Çmimi “Azem Shkreli” për poetin austriak që punoi edhe për çështjen shqiptare

25 Maj, 2019 - 11:00 pm

Çmimi kryesor i edicionit XVII të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli” në Pejë i është ndarë të premten poetit austriak nga Vjena, Helmuth A. Niederle.

Këshilli Organizativ i këtyre takimeve të sivjetme letrare, përzgjedhjen e Niederle për fitues të këtij çmimi kryesor të takimeve letrare “Azem Shkreli” e ka mbështetur në veprimtarinë e tij si përkrahës i madh i Kosovës dhe i letërsisë shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

“Çdo gjë e kemi në kujtesën e kohës. Ky është një personalitet botëror i letërsisë dhe është elitar. Ai si shkrimtar, antropolog, njëri i kulturës, humanist i madh, çfarë nuk ka bërë për integrimin e shqiptarëve në Vjenë, në kohën e paraluftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Ai dhe PEN International (Organizata Ndërkombëtare e Poetëve, Eseistëve dhe Shkrimtarëve) u kanë drejtuar rezoluta Kombeve të Bashkuara për njohjen e shtetit të Kosovës. Kur këto gjëra kanë ndodhur, ky ka qenë atje. Dokumentet flasin”, ka treguar Entela Kasi, kryetare e Këshillit Organizativ të këtyre takimeve, arsyen e dhënies së çmimit kryesor të takimeve poetit austriak Helmuth A. Niederle. Për çmimin e ndarë, me të cilin e shpërbleu Peja për atë që ka bërë për Kosovën, ai është shprehur i lumtur, por edhe i befasuar.

“Është një çmim i pabesueshëm për mua. Nuk kam llogaritur se do ta fitoj”, u shpreh ai për “Kohën Ditore” pasi mori çmimin. E në skenë pasi iu dorëzua çmimi nga drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, poeti nga Vjena foli si me vargje poetike, duke thënë se themeli i gjithçkaje është poezia./KultPlus.com

Të ngjajshme