Dhe bie borë

16 Janar, 2019 - 4:00 pm

Besim Rexhaj

dhe këtë vit
të njëmbëdhjetin të njëmijtin
me dhembjen ra borë e parë
bien motrat vëllezërit bien
grishjes së dheut i gjegjen
dhe këtë vit zbardhëllin
mbi varre zemrat varrë
bardh kuq ashtu bie
borë e vrerë
të dhjetën të njëmbëdhjetën të njëmijtën herë
mbi barin e varreve bie kanjushë e verdhë
fluturon e bie e ngritesh
shtresë dhembjen palon e shpalon klithmën
të njëmbëdhjetin dimër të jetës të njëmijtin
varret mbulon plagët hap
o zot
dhenë borën i paçi të lehtë
uratën tuaj paçim
dhe këtë vit
zot. /KultPlus.com

(Kushtuar vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekës, në përvjetorin e 11-të. Nesër më 17 janar shënohet përvjetori i vrasjes së tyre në Stutgart, në vitin 1982).

Të ngjajshme