займ на карту онлайн потребительский кредит

Diana Shaka, egjiptianja e dy dekadave aktivizëm në Kosovë

11 Dhjetor, 2020 - 8:15 pm

Arbër Selmani

Fotografitë: Nok Selmani

Diana Shaka rrezaton pozitivitet dhe kjo e ka ndihmuar përballë shumë sfidave në jetë. Disponimi i mirë duket se e shoqëron vazhdimisht, anipse ajo gjatë rrjedhës së 48 pranverave të jetës së saj ka kaluar nëpër probleme, nëpër tronditje, nëpër peripeci të cilat shpesh e lodhin shpirtin e njeriut dhe na bëjnë të dorëzohemi.

Vetëm për pak, sepse megjithatë Diana Shaka ka triumfuar në këtë shoqëri. E lindur në Gjakovë, Diana Shaka sot jeton me qera në Fushë Kosovë ndërsa i kalon ditët në mes të trekëndëshit Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjakovë. Ajo është një egjiptiane krenare e cila ka punuar për vite e vite në të mirë të komunitetit të saj, por edhe të të  gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.

“Tash e 16 vjet punoj në Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane në Kosovë, në sektorin e financave. Ma herët kam punu në Gjakovë, ndërsa pas luftës kam nisë si aktiviste, fillimisht me fëmijët e komuniteteve, si edukatore, dhe më pas edhe me Caritasin zviceran. Më vonë kam nisur të punoj edhe në regjistrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, por aty pas një problemi u largova dhe vazhdova me angazhime të tjera” më tregon Diana derisa takohemi në zyret e organizatës, në Prishtinë.

“Për 2 vite e gjysmë kam udhëtuar edhe në Drenicë, atje po e përfundoja një kurs të nevojshëm për punë. Në atë kohë, pas luftës, nuk ka qenë e lehtë me shku në Drenicë, dhe me koleget e mia nga Caritas Kosova e patëm bo si marrëveshje që mos me i tregu kërkujt çka jom unë. Shkojsha me autobus e vijsha me autobus prej Drenicës, shkaku i sigurisë” vazhdon Diana.

Diana ka një jetë të tërë në shërbim të vajzave e grave të të trija komuniteteve, ndër më të margjinalizuarat në Kosovë, komunitetit rom, atij ashkali dhe egjiptian.

*

“Për fat të mirë, ngjyrën e lëkurës nuk e kam të errët dhe nuk dallohet kryekëput se çka jam. Kuptohet që ka anëtarë të komunitetit që janë edhe me ngjyrë më të bardhë, por kur e ke ngjyrën më të errët, dallohesh më shumë, merret vesh çka je, dhe këtu lind diskriminimi, racizmi, paragjykimet. Ka qenë fati im që ngjyra ime është më e bardhë” rrëfen tutje Diana, një aktiviste e devotshme, e mirë në oratori, në aktivizëm por edhe në numra, në llogaritje. Ajo thotë se e ka më të lehtë të punojë në punën e saj në financa, sesa të flasë, por ne duam ta dëgjojmë tregimin e saj. Ajo e ndihmon organizatën e saj edhe me kontakte të tjera, aty ku ka nevojë, me hulumtime e me publikime.

“Kjo puna e ngjyrës së lëkurës ka ekzistuar në Kosovë edhe para luftës. Na vet si komuniteti kur e shohim dikë më të errët, e dijmë që është pjesë e komunitetit. Nuk do të duhej me lujt rol kaq shumë kjo pjesë, por në Kosovë kështu ka qenë gjithmonë, dhe problemi qëndron sidomos tek edukimi familjar, aty ku mbillet urrejtja fillimisht. Te shqiptarët e di shpesh përdoret kjo fraza –po dokesh si magjupe- dhe disa herë është përdorur edhe para syve të mi, për ndonjë person tjetër. E kanë ditur për mua çka jam, dhe kjo më pengon shumë, ajo që folet para meje edhe mendohet si ofendim ose racizëm. Shpesh përdoret edhe –uh magjupja e vogël, ama t`përqafi- fjala magjupe nuk duhet të normalizohet në Kosovë” vazhdon Diana.

Diana komunikon vazhdimisht me komunitetin egjiptian në Kosovë, gratë e vajzat e telefonojnë dhe e hapin zemrën e tyre me Dianën. Ajo thotë se ka pak ditë që ka pranuar një thirrje për një problem që kishte një pjesëtare e komunitetit, dhe Diana provon më të mirën e saj për të dalë në ndihmë.

Mbesim ende tek pjesa e ‘magjupëve’, e kësaj terminologjie që tmerron.

“Në Kosovë duhet sidomos fëmijët e moshave 3-4 vjeçare, me i përzi shumë. Prej aty fillon edukimi, prej asaj gjenerate duhet me fillu me u përzi edhe fëmijët me ngjyrë të bardhë edhe fëmijët me ngjyrë të lëkurës të errët, dhe me ju tregu që krejt janë të njëjtë, që nuk ka dallim. Kështu fëmijët e shohin dikë më të errët dhe kjo fillon t’u bëhet normalitet” pohon Diana.

*

“Unë deri në klasën e katërt vet kam qenë ajo që nuk kom dashtë me nejt me “magjupët”, sepse nuk e kom kuptu çka osht kjo fjalë dhe kom mendu që osht e keqe, e kom dëgju në klasë. Unë jom shoqëru me shumicën më shumë. Në lagjen time, kur dilsha te dera më thojshin – dul kjo shqiptarja. Më vonë nana ka fillu me m`shoqëru me vajzat e komunitetit dhe e kom kuptu që gjithçka osht në rregull. Në klasën e pestë kom tregu në klasë që jam e komunitetit, dhe prej asaj kohe kudo që shkoj e pranoj dhe e tregoj këtë fakt. Problemin e vetëm e kam pasë me një prej cimereve të mia më përpara, në Prishtinë, njëra e kuptoi që jam egjiptiane edhe shpërtheu me disa ofendime e sulme, pse unë e komunitetit e pse po lyhna e po ndreqna e po veshna mirë, por pronarja e shtëpisë e morri vesh dhe e largoi prej shtëpisë. Të gjitha cimeret tjera, shoqet me të cilat banoja kanë qenë në rregull me këtë pjesë”.

Diana ka shumëçka për të treguar. Ajo thotë se sot, vetë fakti që është temë diskutimi edukimi i vajzave e grave rome, ashkalike e egjiptiane në Kosovë, mjafton sadopak, marrë parasysh se para luftës në Kosovë nuk janë përmendë këto tema, dhe nuk është mirëkuptu që gratë e vajzat lindin me të drejta dhe ato të drejta duhet respektuar.

“Vajzat e reja sot e dijnë çka dojnë, dhe asnjona nuk don me përfundu veç me shkollë fillore. Shumë prej tyre e përfundojnë shkollën e mesme, ndërsa shumica edhe fakultetin. Rreth 200 vajza sot, dhe kjo më mundon, nga komunitetet, kanë kry shkollë dhe nuk janë të punësuara aty ku duhet, janë në organizata por jo në institucione dhe aty ku nevojitet angazhimi i tyre. Njëjtë osht edhe për gjininë mashkullore, edhe ata kanë probleme, papunësia e madhe në Kosovë e sidomos kjo ndikon tek të rinjtë e të trija komuniteteve” tregon Diana.

Diana e ka të përfunduar shkollën fillore, por meqë u martua e re dhe si një nënë vetëushqyese, e la për më vonë vijimin e shkollimit. Në Gjakovë më pas e përfundoi ekonominë e përgjithshme, shkollimin e mesëm, dhe vazhdoi të jetonte në valët e jetës së aktivistes.

“Nuk kom mujt me ja dalë me gjithçka. Kam qenë nanë e vetme, osht dasht me u kujdesë për djalin, besa edhe te familja nuk i kemi pasë kushtet shumë të mira. Kam shku në kurse të gjuhës angleze, kurse për kompjuterë, kam përfunduar kursin e AFASit falë QKSGJ dhe Zyres Amerikane për pagesën që e mundësuan, pastaj edhe kursin e Quickbooks-it falë KCSF dhe RROGRAGEK, dhe falë tyre sot punoj dhe e udhëheqi mirë aspektin financiar të organizatës ku punoj” tregon Diana Shaka.

“Ndihem e sigurtë në Kosovë, kudo që jam, nuk më ka ndodhë më pas ndonjë problem” më tregon në fund Diana pasi e pyes për lirinë dhe sigurinë e saj dhe gëzohem që një grua si kjo, me shumë vullnet për të ndihmuar e për të ndryshuar mentalitet, jeton e qetë dhe e pranuar në një shoqëri si Kosova.

TEKSTI NË GJUHËN ROME.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

Të ngjajshme