‘Vdekja po m’i pi purot’

6 Shtator, 2021 - 1:30 pm

Poezi nga Charles Bukowski

ta dini; sërish jam këtu, i dehur,
po e dëgjoj Çajkovskin në radio.
Jezu, e kam dëgjuar para 47 vjetësh,
kur isha shkrimtar që vdiste urie,
e ja tash këtu prapë,
e tash kam fituar famë të pjesërishme si shkrimtar,
e vdekja bredh nëpër këtë dhomë,
poshtë-lart duke m’i pirë purot e mia,
dhe verën time me gllënjka të vockëla,
derisa Çajku me ngulm merr hakun me Pathetiquen e vet,
njëfarë rrugëtimi ka qenë,
e i gjithë fati që pata pasur qe,
ai që zaret i pata hedhur bash ashtu si duhej:

vdisja urie për artin tim, vdisja sall që t’i
shtija në dorë 5 minuta të mallkuar, 5 orë,
5 ditë –
e krejt çka doja ishte ta nxirrja fjalën
prej vetes;

fama, paraja, s’e çaja fare kokën për to:
doja sall ta nxirrja atë fjalë nga vetja
e ata më donin buzë presës së stampimit,
linjës së montimit në fabrikë
donin të bëhesha magacinier në
shtëpi mallrash.

mirë de, thotë vdekja, derisa endej nëpër dhomë,
kot e ke do të të rrëmbej
çfarëdo që të kesh qenë:
shkrimtar, shofer taksie, kodosh, kasap,
parashutist, do të të kap…

mirë e ke zemër, i them,
e tash pijmë së bashku
derisa 1 pas mesnate kalon me ngadalë në 2
pas mesnate dhe sall ajo e di çastin
e duhur, por unë përnjëmend e
kam mashtruar: i kam pasur
5 minutat e mi të mallkuar
e bile, bile edhe më
tepër./KultPlus.com

Të ngjajshme