para një audience ndërkombëtare prestigjioze, përcjell KultPlus.
Sipas tij, ky plan transformues synon ta kthejë Gollakun në një destinacion të veçantë për turizmin, bujqësinë dhe agroturizmin, duke e pozicionuar si një perlë të paeksploruar në rajon.
“Gjatë festivalit dy-ditor, promovuam bukuritë natyrore të Gollakut, trashëgiminë e pasur të kryeqytetit tonë dhe potencialet e mëdha për zhvillimin ekonomik dhe turistik, duke tërhequr interesin e investitorëve dhe profesionistëve nga e gjithë bota”, thuhet në njoftim.
Një moment i veçantë për Ramën, ishte takimi me Legjendat Shqiptare të Gastronomisë, Bruno Selimaj dhe Sabit Bytyqi, që përfaqësojnë më së miri traditat tona kulinare.
“Festivali, një ngjarje madhështore për shqiptarët, bashkoi shijet e pasura të kuzhinës sonë, traditat dhe potencialin e jashtëzakonshëm që kemi në fushën e turizmit, duke afirmuar fuqishëm rolin dhe vlerat tona në skenën ndërkombëtare”, thuhet në fund të njoftimt. / KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se ditën e djeshme ekipet e tyre kanë marrë 16 mostra nga një zonë që furunizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, pas njoftimit për ngritje të vlerave të manganit, ku prej tyre 15 kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar manganit.
Nga IKSHP kanë rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret vetëm për higjienë personale dhe ambientale.
Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.
“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.
Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.
Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:
Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;
Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;
Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;
Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;
Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;
Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
“IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në fund të njoftimit.
Me një situatë të tillë, Kosova është përballur edhe vitin e kaluar.
Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.
Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç./ KultPlus.com
Prishtina International Vocal Festival ka nisur rrugëtimin e tij në vitin 2018, duke sjellë për çdo edicion emra të njohur botërorë, si dhe duke promovuar muzikën shqiptare dhe kompozitorët vendas. Që nga fillimi, festivali ka pasuruar skenën e muzikës vokale me koncerte, masterclass-e, panele diskutimi dhe konkurse për kompozitorë të rinj. Në skenën e festivalit kanë performuar artistë dhe ansamble të njohura, si The King’s Singers, Swingle Singers, The Gesualdo Six, Kori i Filarmonisë së Kosovës, dhe shumë të tjerë, përcjell KultPlus.
Edicioni i 7-të, që mbahet nga 14 deri më 20 tetor 2024, sjell një program të pasur me koncerte dhe aktivitete artistike.
Disa nga ngjarjet kryesore përfshijnë:
14.10.2024: “Eternal Echoe” nga sopranoja Adelina Palooja, shoqëruar nga pianistja Lirika Pula Kasapolli dhe kuarteti harkor Amati, në mbështetje të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
16.10.2024: “Opera Night” me premierën e operës “King Lear”, kompozuar dhe drejtuar nga Zoe Hippius, operë në dy akte për solistë, orkestër virtuale me elemente të një rrjeti nervor, me solistët: -King Lear – Ismet Vejseli, tenor -Cordelia – Elonë Sadiku, soprano -Goneril – Dea Xhemaili, mezzosoprano -Regan – Elona Alshiqi, soprano -Earl of Kent – Harris Bajraktari, bariton -Earl of Gloucester – Shinasi Ramadani, bariton -Edgar – Rizah Jahaj, tenor -Edmund – Rigon Begolli, bariton -Duke of Albany & Duke of Cornwall – Lurni Krasniqi, aktor
18.10.2024: “Young Generation”, koncert me zëra të rinj nga masterclass-i i maestro Raúl Giménez.
19.10.2024: “There is someone on earth” nga mexosopranoja Albane Carrere nga Franca, e shoqëruar nga pianistI Andi Duraku dhe violonçelistja Donjeta Cërmjani.
20.10.2024: “12 Months”, përmbyllja me korin ProArs nga Maqedonia e Veriut, i udhëhequr nga dirigjenti Sasho Tatarchevski.
Të gjitha koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com
Komediani që mori nofkën “Fytyra e madhe prej guri” (“Great Stone Face”), në ‘ekranin e heshtur’, ishte mjaft i njohur për shprehjet e tij mbresëlënëse dhe komedinë e tij imagjinatave, transmeton KultPlus.
Joseph Frank Keaton, i njohur me emrin e tij të skenës Buster Keaton, ka lindur më 4 tetor 1895, Piqua, Kansas, SHBA dhe vdiq më 1 shkurt 1966, Woodland Hills, California.
Ai ishte një aktor amerikan, komedian, regjisor filmi, producent, skenarist dhe interpretues mjaft i dashur për publikun. Ai është më i njohur për filmat e tij të heshtur, në të cilët marka e tij tregtare ishte komedia fizike me një shprehje stoike të vazhdueshme, e cila i dha atij pseudonimin “Fytyra e madhe prej guri”.
Më 23 korrik 1926, një nga aktorët më të famshëm në botë qëndroi nervoz pranë një lumi në zonën rurale të Oregonit, gati për të xhiruar një skenë që do të ndryshonte rrjedhën e karrierës së tij si komedian. Puna e palodhshme e gjeniut të komedisë, 30-vjeçari, Buster Keaton, e kishin vënë atë tashmë pranë legjendave si Charlie Chaplin dhe Harold Lloyd. Qëllimi i tij ishte të xhironte skenën kryesore në ‘The General’, një film komedi-romancë-aksion i bazuar në një ngjaje të vërtetë nga Lufta Civile.
Kah fundi i jetës së tij, ai kishte më shumë punë sesa mund të përballonte, duke u shfaqur në gjithçka nga ‘It’s a Mad, Mad, Mad, Mad World’ (1963), ‘Beach Blanket Bingo’(1965), ‘A Funny Thing Happened on the Way to the Forum’ (1966) që ishte edhe filmi i tij i fundit.
‘It’s a Mad, Mad, Mad, Mad World’ i publikuar në vitin 1963, shfaq një kast të yjeve të aktorëve komikë të drejtuar nga Stanley Kramer, i cili ishte i njohur kryesisht për dramat e tij që trajtonin tema të diskutueshme.
Në 1959 ai u nderua me çmimin ‘Academy Award’. Katër muaj para vdekjes së tij, ai mori një ovacion pesë-minutësh-më i gjati i regjistruar ndonjëherë në ‘Festivalin e Filmit në Venecia’. Autobiografia e tij, ‘My Wonderful World of Slapstick’, (e shkruar me Charles Samuels), u botua në 1960.
Keaton vdiq nga kanceri në mushkëri më 1 shkurt 1966, në moshën 70 vjeç, në Woodland Hills, California. / KultPlus.com
Së shpejti vjen shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”, një nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë. E krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, përcjell KultPlus.
Shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” është shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Nezirajt. Në shfaqje luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala.
“Të gjashtët kundër Turqisë” do të ipet në Teatrin Oda, premierë më 16 tetor.
Rreth shfaqjes:
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin se ata gjoja përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje nga një njeri i vetëm. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.
E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, “Të gjashtët kundër Turqisë”, përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?
“Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufinjve. Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek procesi i provave nuk ka qenë i lehtë./ KultPlus.com
Rembrandti apo me emrin e plotë Rembrandt Harmenszoon van Rijn, i lindur më 15 korrik 1606 në Leiden, Holandë, ishte piktor holandez, i konsideruar si një nga tregimtarët më të mëdhenj në historinë e artit, me aftësi të jashtëzakonshme për t’i paraqitur njerëzit në disponimet e tyre të ndryshme, sipas Enciklopedisë Britanike.
Rembrandt njihet gjithashtu si një piktor i dritës dhe hijes dhe si një artist që favorizonte një realizëm të pakompromis që do t’i shtynte disa kritikë të pretendonin se ai preferonte më shumë të shëmtuarën sesa të bukurën.
Në fillim të karrierës së tij, Rembrandti pikturoi kryesisht portrete. Përafërsisht një e dhjeta e veprës së tij të pikturuar dhe të gdhendur përbëhet nga studime të fytyrës së tij, si dhe autoportrete më formale, një fakt që ka çuar në shumë spekulime.
Thelbi i veprës së Rembrandt-it, megjithatë, përbëhet nga pjesë historie biblike dhe në një masë shumë më të vogël historike, mitologjike dhe alegorike, të cilat ai i pikturoi, gdhendi ose skicoi me laps, bojë ose shkumës.
Ndryshimet në stilin e Rembrandt janë të jashtëzakonshme.
Qasja e tij ndaj kompozicionit dhe përkthimi i tij i hapësirës dhe dritës, formës dhe ngjyrës, penelata dhe trajtimi i vijës dhe tonit i nënshtrohen gradualisht transformimit, qoftë edhe brenda një vepre të vetme.
Gravurat e tij të pazakonta i sollën famë ndërkombëtare gjatë jetës dhe vizatimet, që në fakt u bënë si ushtrime praktike ose si studime për vepra të tjera, u mblodhën gjithashtu nga artdashësit bashkëkohorë.
Sipas mitit që evoluoi pas vdekjes së tij, Rembrandt vdiq i varfër dhe i keqkuptuar.
Është e vërtetë se në fund të jetës së tij realizmi i tij ishte zëvendësuar nga klasicizmi.
Megjithatë, reputacioni i tij ndërkombëtar midis njohësve dhe koleksionistëve vetëm sa vazhdoi të rritet.
Disa artistë në Gjermani dhe Venecia, gjatë shekullit XVIII, adoptuan stilin e tij.
Ai u nderua gjatë epokës romantike dhe u konsiderua si një pararendës i lëvizjes romantike.
Që nga ajo pikë ai u konsiderua si një nga figurat më të mëdha në historinë e artit.
Rembrandt vdiq më 4 tetor të vitit 1669 në Amsterdam. /KultPlus.com
Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024 në qytetin e gurtë.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “nga janari deri në fund të shtatorit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj, të cilët kanë treguar interes për këtë muze, që funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që është ndërtuar në fillim të viteve ’70”.
“Në periudhën 1 janar – 30 shtator 2024 ky muze u vizitua nga 53.638 turistë, ku përqindja më e madhe janë turistë të huaj si spanjollë, italianë, francezë, belgë, holandezë etj.”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.
Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona më e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e turistëve që vizitojnë Gjirokastrën.
Turistët tërhiqen nga historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, si dhe mënyra e ndërtimit të muzeut dhe objektet autentike që ndodhen brenda tij.
Në vizitat e tyre në muze nuk mungojnë as fotografitë e shkrepura në mjediset e muzeut, të cilat i ruajnë si kujtim nga vizita në muze.
Një nga mjediset ku turistët shfaqin më shumë interes është edhe salla e konferencave, e cila ishte përdorur për të organizuar mbledhjet e kohës si dhe për të diskutuar rreth objektivave të shtetit.
Tuneli ku ndodhet muzeu është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë hapësirash, të cilat do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj./KultPlus.com