‘Prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe’

23 Qershor, 2022 - 9:30 pm

Poezi nga Herman Çuka

më dëgjo!

ti bën një rrëmujë të madhe
mashtruar botën, kërkon
t’i ngulësh një gozhdë,
t’a mbërthesh tek pragu i ferrit,
e ajo digjet në ethe e përsëri, vërtitet

dhe me një luftë të madhe,
kërkon lavdinë e tërë shekujve
të humbur…
por përsëri bota e mëshirshme
e gëlltit brënda vetes,
si barku i nënës
dhimbjet e fëmjëve të prapë,
e përsëri vërtitet
e nuk bie… se i duhet
të mbajë shtëpinë
e madhe,
bashkë me ty, e jashtëqitjet,
mbetjet e riciklimet urbane
dhe ëndrrat e bukura
të një shpirti të bardhë
që i duhet të mbajë gjallë shpresën

se ke menduar ?
se, kur të dojë vetë
do t’shpërthejë në dorë

prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe
megjith’ kopshtin e edenit

e bota vërtitet… / KultPlus.com

Të ngjajshme