Alban Skënderaj publikon baladën “Plagë në gjysmëshpirt”

18 Mars, 2019 - 9:00 am

“Plagë në gjysmëshpirt” është titulli i këngës më të re të Alban Skënderajt, të cilën e ka publikuar në versionin audio.

Vet kantautori qëndron prapa kësaj kënge, të cilës ia ka bërë muzikën dhe ia ka shkruar tekstin.

Është një baladë që vjen e interpretuar mirë nga Albani, ndërsa orkestrimin e ka bërë Endrit Shani.

“Duhet të pranoj se ky dimër ka qenë i ftohtë si në zemër, ashtu dhe në frymëzim për mua. Duke ardhur pranvera e duke çelur lulet e para, rritet dhe dëshira për jetën e për të krijuar muzike me energji pozitive, por para se të nis këtë kapitull të ri, kam ende një këngë që dua ta ndaj me ju”.

“E kam shkruar saktësisht para 10 vitesh, edhe pse ka qenë gjithmonë më shumë e Miriamit sesa e imja si kënge. E kam shkruar menjëherë mbasi nëna e saj e dashur u largua papritur dhe tepër e re nga kjo botë. Unë hodha në vargje e muzikë dhimbjen e Miriamit, edhe pse përjetimi ishte i fortë edhe për mua”

“Nënën e saj e kujtoj si një njeri të jashtëzakonshëm që kujtdo i dhuronte vetëm buzëqeshje dhe mirësi. Miriami nuk ka mundur dot asnjëherë ta këndojë për shkak të emocioneve, por ç’është e vërteta të dy, ndoshta gabimisht, kemi menduar që dhimbje të tilla kaq të thella dhe personale nuk ka nevojë të ndahen me publikun, por duhen mbajtur për vete dhe më vete”, ka shkruar Albani mes tjerash në një postim në Instagram. /Telegrafi/ KultPlus.com

Të ngjajshme