Mes të qeshurash dhe veprave artistike, “Polip” rikthehet fizikisht pas dy vitesh

15 Maj, 2022 - 11:16 am

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip” është rikthyer në formë fizike pas një mungese dyvjeçare për shkak të pandemisë. “Polip” filloi më 13 maj, kur hapja e këtij festivali u bë nga Aidan Hehir, Sasa Ilic dhe Jeton Neziraj, mes shumë artistëve të pranishëm në Teatrin Oda. Ndërkohë, tema kryesore e këtij edicioni të “Polip” është kjo: “A është shkrimtari i pranishëm?!” shkruan KultPlus.

Fillimisht, Aidan Hehir filloi pjesën e saj të fjalimit përpara publikut, ku edhe e shtjelloi gjithë fjalimin e saj rreth Luftës në Ukrainë, ngjyrat e së cilës i kishte marrë edhe ky festival.

“Pas 2 viteve ne po takohemi përsëri së bashku. Ne do të flasim këtu përpos tjerash edhe për luftën që po ndodhë në Ukrainë, por gjithashtu edhe lidhshmërinë që ka letërsia me shoqërinë, politikën, luftën dhe ide të tjera. Çfarë mund të bëjmë ne si artistë për shoqërinë? Dhe tani, pas dy viteve të pandemisë dhe në këtë kohë të luftës është më e rëndësishme se asnjëherë tjetër që të jemi të bashkuar, të diskutojmë ide, e ndoshta ndikimi ynë në të ardhmën do të jetë i pranishëm”.

Ajo gjithashtu shtoi se mundohen që ky festival të jetë sa më ndërkombëtar që është e mundur, por disa autorë nuk kanë mundur të vijnë për shkak rrethanave të ndryshme.

“Shpresojmë që kjo ditë do të jetë me diskutime, me ide e sigurisht presim që edhe vitin tjetër të organizojmë këtë festival”, tha ajo.

Ndërkohë, Jeton Neziraj e hapi fjalimin duke ia bërë një pyetje vete “Çfarë ka ndryshuar për këto 12 vite”, ka thënë ai.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar, por shoku im Sasha vazhdon që të japë gjak në shtetin e tij që ta ketë të mundur të vijë në këtë festival. E kemi llogaritur që ai i ka dhënë 3 litra gjak deri tani për Kosovën. Ne japim “gjak” edhe këtu në Prishtinë për ta bërë të mundur organizimin e këtij festivali”, tha Neziraj mes tjerash.

Ndërkohë, edhe Sasha rrëfeu historinë se si ka lindur “Polipi”, duke lexuar në gjuhën angleze, me ç ‘rast publiku e miqtë e tij po qeshnin nga anglishtja dhe theksi që ai po përdorte.

“Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë festival shumë të rëndësisshëm. Polip është vendi ku ju edhe transformoheni. Faleminderit që erdhët”, u shpreh Sasha.

Kur prezantuesit po bëheshin gati që të ftonin autorët për të lexuar veprat e tyre, artistja Edona Reshitaj doli në skenë duke befasuar, përpos publikut, edhe vetë Nezirajn.

Mes një diskutimi, u vendos që fillimisht Reshitaj do të bëjë hapjen e këtij festivali.

“Një festival të letërsisë është e vështirë që ta hapësh me muzikë, por unë e kam gjetë të duhurën për ta bërë një gjë të tillë”, tha Reshitaj kur edhe filloi të këndonte poezinë e shndrruar në këngë “Kur të jesh mërzitur shumë” nga Dritëro Agolli.

Neziraj e Sasha kishin ndarë autorët në mënyrë jo-proporcionale, kjo për shkak se Neziraj kishte marrë autorin e tij të preferuar, francezin Joel Vernet.

Përpos Vernet, në këtë natë poezi u lexuan edhe nga Sebnem Isiguzel, Eqrem Basha, Ivana Bodrozic, Carsten Jensen, Jovica Ivanovski dhe Mitja Cander.

Autorët përpara se të prezantonin e të lexonin veprat e tyre, patën disa pyetje të cilat edhe ju përgjigjjën.

Ndërkohë, “Polip” ka vazhduar edhe më 14 maj, e sot do të jetë edhe dita finale, ajo kur edhe janë ftuarë të tjerë autorë për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë festival. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme