Zbritjet s’janë të lehta

5 Prill, 2024 - 10:30 am

Ndue Ukaj

Mes fjalësh pa peshë,
papritmas sheh një kthesë në jetën tënde.
Mbrëmje dhe stuhi. Dhe vetmi e nënkuptueshme.
Të duhet zbritja nga zeniti i figurave poetike,
atje ku krijove poema të bukura blatimi.
Dhe pastaj rrugës e kupton se krahët t’i kanë cunguar demonë të pabesë.

Zbritja s’është e lehtë,
kur s’je engjëll hijelehtë
të kërcesh kodër n’kodër,
të fluturosh me retë
ose t’i dëftohesh dikujt në ëndërr.

Në sheshin e metaforave ka rrëmujë mendimesh,
paqartësi shprehjesh dhe kaos dëshirash.

Njerëzit u blatohen truporeve të larta
dhe një ditë do t’i pështyjnë ato.

Fryn erë e fortë dhe ka mendime të turbullta.
Askund s’duket shtëpia e ëndrrave, as tabelat orientuese,
që të dëftojnë rrugën drejt pyllit të lumturisë.

Vjen momenti kur duhet të lëvizësh akrepat prapa
dhe e sheh stinën e ftohtë
qe troket në derën tënde.

Muret e shtëpisë duke u zvogëluar
dhe turmat duke u zvogëluar
dhe idetë duke u zvogëluar
dhe dëshirat e mbetura udhëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme