Nyje me shi

5 Gusht, 2023 - 1:30 pm

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Më dhemb çdo nyje trupi
Tek bie shi…
Por më plandosë
Nyja me emrin Ti.

Përplasem me shiun
Nëpër tehet e tokës
Dhe s’quhet vetëvrasje.
Sesi vie ti në nyjen tënde
Dhe më shpëton pa dashje.

Dhe i mëtoj retë
Të bardhat, të largëta
Pa e menduar rilindjen. 
Sesi vie ti dhe ma këndellë
Pasionin përmbi bindjen.

Sa dhemb çdo nyje jete
Tek bie dashuri…
Por më ngufatë
Nyja që mbështolle Ti.

Kur rrezet lëshohen si shi
Bëj paqe me tehet në tokë
Nyjet zënë të shkrihen si qiri
Ti më jep dhe pak kohë…

Drita që hapë kanatat e shpirtit
Nyjet m’i shkrehë si pendël gri
Rrokë yjet, kërcej brigjet si çilimi
Deri në gjithësi, jo,
Por gjer te nyja Ti./KultPlus.com

Të ngjajshme