Ne do të bëheshim të gjitha mbretëresha

3 Janar, 2019 - 9:54 pm

Nga Gabriela Mistral

Ne do të bëheshim të gjitha mbretëresha
Të katër mbretërive skaj detit blu:
Efigjenia dhe Soledadi,
Ljusilla e Rozalia gjithashtu.

Në Luginën e Elkuit, rrethuar
Nga njëqind male varg e varg,
Që flakëronin kuq sikur na bëheshin kurbanë
Apo verdhonin si flori që na jepej haraç,

Ne thonim kështu të magjepsura
Dhe besonim verbërisht
Se të gjitha do të bëheshim mbretëresha
Në katër mbretëritë e detit pikërisht.
Me bishtalecat e vajzave shtatë vjeçe

Dhe me përparëset e kaltëra të veshura,
Duke ndjekur mëllenjat në fluturim
Nëpër hijet e vreshtave dhe pjergullave.
Dhe katër mbretëritë tona,

Do të ishin kaq të mëdha, thonim ne,
E sigurtë si fjala e Kuranit,
Do të arrinin prej deti në det.
Ne do të merrnim katër burra
Kur të vinte koha për martesë,
Dhe ata do të ishin mbretër e poetë
Si King Davidi i Judesë.

Të ngjajshme