‘Ti mbolle drurin që i thonë jetë, në kreshtën tënde me diellin kunorë’

2 Dhjetor, 2022 - 5:02 pm

Poezi nga Sabri Hamiti

1.
Se Hyji në tokë ka pamje Njeriu
Dhurata jote qe veç dashuria
Kur pret stuhia e ngrin veriu
Si buka si uji ka shijen liria

Qiellit preke yje si lule në fushë
Pa e lënë fushën ta kafshojë malin
Kalove ylberin e vare në gushë
Po kur shtrëngata shalonte kalin

Ti mbolle drurin që i thonë jetë
Në kreshtën tënde me diellin kunorë
E barte dhembjen udhës përpjetë
Me lotin e vokët që shkrin dëborë.

2.
Po të më shihni një grumbull Hini
Kujtoni sa madh ishte Zjarri
Secili mërdhezet e mos mërdhini
Kush në vrapim me dalë pari

Isha fort i butë me më thanë Hyjni
Një trup gurtë përmbi bregore
Isha fort qetë me më thanë Njeri
I gjallë përjetë në zemra njerëzore

Luta tokë e qiell në shqip ligjërimin
Bota e kuptoi me gjuhën e vet
Malet u tundën e gjetën shpëtimin
Në Lumbardh e Dri shpirti ra qetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme