Udhëtimi mund të jetë i shtrenjtë, por nëse zgjidhni destinacionin tuaj me kujdes, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike ‘Restless”.
Ka shumë vende të mrekullueshme me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.
Si një nga kontinentet më të larmishme – nga gjuha te gjeografia te kultura – kënaqësitë dhe hijeshitë e Evropës janë të famshme në mbarë botën.
Nuk është çudi që Evropa përbën më shumë se gjysmën e të gjithë turizmit ndërkombëtar!
Ndërsa vende si Franca, Spanja dhe Italia janë disa nga destinacionet më të njohura për t’u vizituar, ato nuk janë aspak më të lirat.
Por, ju mund të shijoni pushime po aq magjike në vende të tjera evropiane, me kosto më efektive.
Nga plazhet e pacenuara me rërë të Shqiperisë te malet e thyer dhe liqenet e shndritshme të Sllovenisë – për të mos përmendur qytetet dhe qytezat e shumta të bukura në të gjithë Evropën Lindore – ky kontinent është i mbushur me vende të bukura që presin të eksplorohen me një buxhet të përballueshëm.
“Restless” e ka renditur Shqiperinë mes 12 vendeve më të lira për t’u vizituar në Evropë.
Shqipëria
E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit përgjatë shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet e ruajtura më së miri të Evropës.
Sot dyert e saj janë të hapura dhe shumë shpejt vendi do të mbipopullohet nga turistët dhe bukuritë e Shqipërisë do të bëhen më të njohura. Përpara se Shqipëria të preket nga turmat masive, zbuloni këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm dhe një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.
Vija bregdetare gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare me ujëra në ngjyrë blu të thellë dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.
Akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi janë mjaft të lira.
Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete kala, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.
Nëse jeni një adhurues i historisë, aventurave apo i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë.
Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një vend i shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga qytetet më të përballueshme në Evropë. //a.i/
Për t’ju frymëzuar, ne ju rekomandojmë 12 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë:
1. Shqipëria 2. Rumania 3. Republika Çeke 4. Mali i Zi 5. Hungaria 6. Portugalia 7. Polonia 8. Sllovakia 9. Bosnjë-Hercegovinë 10. Slloveni 11. Estonia
Një ekspozitë për të na risjelljë në vëmendje, një nga perlat e natyrës shqiptare, siç është Kelmendi, u çel në Galerinë e Arteve në Shkodër.
Janë 55 piktura të artistit Gjelosh Mitaj të frymëzuara nga bukuria e bjeshkëve të Vermoshit, Lepushës e Selcës. Piktori, besnik i natyrës me veprat e tij të kujton eposin e kreshnikeve.
Mitaj shquhet për stilin e tij të veçantë dhe detajet teksa pikturat e tij janë një promovim i mirëfilltë për një zonë me potenciale shumë të mëdha turistike.
Pjesë e ekspozitës janë edhe 15 portrete të figurave historike me origjinë nga Kelmendi i Malësisë se Madhe./ Top Channel/ KultPlus.com
“Sofra Pukjane” është një prej eventeve më të veçanta për qytetin verior, jo vetëm për të shpalosur trashëgiminë kulturore dhe historike, por edhe për të promovuar dhe mbështetur akoma më shumë zhvillimin e saj.
Edicioni i 16-të i “Sofrës Pukjane” organizuar nga kryetari Tonin Alia (Mjeshtër i Madh) në bashkëpunim me Bashkinë e Pukës, Bashkinë e Fushë-Arrëzit bëri bashkë këtë fundjavë në qytetin e Pukës, intelektualë, politikanë, biznesmenë, artistë dhe qytetarë të shumtë të ardhur edhe nga qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit ku jetojnë dhe punojnë tashmë prej disa vitesh.
Panairi i përvitshëm i produkteve bujqësore dhe blegtorale Agro-Fest organizuar në sheshin kryesor, i parapriu kësaj ngjarjeje festive për pukjanët ku u promovuan produktet bio të fermerëve si dhe punimet artizanale të vajzave dhe grave të kësaj zone.
Puka mbart pasuri të shumta natyrore dhe vitet e fundit është kthyer në një destinacion të vërtetë turistik falë edhe investimeve të pushtetit qendror dhe vendor, por për komunitetin e biznesit pukjan për Pukën mund të bëhet akoma më shumë.
Kryetari i “Sofrës Pukjane”, Tonin Alia thekson se ky event ka për qëllim zhvillimin më tej të vendlindjes së tyre dhe si një ftesë për të gjithë ata që janë larguar të mund të rikthehen për të investuar në turizëm nëpërmjet ringritjes së kullave të trashëguara nga të parët dhe ndërtimin e bujtinave.
“Qëllimi i Sofrës Pukjane është bashkimi i biznesmenëve pukjanë në harmoni me njëri-tjetrin duke grumbulluar disa kontribute dhe për të ndihmuar Pukën dhe pukjanët. Ne po arrijmë në një fazë që të mundësojmë që njerëzit të kthehen këtu. Kanë filluar ndërtimet e shtëpive turistike, lokaleve dhe shumë veprave që nxisin njerëzit të kthehen dhe të kalojnë një turizëm një ditor e deri një javor”, thekson Alia.
Përfaqësuesit e “Sofrës Pukjane të cilët kanë si qëllim forcimin e harmonisë midis biznesmenëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Pukës dhe zonave për rreth për nxitjen e biznesit vendas u takuan edhe me kryetari i Bashkisë Pukë Rrok Dodaj ku shprehën angazhimin për të vijuar investimet në agroturizëm.
Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj është shprehur se do të krijojnë mundësi duke i hapur dyert për të gjithë për t’u rikthyer dhe investuar në vendlindjen e tyre. “Duke u krijuar kushtet do të afrojmë biznesin privat me qëllim që ai të jetë një themel i fortë për zhvillimin ekonomik të Pukës”, ka nënvizuar Dodaj.
Programi i pasur artistiko-kulturor i Sofrës Pukjanë”, mbajtur në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti” përcolli emocione te të pranishmit ku u shpalosën këngë dhe valle tradicionale të rrethit nën interpretimin jo vetëm të këngëtarëve me emër të Pukës, por edhe të brezit të ri të cilët po e trashëgojnë brez pas brezi këtë pasuri kulturore dhe historike që Puka mbart./atsh/ KultPlus.com
Një trupë teatrore nga Korça do të ndërmarrë një tour në SHBA me komedinë “Nuse vetëm për letra”. Shfaqja e Leka Bungos e cila u ngjit në skenën e teatrit të Korçës dy vite më parë vendos në qendër fenomenin e martesave fiktive, që bazohen në marrëdhënie interesi ku emigrantët shihen si një mundësi për të siguruar dokumente për të qëndruar në SHBA.
“Nuse vetëm për letra” do të interpretohet nga artistët korçarë në disa skena në bregun lindor të amerikës duke shënuar kështu herën e parë që një trupë teatrore shqiptare shkon përtej kontinentit me një shfaqje shqiptare për emigrantët.
Nuse vetëm për letra do të jetë në New York në datat 11,12 dhe 13 tetor e më pas më 18 tetor në Uster dhe më 19 tetor në Boston për ta përmbyllur këtë tur më 20 tetor në Kenerike.
Zamira Kita tregon se emigrantët po e presin me padurim këtë eveniment. Edhe pse është hera e parë që një trupë teatrore arrin të shkojë deri në SHBA, duket se rrugëtimi do të jetë i gjatë pasi synimi është që vitin tjetër të shkohet me shfaqjen Karnavalet e Korçës/ Top Channel/ KultPlus.com
Robin Lane Fox (1946) është profesor emeritus në New College të Oxfordit. Veprat e tij më të njohura – për të cilat ka fituar çmime të shumta, përfshirë James Tait Black Award, Duff Cooper Prize, Heinemann Award dhe Runciman Award – përfshijnë studimin ‘Alexander the Great’, ‘Ancient Macedon’, ‘Late Antiquity’, ‘Christianity and Paganism’, ‘Bible and history’, ‘Greek Dark Ages’.
TURPI DHE LAVDIA
Nga Robin Lane Fox
Dhuna bëhet luftë kur realizohet në një shkallë të gjerë nga një entitet politik kundër një tjetri. Fushata e Trojës pra mund të përkufizohet si e tillë, edhe pse një pjesë e ushtrisë greke vinte nga territoret që nuk bënin pjesë në mbretërinë e Agamemnonit dhe merrte pjesë në atë ndërmarrje për arsye të lidhura me ambiciet e udhëheqësve dhe raportet e tyre personale. Paraqitja e heronjve si banditë të thjeshtë, një pikëpamje e shprehur për herë të parë nga Emil Zola, ose tamam si mafiozë që vetëpërkufizohen «burra të nderit», është jashtë teme. Heronjtë janë luftëtarë dhe fisnikë autentikë, jo keqbërës që kufizohen t’i imitojnë si majmuni idetë e rangut dhe shkelqësisë së një kulture aristokratike bukur larg asaj që ata janë. Grekët nuk janë banditë gjakatarë, të ardhur nga deti për të turbulluar jetën paqesore të trojanëve të shkretë. Ajo që i ka sjellë dhe i mban në ato vende është diçka më shumë se sa forca.
«Çka mund t’ia ndiejë Odiseut për Helenën?», pyetej Simone Weil. «Çka mund t’ia ndiejë për vetë Trojën, pasuritë e shumta të së cilës sido që të jetë nuk do ta kompensojnë rrënimin e Itakës», mbretërinë e Odiseut, të cilën, pas kthimit, heroi do ta gjejë përnjëmend në rrënim? Homeri nuk na thotë asgjë eksplicite për të na ndihmuar që të përgjigjemi në këtë pyetje, e cila, në kohët e tij, nuk ishte e domosdoshme të parashtrohej, por së cilës sidoqoftë mund të përpiqemi t’ia gjajmë një përgjigje. Njëra prej arsyeve që i shtynë grekët dhe aleatët e tyre të shkonin në Trojë ishte plaçka e pasur që shpresonin të përfitonin, por nuk duhet të nënvlerësohet rëndësia e dëshirës për të fituar famë dhe lavdi: do të kishte me qenë e turpshme për ta të mos i bashkoheshin asaj ekspedite të madhe, në të cilën merrnin pjesë shumë fisnikë të tjerë, mbi të gjitha për fëmijët dhe nipërit e heronjve të bërë të famshëm falë ndërmarrjeve të kryera gjatë luftërave të bëra larg atdheut. Heronjtë shpesh thonë se nuk duan të jenë më të vegjël se etërit dhe parardhësit e tyre.
Është e pavend po ashtu edhe t’i idealizosh trojanët si viktima të shkreta të pafajshme. Kishte qenë trojani Paridi ai që ia kishte rrëmbyer nusen dhe një thesat të mirë fisnikut Menelau, vëllait të mbretit Agamamemnon, i cili e kishte mirëpritur në shtëpinë e tij me të gjitha nderet që i takojnë një mysafiri. Me të arritur te Troja, komandantët grekë dërguan në oborrin e Priamit dy ambasadorë për t’u përpjekur ta kthejnë paqësisht Helenën, por një këshilltar i mbretit përkundrazi propozoi t’i vrisnin në vend. Në librin e tretë të Iliadës thuhet se të dy ushtritë dolën anash që t’i lejonin Paridin dhe Menelaun në dyluftonin. Kishin rënë në ujdi për një armpushim me një betim solemn që parashikonte dënime të tmerrshme për këdo që do të guxonte ta thyente, por kur përleshja mes tyre ksihte përfunduar me asgjë fare, ujdia ishte prishur nga trojani Pandari. Në librin e shtatë kallëzohet se një duel tjetër, ai mes Hektorit dhe Ajaksit, kishte përfunduar pa fitues pasi që të dy ishin ndarë nga heraldët. Në Trojë, gjatë një «asambleje… të tmerrshme, të trazuar», urtaku Antenori, i shoqi i priftëreshes Teana, u propozoi trojanëve t’ua kthenin bijve të Atreut Helenën dhe të gjithë të mirat që ua kishte marrë Paridi, me këto fjalë: «Po luftojmë duke i shkelur marrëveshjet». Paridi ia ktheu duke u treguar i gatshëm t’ua kthente pasuritë e vjedhura, bile edhe «të shtonte ca nga të vetat», por refuzoi kategorikisht idenë që të hiqte dorë nga Helena. Pasi që ishte aprovuar nga mbreti Priami, propozimi u ishte dërguar grekëve, që e dëgjuan «pa bërë zë, në heshtje», derisa i riu Diomedi nuk vendosi të sulej me të tijën. Lypsej të refuzoheshin pasuritë e Paridit, madje edhe Helena, tha, ngase «është e qartë edhe për një fëmijë se mbi kokat e trojanëve ka rënë fati i vdekjes». Siç bën vaki shpesh në luftë, mbizotëroi tendeca e eskalimit: «Kështu tha dhe të gjithë grekët brohoritën, duke e tumirur fjalimin e Diomedit, i shkathtë në ngasjen e kuajve». Plaçkitja e Trojës u bë objektivi më i vogël i luftës, që domosdoshmërisht do të kishte çuar në vdekje të gjithë meshkujt e qytetit, përfshirë fëmijët, dhe në skllavërimin e vajzave dhe grave, një praktikë e zakonshme në Greqi.
Po pse atëherë aq shumë heronj të aq shumë vendve të ndryshme luftonin përkrah trojanëve? E dimë se merrnin dhurata dhe ushqim me bollëk, por kishte edhe më shumë. Në një fjalim me nam të librit të dymbëdhjetë, një aleat i Trojës, likani Sarpedoni, pyet shokun e armëve, Glaukun, pse sipas tij në atdhe i nderonin të gjithë, duke ua dhënë gjithmonë «vendin e nderit, mish dhe kupa të mbushura, dhe të gjithë na konsiderojnë si zota?». Për këtë arsye, përgjigjet ai vetë, duhet të luftojnë në vijen e parë, që luftëtarët e tjerë likeanë të mund të thonë: «Nuk janë të palavdishëm mbretërit tonë që e qeverisin Likian dhe hanë dele të majme dhe pinë verë të zgjedhur, të ëmbël si mjalti». Në shekullin XIII p.e.s. dëgjuesit e Homerit kështu i shihnin aristokratët që i qeverisnin: ishin më të vlefshmit në betejë, prandaj ishte e drejtë që të ishin të parët në gjithçka tjetër. Saperdoni ia rikujton Glaukut se «duhet» të luftojnë në vijen e parë, jo pse i obligon ndonjë kontratë shoqërore ta bëjnë në këmbim të ndereve që i gëzojnë, por për ta siguruar lavdinë, ose të paktën për të shmangur turpin përballë të tjerëve pse s’janë munduar ta bëjnë këtë. Megjithatë kjo nuk e shpjegon pse likianët duhej të angazhoheshin në një luftë që luftohej kaq larg vendit të tyre. Po të binte Troja, grekët do të niseshin të ktheheshin në atdhe: do ta shkatërronin Trojën, pa u munduar ta kolonizojnë atë zonë të Azisë së Vogël. Likia, pra, nuk ishte e kërcënuar drejtpërdrejt.
Ssaperdoni bën një vrejtje të dytë, logjika e së cilës është e lidhur me këtu dhe tash. Nëse duk eikur nga ajo betejë ai dhe Glauku do të kishin jetuar përgjithmonë, imunë ndaj vdekjes dhe pleqërisë, ai vetë nuk do të kishte dashur të luftonte në vijen e parë, as nuk do ta kishte shtyrë shokun «drejt luftës së lavdishme»:
«Po përreth nesh janë përherë të shumtë në numër
perëndeshat e vdekjes, të cilës ne vdekatarët s’mund t’i bëjmë bisht.
Hajt të shkojmë: ose ne do t’ia japim lavdinë armikut, ose ai neve».
Edhe në këtë shtytje dramatike hyn në lojë lavdia. Për një vdekatar është një objektiv i pashmangshëm, është duke i thënë Saperdoni Glaukut në fushën e betejës: realiteti i ashpër është se qeniet njerëzore janë të destinuara gjithsesi të vdesin, prandaj edhe ashtu ia vlen të jetohet. Megjithatë, nëse dy miqtë do të kishin vendosur të niseshin nga Troja për t’u kthyer në atdhe, perëndeshat e vdekjes s’do të kishin qenë aq të shumta përreth tyre. Në vrullin e momentit, Saperdoni e harron një pikë kruciale: si aleatë të Priamit, të ardhur në Trojë për t’i dalë në ndihmë, s’do të mund t’i bënin bisht luftës pa u mbuluar me marre. Katër libra më pas, Saperdoni do të vdesë nga dora e Patroklit.
Vendimet dhe sjellja e heronjve janë në mënyrë të vazhdueshme të kushtëzuara nga frika e turpit. Në një studim brilant, të ngjizur në vitin 1947, Eric Dodds ka pohuar se kultura e heronjve të Homerit nuk është kulturë e fajit, përkundrazi e turpit. Që nga atëherë është diskutuar gjatë rreth këtij koncepti, duke arritur në përfundimin se, siç tashmë kishte vërejtur Dodds, termi më i përdorur në këtë kuptim, aidōs, nuk mund t’i mbivihet përherë idesë sonë të turpit. Aidōs mund të tregojë edhe cipë ose respekt: mund ta shtyjë nj komandant të mos e vrasë armikun që e lut t’ia kursejë jetën. Në përgjithësi prodhon efektin e shkurajimit të dikujt që të shqiptojë një fjalë a të bëjë një veprim. Nuk është i zotuar si barasvlerës i «ndjenjës së turpit» për diçka që është bërë: ky lloj i fundit të turpit është evokuar edhe në Iliadë, por me një seri tjetër termash, si, për shembull, aischron, «marre» dhe aischynē, «ndjenjë çnderimi».
Ideja e turpit dallohet nga ajo e fajit për dy arsye shpesh të nënvlerësuara. Jo pse, siç thuhet zakonisht, faji është reaksion intim, i brendshëm, ndërsa turpi lind gjithmonë nga veprimet e të tjerëve: mund të turpërohemi nga vetvetja në brendinë tonë më intime ose duke përfytyruar se çka do të mendonte për ne një vëzhgues hipotetik. Dallimi kryesor qëndron në faktin se mund të ndiejmë turp edhe për diçka që persona afër nesh kanë thënë ose bërë, ndërsa ndihemi fajtorë veç për atë që ne vetë kemi bërë apo thënë. Një mësimdhënës mund të turpërohet për një veprim të bërë nga një nxënës i tij, por, veç nëse s’ka qenë ai vetë t’ia sugjerojë, nuk ndihet fajtor. Një kapiten mund të turpërohet nga sjellja e një anëtari të skuadrës së vet pa u ndier në faj. Ekziston edhe një dallim në thellësinë e të qenit të përfshirë dhe në kohën e ndodhjes. Ndiejmë turp për diçka që sidoqoftë do të kemi mundësinë ta bëjmë, por që pikërisht për këtë e shmangim. Ndihemi në faj dhe kemi mendime fajësuese vetëm për diçka që e kemi menduar a bërë realisht (apo që s’kemi arritur ta bëjmë). Këto reaksione përfshijnë në mënyra të ndryshme vetëdijen e vetes. Kur ndihemi fajtorë për diçka, e pranojmë se jemi plotësisht përgjegjës. Ndërsa mund të turpërohemi edhe kur kemi ndjesinë se nuk kemi vepruar konform vetes sonë të vërtetë, apo nuk ia kemi dalë ta bëjmë më të mirën tonë.
Në të vërtetë, heronjtë homerikë tashmë i njohin këto lloje të ndryshme të turpit, të gjitha të evokuara në poemë. Thirrjet për të pasur aidōs, «kini turp për», u drejtohen heronjve nga një hero për t’i shtyrë të mbahen fort në betejë: ajo të cilës i bëhet thirrje këtu është turpi, jo faji. Libri pesëmbëdhjetë na sjell dy shembuj të shkëlqyeshëm. Fillimisht Ajaksi i nxit ushtarët grekë të jenë burra me këto fjalë: «Kini turp në zemër dhe cipë për njëri-tjetrin në përleshjet e egra», duke nënkuptuar se, nëse do të turpëroheshin duke u treguar më pak sypatrembur se të tjerët, nuk do të zmbrapseshin: «Kur burrat kanë turp, ata që dalin të gjallë janë më të shumtë se sa të vdekurit». Pak vargje më poshtë, edhe Nestori i cyt njërin pas tjetrit grekët, duke u kërkuar të mos ia mbathin me të katra para trojanëve që i sulmojnë anijet e tyre: «Miqtë e mi, bëhuni burra: kini në zemër turp nga burrat e tjerë».
Turpi po ashtu mund t’ia diktojë heroit linjën e veprimit. Në një fjalim me nam në librin e gjashtë, Hektori i thotë nusen Andromaka se nuk mund të qëndrojë i sigurt në Trojë pa ndier turp para trojanëve dhe trojaneve. Në një monolog të shkëlqyeshëm të librit të dymbëdhjetë, vetë Hektori thotë se do të kishte me qenë e turpshme nga ana e tij të hyjë prapë në Trojë pasi që ka shkaktuar nga budallallëku i tij rrënimin e ushtrisë së tij duke e urdhëruar të qëndrojë në rrafshnaltë. Tutet se mos dikush nga rangu shumë më i ulët se i tiji mund t’ia përplasë për surrati sjelljen e tij, një perspektivë e përbuzshme, që e bind përfundimisht të mos e shpëtojë veten. «Për mua shumë më mirë do të ishte të përballem me Akilin dhe të kthehem i vdekur nga dora e tij në mbrojtje të qytetit». Pra turpi, në kuptimin e «ndjenjë e turpit të», e shtyn t’i dalë ballë për ballë vdekjes: ia vlen të përmendet fakti se heroi turpërohet jo nga ajo që do të mund të thoshte një bashkëqytetar i autoritetshëm, por një person i rangut të ulët.
Një hero mund të ndiejë dhimbje nga sjellja e një tjetri dhe ajo që njerëzia thonë, ashtu siç Hektori ndien dhimbje nga sjellja e vëllait, Paridit. Evokon trishtimin që e kaplon kur i dëgjon të tjerët të flasin keq për të, por kurrë nuk thotë se turpërohet, për dallim nga ajo që do të kishim bërë ne. Tek Iliada heroi nuk i thotë kurrë dikujt tjetër: «Turpërohem nga ti dhe sjellja jote». Më tepër e akuzon se është «derëzi», siç bën Priami me fëmijët e tij derisa bëhet gati të vihet në udhë për të shkuar ta lusë Akilin, duke nënkuptuar troç se turpërohet nga ta. Në një analizë të thellë të konceptit të turpit, filozofi Bernard Williams ka vërejtur se «shprehja e turpit, qoftë në përgjithësi qoftë në formën e tij më të veçantë që është sikleti, nuk është vetëm dëshirë e skutjes apo e fshehjes së fytyrës, por edhe dëshirë e zhdukjes, e të mos qenit aty». Edhe heronjtë e Homerit shprehin këtë dëshirë: «Atëherë m’u haptë toka», thotë Agamemnoni, i vënë para perspektives së përbuzshme që të detyrohet të tërhiqet nga Troja me ushtrinë e tij, duke i lënë mundësinë ndonjë trojani të ngazëllehet mbi varrin e vëllait të tij.
«Gjërat shkojnë ndryshe kur jemi te faji», pohon Williams, «kur ndihem në faj, jam i dominuar nga mendimi se edhe nëse zhdukem ai do të më ndiqte pas». Është zor të thuhet nëse personazhet homerike e shprehin ndonjëherë këtë ndjesi. Tek Iliada nuk përdoret asnjë term që t’i referohet një koncepti të tillë, por mund të bëhet fjalë për një mungesë jo vendimtare, ngase mund të ndiejmë më shumë se sa që mund të shprehim me fjalë. Një shembull posaçërisht indikativ është ai i Helenes, që më shumë se një herë shpreh keqardhje që ka ikur me Paridin, aq sa do të parapëlqente të kishte vdekur më parë. A mëton të thotë se po ndihet në faj? Edhe Akili thotë «dua të vdes menjëherë, ngase ishte e shkruar që të mos mund t’i dilja krah shokut tim të vrarë». Megjithatë, flasim edhe për «turp për vdekje» dhe, në të vërtetë, turpi mund të çojë në vetëvrasje: Akili vazhdon duke formuluar dëshirën që mes vdekatarëve dhe zotave «të zhbëhen grindja dhe mëria», jo atë të larjes së fajit të tij, do të thotë të ketë qenë i mbërthyer nga mëria. Helena i pranon përgjegjësitë e veta, nëse jo fajet e veta, por mund të konsiderohemi fajtorë pa u ndier përnjëmend të tillë. S’shkoj me mendjen se Helena ndihet e dërrmuar nga ndjenja e fajit, jo më tepër se sa që ndihet Akili kur ndien turp nga mendimi se nuk e ka mbrojtur Patroklin.
Nga ana ime, besoj se tek Iliada ideja e fajit është munguese. Me këtë s’mëtoj të them se në shekullin VIII p.e.s. nuk njihej ndjenja e fajit. Sa u përket vlerave të heronjve, megjithatë, turpi është freni kryesor ndalues, me një specifikim të mbramë dhe të rëndësishëm. Në pjesën më të madhe të shoqërive të njohura nga ne, aristokratët nuk merakosen se çka mendojnë të tjerët për ta, bile, e heqin nga mendja plotësisht, përveç, ndoshta, kur bëhet fjalë për ata, të barabartë me ta, për të cilët ushqejnë respektin më të madh. Ndërsa heronjtë e Homerit merakosen shumë për gjykimet e të tjerëve, edhe kur ata që i formulojnë janë persona të rangut inferior me atë të tyrin.
A mos janë pra egoistë? Do të ishte gabim të shihet te turpi një reaksion egoist ose narcistik, sikurse të ishte nxitur vetëm nga preokupimi për atë që të tjerët mendojnë për ne. Turpi është i lidhur me opinionet e të tjerëve, reale a imagjinare, por bëhet një ndalim, «ndjenjë turpi për të», ose një reaksion, «të kesh frikë të», vetëm nëse këto opinione kanë të bëjnë me veprime dhe cilësi të rëndësishme për personin që turpërohet. Feniki i moçëm, tutori i Akilit, na e jep një shembull të shkëlqyeshëm në fjalimin e gjatë që, si ambasador, e mban para Akilit në librin e nëntë. «Unë vendosa atëherë ta vras», thotë duke iu referuar babait prej të cilit sapo ishte mallkuar, «me bronzin e mprehtë», por një zot e fashiti mërinë e tij duke ia kthyer në mendje «zërat e popullit dhe faqen e zezë para njerëzve, që në mesin e akejve të mos quhesha me emrin e atëvrasësit». Turpi dhe qortimi publik frenojnë impulsin atëvrasës, por vetëm ngase edhe Feniki e pranon brenda vetes peshën e aktit për të cilin do të qortohej.
A është e mundshme që në një shoqëri reale turpi të jetë shumë më i rëndësishëm se faji? Për ta demonstruar se etika e Iliadës është po ajo e ndjekur në botën reale, disa studiues kanë analizuar sistemin vleror të disa shoqërive afrikane dhe të Japonisë moderne, pra larg në distancë kohore nga ajo e Greqisë antike. Një ese i njohur i Ruth Benedictit mbi Japoninë i botuar pas luftës, Krizantema dhe shpata, i ka dhënë Doddsit idenë se poemat homerike janë fryt i një qytetërimi të turpit. Në vijim është regjistruar një profilerim i vërtetë i këtyre studimeve, thua se nderi dhe turpi qenkan vlera të rrënjosura thellë në kulturën e grupeve sociale mesdhetare dhe, posaçërisht, të Greqisë moderne. Ajo që ka rëndësi është se, pas Homerit, turpi vazhdoi të jetë një vlerë e rëndësishme në tekstet dhe në mesin e grupeve shoqërore të Greqisë antike, nga Sparta, një qytetërim tipik i turpit, tek arti dramatik, siç dëshmojnë Ajaksi dhe Filoteti i Sofokliut, apo Hipoliti dhe Ifigjenia në Aulidë të Euripidit. Më vonë turpi luajti një rol të planit të parë në tregimin që Ksenofonti shkroi për udhëtimin e tij përmes Azisë bashkë me dhjetë mijë mercenarë grekë, madje edhe në karrierën e Aleksandërit të Madh. Është një vlerë goxha e ndier edhe tek Ungjilli i tretë : «Të prashis nuk kam fuqi, të lyp, turpërohem», thotë djali plëngprishës i parabolës homonime.
Rëndësia e turpit tek Iliada nuk është vetëm sajesë poetike, që e çonte dëgjimtarin në një hiper-realitet. Zaptonte vëmendjen e dëgjuesve ngase e njihnin fuqinë e tij, ashtu siç e zapton tonën. Vlerat luftarake të heronjve, preokupimi i tyre për prestigjin e tyre dhe për kompensimet materiale dhe reaksioni i tyre ndaj turpit si sanksion priren të studiohen si ndjenja shumë të largëta nga ato të lexuesve modernë. Në të vërtetë, ende dominojnë në sektorë të tërë të jetës moderne, për shembull në botën e financës, ku menaxherët duhet të mbrohen nga avancimet armiqësore apo tuten se do të detyrohen të turpërohen kur kompensimet e tyre që i kalojnë caqet dalin në shesh, apo ata të sportit, kur një lojtar është në kundërshti me trajnerin apo skuadrën e tij. Vlerat e Iliadës nuk janë një bizaritet i largët historik. Turpi dhe fama, nderi, tërbimi dhe faqja e zezë na përfshijnë ngase e dominojnë ende jetën tonë.
/Marrë nga Robin Lane Fox, “Omero e l’Iliade”, Einaudi, 2024 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Ka shumë këngë prej Elsa Lilës, por sonte do ta kujtojmë një në veçanti.
Këngëtarja shqiptare që veçohet për vokalin e saj dhe dhembshurinë e zërit, mes shumë këngëve tjera na ka dhuruar edhe hitin “Vetëm një fjalë”
Me këngën “Vetëm një fjalë” ajo e fitoi festivalin Kënga Magjike në vitin 1999, vite këto kur ajo ishte shumë aktive në gati të gjitha festivalet muzikore në Shqipëri.
Elsa ka lindur në Tiranë në vitin 1981 ndërsa këngët tjera nga ajo nuk mbesin pas “Vetëm një fjalë”. / KultPlus.com
Një zbulim i bërë pak ditë më parë në fshatin Shënmri, afër Shëngjergjit në periferi të Tiranës ndryshon tërësisht historinë e zonës. Varreza e gjetur rastësisht nga punimet e rrugës, i përket periudhës helenistike dhe asaj arbërore.
Ndërsa hedh dritë mbi dy periudha, rëndësia është e dyfishtë” në një anë vërtetohet që zona është e banuar në periudhën helenistike, e dhënë që del qartë nga këto gërmime dhe e dyta, plotëson hartën vendbanimeve mesjetare, atyre të Arbrit duke konfirmuar vijimësinë e jetës dhe në Mesjetë, përpos Komanit apo Përmetit, edhe në zonën e Shëngjergjit.
Toponime në zonë, si Shën Marku, Shën Martini, Shën Pjetri e Shën Gjini, Bregu i Kishës, Kodra e Kishës, Gradishta apo Gradec që nënkuptojnë qytet a qytezë, që i referohen banimeve. Në periudhën e Arbrit, një varrezë me vendbanimin ishte aq larg sa i lejonte njerëzit e gjallë të shikonin se vrojtonin varrezat. “Pra kodra e varreve ku jemi, duhet të ketë një distancë të konsiderueshme, por që gjithmonë shihet me sy nga banorët. Kjo zonë do të na tregojë lidhjen me prapatokën e Tiranës e më tej”.
Arkeologu që ka ndjekur gërmimet në zonë, Mariglen Meshini, thotë se gjetja është e papritur. “Është i jashtëzakonshëm e identifikohen objekte të kulturës arbërore. Në zonën e Shëngjergjit është hera e parë. Inventari mortor, na jep të dhëna mbi atë kohë. Janë shekujt 7-11 të erës sonë, kultura arbërore që plotëson të dhënat për Arbërit në Mesjetën e hershme. Varreza ka një kohështrirje nga shek 4 para erës sonë deri në shekullin 11 pas erës sonë. Kjo zonë ka qenë e banuar në gjthë këta shekuj. Detyra jonë tani është të gjejmë vendbanimin. Sepse një kompleks funeral shoqërohet me një vendbanim. Po identifikojmë toponime me kisha, fortifikime, e gjetje të kulturës materiale në sipërfaqe. Kodra e varreve ku po bëjmë gërmime, varret e vjetra i ka poshtë, ato më të rejat më lart. Në varësi të periudhës, kanë orientime të ndryshme”, thotë ai.
Nga gjetjet e deritanishme, mund të kuptohet se popullsia që ka jetuar aty ka qenë e një shtrese të pasur. “Varret antike kanë jë material që i përket shtresës së pasur, sepse nuk bëjnë dallim nga gjetjet në qendra të zhvilluara antike si Durrësi, Apolonia, Lisusi antik, etj”, thotë Meshini, ndërsa sqaron e identifikimi si kulturë helenistike, është kufi kohor historik e jo me identitetar apo i lidhur me përkatësinë.
Zona rezulton të ketë pasur lidhje me Durrësin, por do jenë gërmimet në vijim që do të tregojnë më shumë./Balkanweb/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet ku krahas sportistëve shqiptarë ka edhe sportistë të huaj të atletikës.
Ky aktivitet organizohet për të dytin vit radhazi në Elbasan, në tre disiplina Mini dhe Half Marathon Skampa në 5 km – 10 km – 21 km.
Maratona Skampa është tashmë një garë e certifikuar ndërkombëtare. Realizimi i kësaj maratonë tregoi se maratonistët shqiptarë janë të aftë dhe me përvojë, për të ndërmarrë sfida të shkallës dhe kalibrit botëror duke konkurruar me kolegët e tyre në rajon dhe duke hapur një faqe të re në historinë e maratonës kombëtare dhe eksperimentimit të maratonës, më e gjatë se ajo klasike.
Sot në qytetin e Elbasanit, shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Elbasan organizuan maratonën “Skampa 2024″, një aktivitet sportiv, i cili startoi në sheshin Genshër dhe vijoi në rrugët e qytetit, në unazën e qytetit dhe përfundon në pikënisje, në sheshin “Genshër”.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet ku krahas sportistëve shqiptarë ka edhe sportistë të huaj të atletikës.
Ky aktivitet organizohet për të dytin vit radhazi në Elbasan, në tre disiplina Mini dhe Half Marathon Skampa në 5 km – 10 km – 21 km.
Maratona Skampa është tashmë një garë e certifikuar ndërkombëtare. Realizimi i kësaj maratonë tregoi se maratonistët shqiptarë janë të aftë dhe me përvojë, për të ndërmarrë sfida të shkallës dhe kalibrit botëror duke konkurruar me kolegët e tyre në rajon dhe duke hapur një faqe të re në historinë e maratonës kombëtare dhe eksperimentimit të maratonës, më e gjatë se ajo klasike./atsh/ KultPlus.com
Në Londër të Britanisë së Madhe është hapur një shkollë shqipe.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik për Diasporën i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe në Bexleyheat të Londrës.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se këtë shkollë e kanë mbështetur me literaturë në gjuhën shqipe.
“Mbështetja me tekstet shqip dhe programi më i ri ‘Mësues për Diasporën’ do ta zgjerojnë numrin e shkollave/klasave në gjuhën tonë të bukur shqipe”, ka thënë Balla. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Një anije e Marinës Mbretërore të Zelandës së Re u fundos në Samoa, por të gjithë 75 ekuipazhi dhe pasagjerët në bord kanë shpëtuar, tha Forca e Mbrojtjes e Zelandës së Re në një deklaratë të dielën.
Manawanui, anija e specializuar e zhytjes dhe hidrografisë së marinës, u rrëzua pranë bregut jugor të Upolu të shtunën mbrëma teksa po kryente një studim mbi shkëmbinjtë, tha në një deklaratë komodori Shane Arndell, komandanti i komponentit detar të Forcave të Mbrojtjes të Zelandës së Re, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Disa anije u përgjigjën dhe ndihmuan në shpëtimin e ekuipazhit dhe pasagjerëve që ishin larguar nga anija me varka shpëtimi, tha Arndell.
U nda sot nga jeta në moshën 71-vjeçare Sefedin Braho, ish-futbollisti i Kombëtares së futbollit dhe Luftëtarit të Gjirokastrës.
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se në të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar të kategorisë “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë sot dhe nesër do të mbahet një minutë heshtje në nderim të ish-futbollistit të shquar, Sefedin Braho.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka shprehun familjarëve, të afërmve dhe miqve të Brahos, ngushëllimet më të sinqerta në emrin e tij dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar.
“Me trishtim të madh mësova sot lajmin e ndarjes nga jeta të Sefedin Brahos, një emër i madh i futbollit shqiptar e veçanërisht atij gjirokastrit, pjesë e Luftëtarit, Partizanit si edhe i Kombëtares në periudhën 1970-1980.
Braho ishte një mik i mirë, personalitet me vlera të mëdha dhe një emër që ka shkruar historinë me germa të arta”, shprehet Duka./atsh/ KultPlus.com
Në çdo shesh dhe rrugë të Shkodrës dëgjohej muzika e orkestrave frymore.
Nga 3 orkestra u vendosën në 3 sheshet kryesore si pjesë e Takimit Ndërkombëtarë të Orkestrave Frymore, që vjen në edicionin e 4-të të tij.
Shkodra, Durrësi dhe Orkestra e Salernos në Itali kanë performuar në rrugët e qytetit.
Për drejtuesin e Qëndrës “Pjetër Gaci”, Dritan Mlika, ky aktivitetet është kthyer në traditë në Shkodër, duke qënë një event i përvitshëm që largon kufinjtë nëpërmjet muzikës.
‘’Siç e shifni edhe vetë jemi në edicionin e katërt të takimit ndërkombëtar të bandave frymore i cili tashmë gradualisht po kthehet në një traditë e një aktivitet të qëndrueshëm të qytetit tonë.
Është një aktivitet mjaft i bukur i cili pritet me shumë kënaqësi nga bandat e ndryshme si nga vendi ashtu edhe nga jashtë’’.
Orkestrat Frymore nga vendi, rajoni dhe Italia, po performojnë performojnë në Shkodër në kuadër të këtij eventi, i cili nga viti në vit po merr përmasa të mëdha./oranews/ KultPlus.com
Të gjitha fjalët që mbledh, Të gjitha fjalët që shkruaj, Ato duhet të hapin pa u lodhur krahët e tyre, dhe mos ndalojnë kurrë në fluturimin e tyre, derisa të arrij atje ku është zemra jote e trishtuar, e trishtuar, dhe natën t’këndoj për ty veç për ty…
Me ndryshimin e fundit të rrezikshëm të politikës bërthamore të Rusisë, presidenti Vladimir Putin sugjeroi më 25 shtator se Kremlini mund t’i përdorë armët bërthamore kundër cilitdo shtet që e sulmon Rusinë, nëse ai shtet mbështetet nga një fuqi bërthamore.
Nëse Rusia do ta ndërmerrte një sulm masiv bërthamor ndaj Ukrainës apo Evropës Perëndimore, kontinenti nuk është se do të mund të bënte shumë për ta ndalur atë.
Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime të Çarmatimit (UNIDIR), konsiderohet gjerësisht të jetë eksperti kryesor perëndimor në botë për armët bërthamore të Rusisë. Ai tha se nuk ka indikacione se një katastrofë e tillë është afër që të bëhet realitet, por përshkruan rrethanat e zymta të një sulmi potencial bërthamor ndaj Evropës.
“Nëse do të kishte një lloj lëshimi masiv – apo lëshim të disa raketave [ruse] – do të ishte pothuajse e pamundur të garantohej që të gjitha do të rrëzoheshin”, u shpreh ai.
Llogaritjet e brendshme të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) raportohet se parashikojnë që në rast të një sulmi të plotë nga Rusia, blloku ushtarak ka “më pak se 5 për qind” të mbrojtjeve të nevojshme ajrore.
Rusia besohet se ka rreth 1.700 koka bërthamore brenda më shumë se 500 raketave që mund të lëshohen brenda minutave nga bazat, lëshuesit mobilë, nëndetëset dhe aeroplanët luftarakë. Shtetet e Bashkuara me gjasë do të ishin objektivi kryesor, por shumë prej këtyre raketave dihet se janë të menduara për përdorim kundër Evropës.
Por, nëse breshëritë e raketave janë pothuajse të pandalshme, çfarë duhet të bëjnë civilët në rast të një sulmi bërthamor?
Disa kryeqytete evropiane kanë vendstrehime bërthamore të kohës së Luftës së Ftohtë, të cilat po rinovohen heshtazi. Kievi së fundi rihapi një bunker bërthamor dhe e bëri sërish të përdorshëm.
Në Pragë, disa bunkerë të Luftës së Ftohtë kanë përjetuar një rritje të interesimit nga banorët, që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 2022. Bunkerët “janë ende funksionalë, që nga rënia e komunizmit, dhe mund të aktivizohen sipas nevojës”, konfirmoi Jan Mikes, shef i departamentit për menaxhim krizash në qarkun Praga 2, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Një zëdhënëse e Shërbimit të Zjarrfikësve të Republikës Çeke tha për REL-in se, nga viti 2023, institucioni ka nisur të përditësojë “kërkesat për sistemin e vendstrehimit dhe për vetë vendstrehimet”, pa dhënë më shumë hollësi.
Në Luginën e Ahrit, afër Bonit, në Gjermani, drejtoresha e një vendstrehimi kundër bombave bërthamore, i cili tani funksionon si muze, raportoi për një shtim të vizitorëve së voni.
“Interesimi është rritur, veçanërisht nga të rinjtë, për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Heike Hollunder në një prononcim për REL-in. “A mund të përdoret bunkeri sërish? A ka bunker bërthamor për Qeverinë në Berlin? Këto janë pyetjet kryesore që bëhen”.
Por, këto masa drastike sigurie janë ndoshta të kota. Podvid thotë se një sulm bërthamor rus do të linte shumë pak kohë për të ikur drejt një vendstrehimi të fortë. Nga lëshimi deri te goditja e një objektivi në Evropën Qendrore, sipas llogaritjeve të Podvigut, “do të kalonin rreth 10 minuta”.
Shtetet e Bashkuara kanë një rrjet satelitësh, të aftë për të vërejtur menjëherë tymin e lëshimit të një rakete, por ai sistem me gjasë do të ishte i padobishëm për vendet që ndodhen afër Rusisë.
“Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha llojet e sistemeve paralajmëruese – satelitët e gjëra të tilla. Por, unë dyshoj se ky informacion mund të ndahet aq shpejt apo fare me aleatët e SHBA-së në shtetet evropiane”, ka thënë Podvig.
Simulimet e asaj që mund të bëjnë armët moderne bërthamore nëpër qytete ofrojnë një pasqyrë të frikshme. Një raketë e vetme ruse Topol-M do të shpërthente në një top zjarri me gjerësi prej një kilometri, i cili do të digjte çdo gjë të gjallë që do të prekte. Brenda një rrezeje prej 7 kilometrash, civilë të panumërt do të vdisnin nga djegiet e rënda dhe do të shtypeshin nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga vala e goditjes. Pastaj do të vinte rrezatimi, i cili do të prekte vendin e shpërthimit dhe do të helmonte ujin dhe ajrin.
Historiani ushtarak britanik, Basil Liddel Hart, ishte dëshmitar i një loje lufte më 1955, në të cilën NATO-ja ushtroi skenarin e një lufte të plotë bërthamore me Bashkimin Sovjetik. NATO-ja fitoi ballafaqimin, por pasi ra pluhuri hipotetik, pothuajse çdo gjë e çmuar e botës perëndimore u kthye në rrënoja. Hart më vonë do ta përshkruante përvojën si “tejet neveritëse”.
Fitorja, shkroi ai, “e kishte humbur kuptimin”.
Udhëheqësi sovjetik, Nikita Khrushchev, raportohet të ketë thënë se pas luftës së plotë, “të gjallët do t’ua kishin lakmi të vdekurve”.
Podvig nga UNIDIR është i kujdesshëm me zbulimin e llogaritjeve të veta.
“Unë, thjesht, përpiqem të mos mendoj për të, sepse i di disa skenarë katastrofikë që janë tejet të këqij”, tha ai.
Sikurse në kulmin e Luftës së Ftohtë, të vetmit parandalues seriozë sot janë shkatërrimi i ditur që sigurojnë rezervat prej qindra raketash bërthamore të Perëndimit, bashkë me një politikë kontroverse të lëshimit me paralajmërim.
Kjo politikë u mundëson Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin sulme hakmarrëse, nëse vërehen raketa që vjen, para rënies në tokën amerikane. Ajo do të parandalonte shkatërrimin e armëve bërthamore të Amerikës, por lë hapur mundësinë e një gabimi që mund t’i japë fund civilizimit.
Me gjithë rritjen e vazhdueshme të tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, Podvig tha se një apokalips bërthamor mbetet vetëm një mundësi e largët.
“Unë besoj se para se të vinte puna deri aty, deri te mundësia e vërtetë, ne do të shohim goxha hapa të tjerë përshkallëzues”, u shpreh ai.
Përveç retorikës specifike, Podvig ka parashikuar se “ne do të shihnim disa lëvizje armësh dhe gjëra të tilla”.
Ai tha se është i sigurt se mbetet “shumë e pagjasë që kjo do të ndodhte krejt papritur”.
Blogu italian “beBorghi” i ka kushtuar një shkrim kryeqytetit shqiptar, Tiranës, të cilin e cilëson një qytet të bukur dhe interesant.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Valentina Borghi të publikuar në blogun “beBorghi”.
“Tirana ka rrëmbyer vëmendjen e blogut italian “beBorghi”, duke e konsideruar si një qytet plot jetë dhe energji që të fton ta zbulosh çdo ditë e më shumë”, shkruan Rama.
Në artikullin e saj Valentina Borghi shkruan për atraksionet turistike të Tiranës, muzetë, kishat, xhamitë, Piramidën, Pazarin e ri, Liqenin Artificial, Parkun Kombëtar të Dajtit, etj.
Vizita në Tiranë mund të nisë vetëm nga sheshi kryesor i saj, Sheshi Skënderbej, ku dominon statuja e heroit kombëtar shqiptar nga ka marrë emrin.
“Disa nga ndërtesat më emblematike të qytetit kanë pamje nga sheshi, si dhe një numër i caktuar rrokaqiejsh. Në njërën anë ndodhet xhamia e vjetër e Et’hem Beut me Kullën e Sahatit, në anën e kundërt disa ndërtesa të stilit fashist të ndërtuara gjatë pushtimit italian, si Banka e Shqipërisë. Me periudhën komuniste që pasoi, u shtuan Hotel Tirana, Teatri i Operas dhe Baletit dhe godina e madhe e Muzeut Historik Kombëtar, me mozaikun e titulluar “Gli Albanesi”. Asfaltimi i sheshit u ribë në vitin 2015 me gurë të ardhur nga të gjitha trojet shqipfolëse, përfshi Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan ndër të tjera Valentina Borghi./ KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup arkitektësh të kompanisë arkitekturore “Bjarke Ingels Group”, inspektuan punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri.
Veliaj vuri në dukje ritmin e mirë me të cilin po ecin punimet, por edhe cilësinë e ndërtimit, duke shtuar se brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë së Teatrit.
“Kjo është një vepër e vërtetë arti! Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vitet e ardhshme. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi ceduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që, deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit, të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë”, tha Veliaj.
Nëse punimet vazhdojnë me këto ritme, ai bëri me dije se Teatri i Ri do të jetë i përfunduar për një vit. “Jam vërtet entuziast dhe dua që ta shtojmë ritmin e punës. Në fazën e dytë do të punojmë për pjesët teknike dhe besoj shumë fort që, për një vit e pak, të kemi mundësi të vëmë veprën e parë. I shkon Tiranës, sidomos vitin tjetër kur do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duam që të lëmë pas jo vetëm një kalendar shumë të pasur të ngjarjeve, të aktiviteteve të kulturës, por të lëmë pas edhe një bizhu”, shtoi ai.
Duke e konsideruar projektin një skulpturë që do të mbetet pajë për brezat e ardhshëm, Veliaj vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me kompaninë e njohur daneze.
“Unë besoj se me Bjarke Ingels Group, kompania e njohur daneze, do t’i lëmë një nishan të jashtëzakonshëm qytetit. Fakti që kemi BIG-un nga Danimarka prezent këtu, si pjesë e kësaj buqete të arkitekturës moderne, është vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se projekti transformues mori vlerësime edhe nga aktorët shqiptarë, me të cilët inspektoi punimet disa ditë më parë. Veliaj shtoi se pavarësisht se kundërshtarët politikë kanë zgjedhur të bëjnë betejë politike duke shkatërruar, mazhoranca vijon misionin e saj për të ndërtuar. “Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin dhe do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon dhe ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh dhe më të fortë seç ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik”, përmbylli ai.
Ndërkaq, arkitektja e kompanisë BIG, Catherine Huang, tha se ndihet e nderuar që ka mundësinë të kontribuojë për një qytet të bukur siç është Tirana.
“Mendoj se kemi pasur gjithmonë një respekt të thellë për ambicien dhe vizionin tuaj. Na pëlqen vërtet ideja për të krijuar diçka për publikun, për të pasuruar jetën publike. I ndërtuar në sfondin e kësaj rruge do të jetë shumë e bukur. Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj”, tha ajo./ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot publikun t’i bashkohet aktiviteteve të shumta të Javës Kulturore Japoneze.
Java Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, zhvillohet data 9 deri në 15 tetor për një festë të jashtëzakonshme të kulturës japoneze që do të sjellë publikun më afër traditave, artit dhe filozofisë.
“Kjo është një mundësi unike për të eksploruar dhe për të përjetuar artin dhe kulturën e Japonisë përmes një sërë eventesh emocionuese dhe edukative”, shkruan Gonxhja në rrjetet sociale.
Festivali i Filmit, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremonia e çajit, dhe turneu i karatës dhe judos janë disa nga aktivitetet ndërsa Java Kulturore Japoneze ofron diçka për të gjithë që kërkojnë një përvojë autentike dhe të pasur./ KultPlus.com
Ekipet e shpëtimit nga shtetet fqinje të Bosnjë e Hercegovinës dhe nga Bashkimi Evropian të dielën u janë bashkuar përpjekjeve për të gjetur njerëzit e zhdukur nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut dhe për pastruat rrënojat.
Bosnja ka kërkuar ndihmë nga BE-ja pasi reshjet e mëdha të shiut të enjten dhe të premten shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje të dheut, që kanë lënë të vdekur të paktën 18 persona.
Fatkeqësia natyrore po ashtu ka shkatërruar rrugë dhe ura dhe ka lënë të plagosur dhjetëra persona.
Zyrtarët thanë se të paktën 10 persona ende konsiderohen të zhdukur, shumica nga fshati Donja Jabllanica, në jug të Bosnjës, fshat ku ka pasur rrëshqitje të mëdha të dheut.
Luigi Soreca, kreu i misionit të BE-së në Bosnje, shkroi në X, se blloku evropian qëndron me Bosnjën dhe se ekipet e shpëtimit po shkojnë për të ndihmuar këtë shtet.
Autoritetet thanë se ekipet e shpëtimit nga Kroacia kanë shkuar, ndërkaq një ekip nga Serbia pritet të shkojë në Bosnje më vonë gjatë 6 tetorit, pasur nga një ekip për shpëtim i përbërë nga qentë që do të dërgohet nga Sllovenia. Mali i Zi, Maqedonia e Veriu, Polonia, Republika Çeke dhe Turqia po ashtu kanë ofruar ndihmë, thanë autoritetet në Bosnje. /REL/ KultPlus.com
Bordi i organizatës Social Creativity, bordi i festivalit Respoetica me anëtar: Rita Petro, Agim Baçi dhe Vlora Konushevci, në bashkëpunim edhe me Komunën e Prizrenit, ka vendosur që laureat i edicionit të 1-rë të festivalit Respoetica të shpallet krijuesi nga Shkodra, prof. Primo Shllaku, si nji personalitet i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë në sferat e letërsisë, të gjuhës, të kulturës dhe të artit në përgjithësi, përcjell KultPlus.
Çmimi iu dhurua nga kryetarja e bordit të festivit, shkrimtarja Rita Petro.
Poezia Eutanazi u interpretua nga Xhevdet Doda.
Festivali ka falënderuar Amila Gjyrezin, këshilltare për kulturë e kryetarit të bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, e cila ka ardhë si e deleguar nga Bashkia në nderim të prof. Primo Shllakut dhe festivalit Respoetica.
Turizmi në qytetin e gurtë të Gjirokastrës po shënon çdo vit e më shumë zhvillim, duke tërhequr mijëra turistë, pasi ofron një larmishmëri vendesh tërheqëse për të vizituar.
Me ardhjen e turistëve janë shtuar edhe njësitë akomoduese, hotelet e bujtinat, të cilat presin gjatë gjithë vitit turistët vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë frymëzuese të hotel “Argjirosë” në Gjirokastër.
“Pirro me familjen u rikthyen nga emigracioni për ta rilindur godinën e rrënuar e për t’i dhuruar Gjirokastrës një stoli të hotelerisë, ndërsa ende vazhdon të investojë, të zgjerojë biznesin prej turistëve që kanë pushtuar sokaket dhe të punësojë qoftë studentë të rinj, ashtu edhe profesionistë të sprovuar, të cilët në Shqipëri po paguhen më shumë se gjetkë jashtë vendit”, tha Rama.
Pirro Dhima, menaxheri i hotelit tha se “familja jonë që në fillimet epara ka shkuar në emigracion, por duke parë perspektivën në vendin tonë blemë një ndërtesë të braktisur në qytetin e Gjirokastrës.
Dhima tregon këndin me fotografi kushtuar punës që është bërë për restaurimin e hotelit, të cilën e cilëson një punë shumë të madhe, të vështirë dhe shumë të lodhshme.
“Filluam duke restauruar godinën duke i dhënë jetë dhe duke hapur si fillim disa dhoma dhe më pas duke i shtuar ato. Në fillim kishim 2 ose 3 punëtorë dhe gjithë familjen në punë. Më pas shtuam personelin, ofertën, duke shtuar dhomat shtuam lehtësitë për klientët duke hapur edhe një pastiçeri dhe një restorant tjetër. Asnjeriu nuk ia merrte mendja që gjërat do të shkonin kaq mirë për biznesin dhe për qytetin”, theksoi Dhima.
Personeli, tregon ai, duke ardhur kaq shumë turistë janë përkushtuar ndaj turizmit dhe duan që këtë punë ta vazhdojnë.
“Antoni la universitetin në Tiranë për ta vazhduar në Gjirokastër dhe për të punuar recepsionist”, tha Dhima.
Ndërsa Thomai është një tjetër punonjës që është ktheyr për të punuar këtu në hotel me pagë më të mirë se në Greqi.
“Pas një pune disavjeçare në Greqi vendosa të kthehem në familjen time, ku paga është shumë herë më e kënaqshme se në Greqi”, tha Thomai.
Duke dhënë një mesazh, Dhima tha “t’i shërbejmë turizmit që kjo të sjellë zhvillim dhe begati për qytetin dhe qytetarët”.
Qyteti i Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, përzgjidhet për t’u vizituar nga pjesa më e madhe e turistëve që hyjnë në Shqipëri. Ata vlerësojnë traditat, bukuritë natyrore por dhe mikpritjen e kulinarinë vendase, pa lënë mënjanë objektin kryesor të qytetit, kalanë e Argjirosë./ KultPlus.com
Poezia ‘Dimitrij më la’ nga Arbër Selmani ka zënë vendin e parë në edicionin e parë të festivalit poetik Respoetica, përcjell KultPlus.
Dimitrij më la
19:48 Dimitrij më la I erdhi në maje të telave të zërit.
20:31 Të ardhmet tona nuk do të martohen Më thotë Ndërkohë përgatit darkën e fundit Helmin, sallatën, lamtumirën Fërgon mjerimin tim në sasinë e duhur.
21:00 Nuk jam i duhuri Burrat nuk dinë çfarë është peshorja Burrat janë veç lepuj të shpejtë
22:02 Kur keni bërë dashuri duke dënesur? A e keni parë ndonjëherë një burrë që qan e ju zhvesh me forcë ushtari?
22:08 Bartet loti prej gojës në gojë E vetmja që do të jetojë Me të Është pështyma ime.
03:13 Mëngjesin kur u nisa për në aeroport Prej qytetit ku nuk ka statujë për ne Nuk ka vend për ne Në zgjimin e përbotshëm të vetmisë Dimitrij hoqi dorë prej meje.
08:30 Kur ishte hera e fundit që një burrë luajti në piano për ju? A meritoni të ktheheni në partiturë, qofshit grua a burrë?
Përmbajtja e Dimitrit: Mashkull fin, simfonik Me prejardhje ukrainase, kërcënues Zhytur në fjorde, i puthshëm Seksual sa fytyra e Zotit Shkrimtar i dy librave Psikolog çiftesh, tash në tek larg meje Doje ta ndieje, doje ta pije si ujin e detit.
11:43 Aeroplani mund të copëtohej E ajri të kthehej në ngulfatje Veç vuajtja ime është legjitime.
13:00 Dimitrij është poliglot Ma njeh trupgjuhën, por jo fjalët e dëshpërimit I them se disa gra jetojnë pa burra Unë as grua nuk jam, as burrë nuk kam.
15:28 Sa zgjime i keni pasur me një burrë që ju puth ballin? Sa sy të gjelbër e kanë tronditur zemrën tuaj kozmike?
17:45 E kanë frikësuar ilaçet e mia Është çuditur që shpesh bëj gjumin pa i larë dhëmbët I thonë që vlej, meritoj të jem me të Por ai nuk ka kohë, koha nuk na e ka atë Dhe dhoma e tij s’na ka asnjë.
19:19 Dimitrij u largua, mbërthyer si morsë Burrat japin pak, e shumta ndonjë puthje mediokre Plaga e çarë më hapet E imja çehre plaket. 20:06 Dimitrij, ti je veç një fëmijë që nuk pranon të përkëdhelet.
20:07 Dimitrij, më fal. Jam tepër klishe.
21:00 Nëna po e fal jacinë Nuk e ka idenë kush je ti, Dimitrij Nëna ime as mua nuk më njeh, sakaq qëndron stoike Ti, ti Dimitrij nuk pranon që edhe dashuria është fe.
22:41 Dimitrij më la I erdhi në maje të hundës Varfërohet njeriu kur burri ta kthen me sëpatë Është koha e gjumit A ka një vend ku mashkulli nuk ka drojë?
Ato thonë të vërtetat me zë të lartë, ato shembin klieshetë e rreme që janë ngritur për gratë, ato i shpallin të drejtat e tyre.
Më poshtë mund të lexoni disa thënie nga gratë që lanë gjurmët e tyre kudo në botë.
“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”- Margaret Thatcher, politikane
“Një femër e fortë e kupton se logjika,vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti” -Nancy Rathburn, autore
“Një grua është si një bustinë çaji- ti asnjëherë nuk e di sa e fortë është ajo deri sa e vendos në ujë të nxehtë”- Eleanor Roosevelt, politikane, diplomate, aktiviste
“Unë gjithmonë kam dashur të isha një femme fatale. Edhe kur isha e vogël, asnjëherë nuk doja të isha thjesht një vajzë, por doja të isha një grua” – Diane von Furstenberg, stiliste
“Unë jam e fortë, jam ambicioze dhe e di shumë mirë se çfarë dua. Nëse kjo nuk të pëlqen, atëherë punë për ty” – Madonna, këngëtare
“Feminist është kushdo që njeh dhe vlerëson barazinë dhe vlerat si të femrave dhe të meshkujve” – Gloria Steinem, feministe, gazetare, aktiviste politike dhe sociale
“Adhuroj të shoh një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës. Jeta është e poshtër. Ti duhet të përpiqesh dhe të triumfosh”– Maya Angelou, shkrimtare
“Unë e ngre zërin-jo që të bërtas, por që, ata që nuk kanë mundësi të shprehen, të mund të dëgjohen… ne nuk mund të kemi sukses kur gjysma prej nesh ngurojnë” – Malala Yousafzai, aktiviste pakistaneze për të drejtën e arsimit të grave, fituesja më e re e çmimit Nobel
“Feminizmi nuk ka të bëjë me forcën e femrave. Femrat si natyrë janë të forta, por ka si qëllim të ndryshojë mënyrën se si bota e percepton forcën.”– G.D. Anderson, autore
“Femrat thonë gjithmonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe meshkujt!’ Por janë meshkujt ata që duhet të thonë: ‘Ne mund të bëjmë gjithçka që mund të bëjnë dhe femrat!’.”– Gloria Steinem
“Nuk je e detyruar të jesh e bukur. Nuk i detyrohesh askujt për bukurinë tënde. As të dashurit/bashkëshortit/partnerit, as kolegëve të punës, veçanërisht as meshkujve që takon në rrugë. Nuk iu detyrohesh as prindërve, as fëmijëve, nuk i detyrohesh shoqërisë në përgjithësi. Bukuria nuk është një qira që e paguan sepse ke zënë një hapësirë të quajtur “femër”.– Erin McKean, leksikografe
“Një femër që i dëgjohet zëri, përkufizohet si një femër e fortë.”– Melinda Gates, businesswoman dhe filantropiste
“Femrat, ashtu si dhe meshkujt duhet të përpiqen për të bërë të pamundurën dhe kur të dështojnë, dështimi i tyre duhet të jetë një sfidë për të tjerët.”– Amelia Earhart, pilotja e parë grua dhe autore
“Kur një burrë jep opinionin e tij, ai është burrë. Kur një femër jep opinionin e saj, ajo është e përdalë.”– Bette Davis, aktore
“Shpresoj që prindërit e vajzave të vogla do i shikojnë ato dhe do thonë, “Po, femrat munden.”– Dilma Rousseff, ekonomiste, politikane, presidentja e parë grua e Brazilit
“Femrat janë lidere në çdo aspekt-si një drejtore që drejton një kompani fitimprurëse ashtu edhe një shtëpiake që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.”– Nancy Pelosi, drejtuese e një prej dhomave të Kongresit amerikan
“Natyrisht që nuk shqetësohem nëse natyra ime i frikëson meshkujt. Tipi i mashkullit që frikësohet nga personaliteti im është pikërisht tipi për të cilin nuk kam asnjë interes.”– Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtare nigeriane.
“Nuk ndihem më pak femër. Ndihem akoma më e fuqishme kur marr një vendim të rëndësishëm, kjo kurrsesi nuk e zvogëlon feminitetin tim’– Angelina Jolie pas mastektomisë së dyfishtë, aktore, aktiviste.
“Pyetja nuk është kush do më lejojë mua, por kush do më ndalojë .”– Ayn Rand, shkrimtare
“Kemi nevojë për femra në të gjitha nivelet, duke përfshirë ato që janë në krye, për të ndryshuar dinamikën dhe t’i japin formë bisedës, të sigurohen që zëri i femrës të dëgjohet dhe të mos injorohet.”– Sheryl Sandberg, drejtore operative e Facebook.
“M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”– Madeleine Albright, politikane
“Femrat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë.”– Harriet Beecher Stowe, e angazhuar kundër skllavërisë, shkrimtare
“Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Duhet një tragjedi që një femër të shfaqë forcën e saj. Mesazhi im është që ta shfaqni forcën para tragjedisë.”– Diane von Furstenberg
“Femrat kanë qenë gjithmonë më të fortat. Meshkujt kërkojnë vazhdimisht mbështetje nga ato. Ata kanë nevojë për nënën që kujdesej për ta kur ishin të vegjël.”– Coco Chanel, stiliste
“Feminizmi është për të gjithë.”– Bell Hooks (pseudonim), shkrimtare
“Besoj se mbrojtja e të drejtave të femrave është kapitull i pambyllur i shekullit XXI.”– Hillary Clinton, politikane
“Ne duhet të riformojmë perceptimin tonë rreth mënyrës si e shikojmë veten. Duhet të bëjmë një hap përpara si femra dhe të marrim drejtimin.”– Beyoncé, këngëtare
“Unë jam një femër fenomenale. Femër fenomenale…po, kjo jam unë.”– Maya Angelou
“Pse fjala feminizëm është bërë tabu? Nuk është fjala ajo që ka rëndësi, por ideja dhe ambicia që ajo përfaqëson.”– Emma Watson, aktore
“Ideja e të qenit feministe: shumë femra mendojnë se të qenit e tillë do të thotë të jesh kundra meshkujve dhe të mos krijosh lidhje me seksin e kundërt, por ajo që feminizmi përfaqëson në të vërtetë, është një barazi e të drejtave të njeriut. Për mua është një pjesë thelbësore e identitetit tim.”– Lena Dunham, aktore dhe shkrimtare. / KultPlus.com
Juria e përbërë nga Agim Morina, Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku, shqyrtoi poezitë e pjesëmarrësve në edicionin e parë të festivalit Respoetica, përcjell KultPlus.
Si fitues të konkursit juria përzgjodhi njëzëri poezinë “Dimitrij më la” të poetit, Arbër Selmani, për risimtari në qasje dhe për një gjuhë me fuqi shprehëse që kap shumanshmërinë e dramës njerëzore.
Poezia u interpretua nga aktori, Xhevdet Doda.
Juria ka përmendë për cilësi letrare edhe poezitë:
Rrenë asht molla e Adamit
Vjeshta po vjen
Sytë e dritares
Non-Negotiable
Metamorfozë
Edicioni i 1-rë i Festivalit të Poezisë ‘Respoetica’ mbështetet nga Ministria e Kulturës, Komuna e Prizrenit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren dhe gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus.