Një poezi

21 Gusht, 2017 - 8:36 pm

Jam Shpëtim Selmani.
Motherfucker i shkencës së njohjes njerëzore.
Endacak bastard i rrugëve ku u vra shpirti.
Dhe nderi. Dhe turpi. Dhe faji. Dhe arsyeja.
Po endem atypari.
Unë dhe macja
Pa sy e Edgar Allan Po-esë.
Ende kam mundësi të bëj marrëveshje
Të fshehura me veten.
E vetmja lumturi në duar.
Po merrem me teatër. Teatri
Tjetër, dhuratë nga perënditë
Është një shfaqje pa shije
E mbipopulluar nga aktorët e këqinjë.
Jam kundër të gjitha qeverive.
Jam kundër të gjitha bashkësive atdhetare.
Dhe lirisht mund ta përdhosni
Idenë time sakate, e cila qëndron e varur
Nëpër shtyllat elektrike.
Shkruaj poezi. Kohëve të fundit
Më duket se të gjitha janë të njëjta
Dhe habitem me veten pse nuk
Heq dorë nga kjo gjë.
Por kur ndalem e mendoj.
Mendja e qenies njerëzore
Është një shkëmb fanatik
Që duhet të cahet në dysh.
Kam vibrime të frikshme kur
Gjëra të liga më rrethojnë.
Në mes errësirës rri i heshtur,
Vështroj dhe ha thonjët.
Jam romantiku i fundit
Hedhur si copë trëndafili
Në planetin e pajetueshëm.
Shel Silverstein është
Miku im më besnik,
Ngase nuk e njoha kurrë.
Jam Shpëtim Selmani.
Edhe nëse nuk do të isha
Nuk do të kishte farë rëndësi.
Fund e krye i rrahur nga
Grushtat e realitetit.
I dëbuar politikisht.
I urryer nga bombëkurdisësit.
I bekuar nga një grua
Dhe tragjikisht i zbathur në
Fushën e madhe të prushit.
Përgjithmonë hajvan vetmitar duke i dhënë
Botës dicka, për të cilën ajo nuk
Ka fare nevojë.
Një poezi.

Të ngjajshme