Kristal

5 Gusht, 2025 - 10:30 am

Poezi nga Ismail Kadare

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
Si të harroj un’ dalëngadal
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht’ e lartë
Një vend ku ty të të lëshoj
Një strofë a notë, a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer, a morg-kristal
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Do gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t’ik pa kthim
Dhe nuk do dimë as ne askush
Harrim ish ky a s’ish harrim./KultPlus.com

Të ngjajshme