“Herën tjetër, bëhuni i saktë, dukshëm jeni inspiruar nga Azem Shkreli”

31 Mars, 2022 - 9:30 pm

Arbër Selmani

Refuzime
Kjo poezi nuk i përmbushë kriteret e konkursit tonë
Kjo poezi është politikisht jokorrekte
Kjo poezi është sterile, nuk mund ta lë shtatzënë askënd
Kemi poezi të tjera që dashurisë ia lëpijnë gojën më mirë se kjo
Kjo poezi është e guximshme, por ka shprehje të thata
Kjo poezi ta tharton lukthin
Kjo poezi na tingëllon si e vjedhur, si e njohur
Kjo poezi nuk ka brum, dhe ne nuk kemi sitë për gjendjen e saj
Herën tjetër, bëhuni i saktë, dukshëm jeni inspiruar nga Azem Shkreli
Poezia ka brum, por e keni pjekur më shumë sesa kërkohet
Kjo poezi ka ofenduar rëndë integritetin e njërit prej redaktorëve tanë
Faleminderit për vargjet. Redaksia do ta shoshitë çdo zanore e bashkëtingëllore
Faleminderit për këtë cikël. Jemi të zhgënjyer, jeni poet mediokër
Faleminderit që na e besuat poezinë. Nuk besojmë që do t`ju shkruajmë më
Kjo poezi është kundër grave, redaktoret u çartën prej fjalëve tuaja
Kjo poezi stimulon sytë e mi të lotojnë gjak
Nuk e botojmë dot këtë poezi, inatet personale me ju janë ende prezente
A jeni mashkull që i shkruani një mashkulli tjetër, se nuk po ju kuptojmë?
Fatkeqësisht, kjo poezi është e dobët dhe varfanjake
Kjo poezi është në kundërshtim me politikat e donatorëve tanë
Kjo poezi është e nivelit të një fëmije tetë-vjeçar
Këto qenkan formulime që i lartësojnë lezbiket? Turp
Bravo për guximin, por nuk do të ju përfshijmë në antologji
Faleminderit për konkurimin tuaj. Jemi konkurs me nam. Jeni qesharak
Gjyshja ime shkruan poezi më bindëse se kjo
Poezia është diçka mbi mesatare, nuk jeni i pari që i thurni rreshta babait
Faleminderit për poezinë. Nuk shohim talent në penën tuaj
Kjo poezi tregon se nuk keni lindur për të qenë tregimtar
Kjo poezi është e shpifur, mendja juaj është e rrezikshme
Kjo poezi flet shumë për ju. E paskeni vetëbesimin e tepruar
Faleminderit që keni marrë kohë. Shkruani, por poezia nuk është habitati juaj
Poezia që na e keni dërguar nuk kuptohet as me lexim të pestë
Sinqerisht, nuk mund ta botojmë një poezi ku e thumboni pushtetin
Faleminderit për dërgimin e poezisë. Jemi revistë serioze, ju jeni poet i parëndësishëm,

Ju kemi refuzuar,
faleminderit. / KultPlus.com

Të ngjajshme