‘Ftohtësisht, jo, nuk jam i martuar’

9 Gusht, 2022 - 9:00 pm

Arbër Selmani

Pyetjes më me spec
më tinëzares, më dashakeqes
pyetjes më idiote që del prej gojëve tuaja
pyetjes që ju jep kaq shumë rehati
asaj që ju qetëson pulpin, kockat, çehret e vrara
pyetjes që vjen si një zhanër urdhëror
që e pështyni nën buzë, dhe e bëni tingull ajror
pyetjes që pranon një O dhe një P
pyetjes që e ekuilibron tërë mjerimin tuaj
pyetjes që ju ia vishni një kordel fetar
absolutisht, pyetjes më me karakter shpellar
formulimit që ngjyroset me petk pjellor
pyetjes që ose më lartëson, ose më shporrë
tre a katër fjalëve që dalin prej mendjes suaj katrore
pyetjes që ndjenjën e gjynahit tuaj e bën madhështore
pyetjes që e merrni si trashëgim, dhe tutje e trashëgoni
asaj që e mbani si një mantra, në cepin e fytit.

Pyetjes që vë në peshore secilën skenë të një jete
me guxim që nuk njeh logjikë, pyetjes që e bëni në dasma,
në takime pune, në varreza, në maternitete.

I përgjigjem sikur të fliste një mal i ngrirë
a një llavë vullkani
a një kafshë e tërbuar.

Ftohtësisht,
jo, nuk jam i martuar. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme