Është dimër, mikja ime

3 Prill, 2021 - 5:59 pm

Poezi nga Sadik Bejko

Është dimër, mikja ime, është dimër
Dimër në male, në fusha, ngado dimërim
Është stina mikja ime, stina e të ftohtit.
Ngrohtësi, pak ngrohtësi
Pak diell mbi fytyra, mbi ish-njerëz
Mbi fytyra shtrembëruar nga të ftohtit rrëqethës!

Fushat kanë marrë ujë në brinjë,
Malet lidhur kokën me qefine reje
E ne jetojmë në një qytet rrëshqitës
Tmerrësisht rrëshqitës, tmerrësisht të gurtë
Jashtë kohe, dhe mode, dhe feje.

Këtu ujërat rrëshqasin se guri s’i mban në rrëmbe
Era rrëshqet e të merr fjalën nga buza,
Bukuria rrëshqet si loti në fytyrën tënde.
Këtu është një lëmim ngjethës, i ngrirë,
Një gri tmerrësisht e thatë, e shtrirë.

Me ç’guxim më ecën ti e ngrohta, e qelqta?
Me ç’frymim end, thur ëndrrat arabeska?
Me ç’guxim drithëron drita në sy?
Cili qiell të ndriton, të yllëzon ty?

Ky është vendi i thyerjeve, i rrëshqitjeve
I nëpërkëmbjes, i pështymave gri.
Me ç’guxim guxon, njerëzon ti… / KultPlus.com

Të ngjajshme