Poemë gruaje

18 Tetor, 2019 - 9:55 pm

Poezi nga Erina Çoku

Kam me ikë dikur,
ishull i ri i veshur me ujë
atje ku varkat e tua nuk i këndojnë dot lundrimit,
atje ku udhët e tua bardhë e zi nuk mbërrijnë,
por dredhojnë si shteg gjarpërues në mal.

Kam me ikë dikur;
të gjitha gratë ikin
dhe të gjithë burrat bëjnë sikur ikja u përket,
mandej mbeten me një zgavër në kraharor,
të peshës që iku aq e rëndë.

Është herët për drejtpeshën tënde,
peshorja jote po ndërtohet aq ngadalë,
me mishin, ashtin e gjakun e trupit që je,
fryma ime t’i ka mbushur hojëzat e trupit,
e lehtë dhe e padallueshme
dhe unë qelizohem në tejzat e tua,
(në të gjitha tejzat e tua)
tinëzare dhe e dashur,
sikur të isha e kuptimtë,
sikur të isha e butë dhe e ngrohtë,
sikur të isha gjithsej mungon brenda teje kaq kohë.

Kam me ikë dikur,
ndërtim i botës nga fillimi,
atje ku shpirtit i dalin tingujt lakuriq,
atje ku tejzat kanë një amplitudë të matshme,
në thellësi të ujit, në thellësi të limfës.

Kam me ikë dikur,
po jo si të gjitha gratë ikin,
më shumë si motivet e një mozaiku,
që në fillim krijojnë thelluke mes tyre,
pastaj largohen një e nga një,
me një lamtumirë të domosdoshme,
se unë jam shpërbërje pa ngut,
pa fillesë, pa emër, pa kujtesë,
mua nuk më ngjan askush, asgjë,
ciflat e mia do të hyjnë në qenien tënde,
do të të mahisin, do të të krijojnë
dhe ti nuk do ta njohësh më veten.

Kam me ikë dikur,
sikundër ti më do të ikshme,
fjollë e lakueshme në vende me dritë,
po aq e bukur sa dje kur më deshe të ardhshme,
jo aq e bukur sa nesër kur të të zgjohen vetmitë
e të ndiesh mbi lëkurë sythat e mi që çelin pa lajmërim.

Është herët për ty
të ndiesh bimën që do të bëhesh,
me shenjat që të kam lënë nën lëkurë,
duke krijuar hartën që kërkonte zemrën tënde,
duke u trandur kur duart prekën të tuat duar,
është herët, por jeta qenka aq e vonë,
për dashurinë që nuk i ndan motet,
po pret që hëna të bëhet diell e shiu re.

Herët, herët, herët,
si dje, si sot, si tani,
si kjo mbrëmje, që shket e lëmuar trupit tim
dhe më pyet: këtu je ende, moj grua?

Të ngjajshme