“Fëmijët nuk duhet t’i mbani rreth e rrotull atij dreq ekrani”

1 Shtator, 2020 - 2:18 pm

Poezi nga Roald Dahl

Përktheu: Edon Qesari

Kuptuam diçka me shumë rëndësi,

meqë jemi duke folur për fëmijë,

se nuk duhet kurrë, kurrë, t’i mbani

rreth e rrotull atij dreq ekrani.

Edhe më mirë, madje, do të jetë

ta fiknit fare atë aparat të metë.

Rrinë e shohin, shohin e rrinë prap’

derisa mendjen ua bën fare çorap,

derisa ata meken komplet pas tij

derisa i budalleps ai kazani kobzi.

E dimë, e dimë se fre veç ai u vë,

t’i hipin dritares patjetër që s’i lë,

nuk grinden e as bëjnë shamatë

ju lënë juve që të gatuani rehat,

apo enët të lani me ndonjë rast –

Po vallë, jeni ndalur veç për një çast,

ujin në zjarr ndonjëherë a e keni vën’

kolopuçëve tuaj a e dini ç’u bën?

Gjithë ndjesitë e tyre i bën gropë,

përfytyrimin ua çon mish për top!

Trurin ua përdhos, mendjen ua merr,

e trash një fëmijë, vështrimin ia err.

Ai më s’e dallon se ç‘është e vërteta,

se ku soset trilli dhe ku nis vetë jeta.

Porsi djath i prishur, trurin ia tharton,

fuqinë e mendimit krejt ia ngurtëson

Nuk mendon më, ai veç shikon!/ KultPlus.com

Të ngjajshme