Rituali i mërzitjes

11 Tetor, 2022 - 1:56 pm

Sali Bashota 

E mërzitur është nata
Kur gjërat e ndieshme grisen
Si fijet e holla të frikës
Në rrugën e ndjenjave të shkrumbuara
Nuk ka kush me ndez të shkretin zjarr
As në mëngjesin tjetër
Kur ikin të gjitha pulëbardhat
E mërzitur është heshtja
Derisa harresa e gishtërinjve
Nuk e prek më fundin e puthjes

E mërzitur është vetmia
Kur retë e pikëlluara në qiell

Prapë inatosen me ikjen e zogjve
E mërzitur është dhimbja
Përse nuk ka sy të tjerë që shohin
Afshin e ngujuar në shpirtra
E mërzitur është dashuria
Kur e harrojmë emrin e luleve
E mërzitur është ëndrra
Nëse parakalojnë të gjitha hijet  
Diku afër vdekjes

(Prishtinë, 11 tetor 2022) / KultPlus.com

Të ngjajshme