I dashuri im Lasgush

4 Korrik, 2022 - 2:22 pm

Nga Zelije Krasniqi

I dashuri im Lasgush,
Kam kujtuar që bota mban rruaza prej druri,
që të gjuaj mbi këmbana sa herë të vijë kohë e njerëzve si ti,
që bëhen dashnorë virgjëreshash
duke mos përbuzur drithërimat e shenjtërisë.
I dashuri im Lasgush,
do të tregoj se stacionet e mia nuk vijnë me mua në shtëpi,
nuk ma mbajnë emrin mend sa ty,
dhe sa here shoh veten në pasqyrë,
shoh vetëm rrobat e mia
dhe kapelën tënde të grisur nga femra të tjera të panjohura
I dashuri im Lasgush,
i dashuri i femrave që s’jetuan në kohën tënde,
më kane thënë se ti me ke dashur mua
edhe kur nuk kishte ndër mend Zoti të më sillte në racën tënde,
më ke dashur më shumë seç do të duash femra të tjera pas meje.
I dashuri im Lasgush,
që shëtitesh nëpër sytë e mi,
më thuaj se jeta ime ka një dritë të vogël
që e ke ndezur ti. / KultPlus.com

Të ngjajshme