Mynih, Dimër 1973 (për Y.S)

30 Mars, 2019 - 9:00 am

James Baldwin

Në një shtëpi të huaj
Në një shtrat të çuditshëm,
Në një qytet të huaj,
Një version i huaj i imi
Po të pret.

Tash
Është shumë herët në mëngjes.
Heshtja është plot zhurmë

Bebushi po ecën nëpër dhomë
duke krijuar zëra të çuditshëm
dhe ka vendosur
të jetë shoku im.

Ti,
Do të vish sonte!

Sa e mpirë është koha!
Sa zbrazët – e megjithatë
meqë jam ulur këtu
jam shtrirë
duke ecur poshtë e lartë
në pritje
E shoh
Që aftësia e tmerrshme e kohës të na bëjë të presim
është realiteti i saj.

E shoh flokun tënd,
që e quaj të kuq
Dhe shtrihem në këtë shtrat.

Një kohë e një vend
një mik yni më ngacmoi
më tha se unë i quaj flokët e tua të kuqe
sepse as nuk i shoh e as nuk i mendoj ato.

Dikush më tha,
Shumë kohë më parë
më tha babai im:
Është e paimagjinueshme
biri im,

Të dorëzohesh në duart e Zotit të gjallë.
Tash e kuptoj fjalën e tij
Nuk do t`i shihja flokët e kuqe
pa e gjetur veten të shtrirë
çuditshëm
në këtë shtrat të huaj.
Po kjo ngjyrë u krijua prej Diellit
Dritës,
Edhe në mua edhe në ty
në këtë shtrat të huaj,
duke pritur
në këtë shtrat ku askush kurrë nuk ka pushuar!

Rrugët, i shoh
janë dimërore.
E ndjej që po vjen dëborë.
Zinxhirë rrethi në qiell,
duke ngacmuar veten, dhe së bashku
në udhëtimin e papërshkrueshëm.

E di,
Do të të shoh sonte
Edhe bora
do të bie!
Mjaftueshëm sa për të na ngrirë gjuhën e gojës,
Për të na enjtur sytë
E ndoshta as nuk do të gjendemi kurrë!

Sikur zogjtë mbi kokat tona
që po këndojnë
duke e ditur që diçka po vjen,
pasazhi i panjohur
ajri, uji, fryma
nata që po përfundon
Dielli që po perëndon
drita që po largohet
Të gjithë janë gati ta përfundojnë misionin.

Dëgjo me vëmendje,
në natyrë
kanë të gjithë zë dhe krahë
po i bëjnë zgjedhjet e tyre
Po përdorin çka kanë.
Në udhëtimet e gjata,
secili mbijeton me secilin
E duron tjetrin
me dashurinë që ndodhë
në mes të ajrit të llahtarshëm.

Përktheu: Arbër Selmani

Të ngjajshme