Shkruaj poezi

1 Shkurt, 2018 - 9:09 pm

Poezi nga PETRIT RUKA

Shkruaj nëse sytë të kanë lënë e nuk sheh,
në je i belbër
a mbete pa këmbë,
po ngele jetim, në burg a me kancer,
kur shpirti të ka ardhur ndër dhëmbë.

Shkruaj po u ndave nga një grua a shok,
kur malli të këput për të vdekur.
Kur ëndrra nuk sheh dhe duhet t’i shpikësh,
kur ajri ngjishet, bie era hekur.

Shkruaj poezi kur fjalët mungojnë,
fshihen si milingonat nga shiu.
Kur të ndjesh se të gjithë
të paskan harruar
siç harrojnë arixhinjtë një varr arixhiu.

Shkruaj kur të mungon i tëri Atdheu,
kur Atdheu për festa
ha mëlçinë tënde,
kur vetmia të të mbetet e vetmja grua
që mund të martosh çdo mendje.

Në këto çaste shkruaj
për të mbetur i gjallë,
të mbijetosh mes Hiroshimë së marrë,
shkruaj që Biblioteka e Aleksandrisë të gjendet
të lexosh aty poezinë tënde të parë.

Por mos shkruaj kurrë, kur të jesh i lumtur,
se nuk je ti,
je ndërruar me një tjetër.
në botë nuk mbeti më asgjë për të parë
përveç poezisë, gjithçka është e vjetër…

Tiranë, janar 2013

Të ngjajshme