Belgianja

7 Shtator, 2020 - 5:40 pm

Poezi nga Bajram Mjeku

Babë, nuk më krisi belgianja* sot
se si u ngatërruan fishekët në gojëz
këmbëza nuk shkrepi që nuk shkrepi dot.

Qysh se ndërroi jetë Kryezoti tha
në grykë më ka zënë keq ndryshku
as krismat nga unë s’dalin kurrë më.

Nga veriu vjen armiku më thoshje
nishani nuk është gjithë pasioni yt
kur merr shenjë, ndalo frymën
veç burrat e ligj i zë gjaku në pritë.

Një mëngjes nisi lufta e ti nuk jetoje
erdhën cubat belgianen me marrë
ti e di, qysh kur Zoti krijoi botën
nderi i armës nxirret veç me armë.

Ndoshta është mirë që nuk je gjallë
Qyqavica ka mbetë qyqe vetëm
as korbat e zinj s’fluturojnë atje më.

Babë, sonte nata shtriu mbretërinë e saj
Një fishek me flakë, natën ditë e bëri
i belgianes është, dritësoi shpirtin tënd.

*Armë e gjatë belge.
Im at ishte mjeshtëri hollë i tyre dhe e ruante si suvenir.

/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme