Çka kam mësue prej nanës

22 Shtator, 2020 - 10:54 am

Poezi nga Julia Kasdorf
Përktheu Vlora Konushevci

Kam mësue prej nanës qysh me i dashtë
të gjallët, me pasë gjithnji vazo afër
nëse duhet nxitue për n’spital
me lule bozhuri t’freskëta prej lendine
milingonat të ngjituna ende për sythe. Kam mësue
me i ruejt qypat e thellë që mbajnë sallata frutash
për nji shpi të tanë në zi, me i coptue dardhat e pjeshkat
e reçelit, me hjek lëkurën e rrushit e
me teh thike farat e çiftimit me i nxjerr.
Kam mësue me shku në të pame edhe kur
të ndjerin njoftë se kam, me i shtrëngue duert e djersituna
të gjallëve, me i shikue në sy e me ofru ngushëllim,
sikur atëherë me e pasë kuptue dhimtën.
Kam mësue se çkado që flasim s’ka randësi,
njerëzit mbajnë mend se jemi kanë aty.
Mësova me besu se e kam fuqinë me lehtësu
dhimtë të trishta fizikisht si nji engjull.
Si nji mjek, mësova me kriju dobi prej vuejtjes
së tjetrit, e kur t’ arrini njiherë me e ba këtë punë
kurrë ma me refuzu s’keni me mujt.
Secilës shpi që ja kaloni pragun duhet
me i ofru shërim; nji ambëlsinë çokollate që e gatuni vet,
bekimin e zanit tuej, prekjen tuej të çiltër. / KultPlus.com

Të ngjajshme