Ymer Elshanit

30 Qershor, 2019 - 11:37 pm

Poezi nga: Rifat Kukaj

Ahiii, vëlla i shtrenjtë, Ymer Elshani
Parandjej se derisa t’jem gjallë
Në plagë t’hapur do m’pikoj katrani
Lot i shpirtit do m’këlthasë n’qëpallë!

Pa ty netët zvarritën ngathtë – ngathtë
Për n’vendlindje udha m’është shëmtuar
Se ç’na e theve, ore krahun e djathtë
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar!

Në orët letrare tani si të shkojmë
Pa buzëqeshjen tënde aq bujare?
Kurreshtarëve mësues c’ka t’u thomë
Dhe zogjtë që çukisin në abetare?!

Si do t’na vijë lejleku i parë
Pa ëndrrën tënde n’flatra o mik?
Si do mbijë kokërr gruri n’arë,
Pa afshin e vargut të ri – lirik?

Më bëhet sikur më le një porosi
Që më erdhi me zërin tënd të gjallë
“Ma përkëdhel gjithandej çdo fëmijë,
M’ia fshij lotët shkurtabiqit n’përrallë!”

Kjo Drenica jonë përherë e zhuritur
Nën rrufetë e këtij qielli të nxirë,
Yje t’çiltër lindi e të ndritur
Që barbarët i krodhën nē humbëtirë!/ Telegrafi/KultPlus.com

Të ngjajshme