Kur një mëngjes

12 Dhjetor, 2021 - 9:14 am

Poezi nga Dritëro Agolli

Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do te kenë rene petale
Nga lulet e kumbullës se vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.

Aherë ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…

E, kur sytë të hapesh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!” / KultPlus.com

Të ngjajshme