Via Dolorosa

28 Mars, 2024 - 10:12 pm

Poezi nga Ndue Ukaj

Via Dolorosa

Mali i ullinjve është i zbrazët.
Në Via Dolorosa dëgjohet zukama e mizave
dhe një heshtje mizore që përshkon qiellin si murmurima.
Kanë ikë ushtarët dhe gjyqtarët nga sallat e drejtësisë.
Ai Juda i ri me tridhjetë aspra në xhep
është plandosë në Arën e Gjakut.
Pilati, perandorët dhe të gjithë komandantët
dihatin të frikësuar në fronet e mbyllura.

Është pranverë dhe dielli është i mërzitur,
si këto Pashkë të vetmuara.
Njerëzit kanë mbyllë dyert dhe dritaret si dikur kur u ça tempulli.
Ushtarët s’rrinë të rreshtuar, kanë heqë rrobat,
helmetat dhe janë ngjeshë me trishtim.

Është koha e kryqëzimit, të gjithë jemi në kryq.
Turmat e hamendura s’dynden në rrugët e Jerusalemit
Janë mbyllë dhe përmes frikës shohin zbrazëti.
Zbrazëti ka shumë dhe askush s’ka dëshirë ta bëjë udhën e vuajtjeve.
Të gjithë luten të largohet ky kelk trishtimi.

Kambana s’bien, zogjtë të mërzitur s’cicërojnë.
Rruga Via Dolorosa është e zbrazët, s’dëgjohen shushurinë gjuhësh, dëshirash.
I zbrazët është Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan,
ai i Nënë Terezës në Prishtinë.

Sa shumë zbrazëti dhe pikëllim.
Njerëzit kanë nevojë për pak mirësi dhe thonë: “kemi etje.”
Ç’mendojnë zemrat e helmuara që s’dinë ç’është etja e dashuria?

Heshtje, heshtje, e tmerrshme si atëherë kur Krishti dha shpirt.

Sot të gjithë të mbyllur përshkojnë Via Dolorosan
dhe shkruajnë dramën e Pashkëve,
gatuajnë bukën e dashurisë me përbërje të gjithfarshme:
pak lot, shumë shpresa, ca dhimbje dhe një grusht dashuri.

Të dielen me parfume në dorë, presim,
presim të hyjë aroma e bukës në dhomë
dhe errësirën ta davaritët
dhe të lëshojë një ngjyrë më të bardhë se bora.

Si fëmijë e kam mësuar se një e premte e zezë
mund ta mërziste edhe një gur
dhe një e diel e bardhë
mund ta zbuste edhe një zemërgur./KultPlus.com

Të ngjajshme