Ç’të bëj me ty?!

4 Shkurt, 2020 - 8:47 pm

Nga Arli Minga.

Ç’të bëj me ty?!
A do ta gjej dritëzën e vogël,
Shenjën a thirrjen e zbrazët,
Apo do mbetem i mbërthyer në nyjen e ashpër,
Nyjen e lashtë të dashurive të Algjerit të largët?!
Ç’të bëj me ty, më thuaj..
Ç’të bëj që rastësisht mu ngatërrove këmbëve,
Mu përplase furishëm brigjeve shkëmborë të mendjes sime,
Për të lënë aty thërrmuar, ca copëza me kujtime..
Ç’të bëj me ty..
Të marr ndonjë armë?!..
T’i kundërvihem kësaj të mallkuare toke,
Të ngre si i çakërdisur me rrënojat e saj,
Vegimet e një tjetër bote?!
Por s’mundem dreqi e marrtë!
S’mundem,
Se përrallat e aveturave të rreme,
Janë dalldi të padurimit, çmenduri të përkohshme.
Ç’të bëj me ty..
Që të shijoj dhe theksin kur i vë fjalëve,
Shikimin kur e mbështet në dritare,
Gishtat tek ja rrotullon filxhanit të kafes,
Buzëqeshjen e hidhur që të bie lehtë fytyrës,
Pas ndonjë shakaje të pastër?!..
S’e di! Nuk e di ç’të bëj me ty..
As me parfumin që nuk e duroj dot kur e marr me vete,
Që e dua aq shumë kur depërton mes kaçurrelave bojëkafe.
As me dëshirën për adhuruar të metat e qenies tënde,
Shkulmin e urrejtjes se nuk arrij dot epshet e mia djallëzore.
Ç’të bëj me ty, më thuaj!..
Të arratisem?!
Të bëhem endacak me ndërgjegje të këputur,
A të qëndroj?!
Të kthehem ngadalë në sarkazmën më të bukur..
Ç’të bëj me ty?!..
Nuk kam më as gjumë,
Ç’të bëj..?!
Nuk e di..
Se ti.. as që nuk e di…!

Të ngjajshme