20 Gusht, 2025 - 8:50 pm
Poezi nga Rudyard Kipling
Shqipëroi: Ag Apolloni
N’mujsh
N’mujsh me mbledhë mendjen kur krejt rretheqark
Janë trenue e dojnë me t’ba fajtor gjithqysh,
N’mujsh vetes me i besue kur s’të besojnë aspak,
Por edhe dyshimin e tyne me e marrë parasysh.
N’mujsh me pritë pa u lodhë prej pritjes,
E kur shpifin për ty, ti mos me u ngutë,
E kur t’urrejnë, ti mos me iu përgjigj nxitjes,
Por pa u ba shumë i mirë, as shumë i urtë.
N’mujsh me andrrue, por pa u ba rob i andrrimit,
N’mujsh me mendue, por pa t’u ba fiksim
N’mujsh me provu shijen e Triumfit dhe Dështimit
Dhe me i trajtue si mashtrues të dy, pa dallim.
N’mujsh me durue me i pa se si fjalët e tua të drejta
maskarejtë i shtremojnë me i mashtru mendjet e lehta
ose me i pa t’prishta gjanat për të cilat t’ka shkue jeta
e me u përkulë me i ndreq me veglat e vjetra.
N’mujsh me i vu bast krejt ato çka i ke fitue
Dhe me i rrezikue thjesht me nji turr-a-jaz.
Me i humbë të tana, e me ia nisë ku pate fillue
dhe për atë humbje as mos me të plasë.
N’mujsh zemrën, muskujt dhe nervat prej kreje
Me i ba me t’shërby kur fati t’ka pshtet për mur,
E me vazhdue, kur s’ka mbetë asgja mbrenda teje
Veç Vullnetit që të thotë: “Mbahu, he burrë!”
N’mujsh me folë me turmat, por pa i mashtrue,
Ose me ecë me mbretin pa ia lidhë shumë nalt,
N’mujsh armikun e mikun mos me i lanë me t’lëndue ,
N’mujsh njeriun mos me ngre n’qiell, as me hedh n’baltë;
N’mujsh me e mbushë çdo minut të pamëshirë
Me gjashtëdhjetë sekonda jetë, pa dyshim,
E jotja do të jetë bota me gjithçka të mirë,
Dhe, për më tepër, do të jesh Njeri, o bir im!/KultPlus.com