“Do doja të isha, si një mendim për ty, e të sillesha gjithë kohën në mendjen tënde”

16 Dhjetor, 2022 - 2:00 pm

Gidion Kros

“..do doja të isha, si një mendim për ty,
e të sillesha gjithë kohën në mendjen tënde,
të buzëqeshnim pa shkak, rrugëve kuturu,
e netëve të shtriheshim, me një ëndërr në mendje.
për ty do doja, të isha dy sy,
dhe mbi fytyrën tënde të bukur, të shndrisja fortë,
në një grusht t’i mblidhja, hënë e diell për ty,
e t’i mbysja det e oqean, në një të vetme tënden pikë lot.
do doja të isha, si një përkëdheli mbi kraharorin tënd,
që çdo plagë tënden, ta bëja të kullonte dashuri,
dhe me shpirtin tim të mjekoja, aty ku malli dhëmb,
dhe pa shpirt të mbetesha, se shpirti im je ti.
një palë buzë do doja të isha, për ty, vetëm për ty,
e lehtë mbi të tuat buzë, puthje të pëshpërisja,
në aromë dashurie të deheshim të dy,
e unë lehtas me kujtimin tënd, i lumtur do të vdisja.
për ty, do doja të isha gjithçka,
e gjithçka të isha, brënda një grimce,
se në grimcat e vogla, janë dashurit e mëdha,
ndaj dhe sdo t’më mjaftonin edhe 1000 botë, nëse pranë nuk do t’më ishe..” / KultPlus.com

Të ngjajshme