‘Me dashtë’ nga Fatbardhë Hasi, fituese e çmimit të dytë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

18 Dhjetor, 2022 - 3:36 pm

Poezi nga Fatbardhë Hasi

Me dashtë

Me dashtë domethanë me dashtë pa kusht,
domethanë me dashtë n’largësi,
me dashtë domethanë me dashtë pa hile,
domethanë me dashtë qorrazi.

Me dashtë me t’tufanit fuqi,
e me kanë e qetë si frymë,
me dashtë me zjarr t’vullkanit
po me kanë e ngrohët si rreze.

Me dashtë si ujkonja e çartun gjahun,
me sy mëshqerre me vështru,
kur hienat shungullojnë themelin
dhelpërisht n’kështjellë me i ftu.

Në dashni dy poteza duhen luejt…
Me dashtë pa hile domethanë
Me ditë helm ku me gjuejt.

–Poezia e shkruar nga Fatbardhë Hasi, fituese e çmimit të dytë në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com

Të ngjajshme