Gjeta një gazetë

15 Maj, 2021 - 6:27 pm


Poezi nga Jehuda Amihai
Përktheu Edon Qesari


Gjeta një gazetë të njëzet viteve më parë
të javës në të cilën ne u ndamë. Shkruhej
për gjithçka, me përjashtim të ndarjes.

Ti më fut në dhé.
Je ti që më fut në dhé.
Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë
lojërat e purpurosura që i rrinë larg vdekjes.

Me raste harroj dhe jepem pas rrugëve
që nuk na përkasin më, hap kanate
të ndonjë kthese të qetë. « Nuk të lë përshtypjen, por kam dalë thjesht
për të bërë vrap. » Apo hyj në ndonjë shtëpi
për të pyetur, si në kohët biblike: Atje është ajo ende?
Ajo do të qendrojë atje për shumë e shumë vite. Lus Zotin që ajo të jetë gjallë.

Mandej bëj një prapakthim që zgjat me vite e vite,
vë dorën në ballin tim të gjerë sa një brezni.

Marr flakë.
Marr flakë edhe unë.
Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë.
Do të kish mjaftuar që veç njëri nga ne të merrte flakë
që me zjarrin e tij të ndriçonte tjetrin
dhe ditët që i mbeteshin. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme