Rrëfim Qytetit

25 Mars, 2019 - 8:20 pm

Poezi nga Nora Prekazi Hoti

O qytet, o skutë, o rrëmujë
Thellë brenda m’janë gdhendë rrugët e tua
me beton t’plasaritur
Ke mbetë si fëmijë i pa përkëdhelur
Sall vetëm e i gjymtuar

O qytet, o oborr im i vogël
Ngjyrat nuk po t’rrijnë mirë
T’i kemi m’veshë e ngjyrosë ballet secili me imazhin e vet
Pa t’i njohur kufijtë
O gardhi im, që në andërr t’i shoh rrugët ku s’shkruhet shqip

O qytet, o kuzhina ime e verës
Palë palë është skalitë dashuria për ty, krejt ngadale
Më djeg brenda kur të tjerët shqyejnë gurmazin 
me kravatat e tyre pa shije 
e pa asnjë kujtim rrugëve të tua me qorrsokakë, 
pa asnjë kujtim te shkallët, te kinematë, a te “Poleti”, 
po me uri veç për me ta marrë ambrozin e nektarin.

O qytet, o dhembje
Kur isha ma e re, s’të kam njoftë sa duhet,
e pa t’njoftë kam dëshiru mos me t’taku, 
E sot kur t’i kam mësu zhvatjet nëpër kohë, 
T’i kam mësu kalitjet nëpër sisteme,
qajë, kur njerëzit hedhin vnerë mbi ty.

O qytet, o andërr
Me pas mundësi vet t’i ujiti të gjitha parqet, 
T’i mbledhi të gjitha hedhurinat, të mbjelli lule, ta shtoj frymën
Me pas mundësi vet t’i fshijë sharjet në mure, 
e flamujt që s ‘të përkasin 
Me pas mundësi vet t’i ndreqi fasadat, 
t’i ndreqi dritat, t’i pastroj trotuaret, t’i qeli urat

O qytet, o shpi
T’i mbetesh nishan. 
Ata që shkuan, gjithmonë kanë copëza tua me vete,
qoftë pluhur, qoftë plumb,
qoftë grimca vizllimash të andrrave të tyre të hershme
Një e di, që nuk mundem me të shajtë, 
Kurrë s’ka me u ngopë dëshira me t’pa ma mirë,
E kurrë s’mundem me t’lanë.

Të ngjajshme