DJ Khaled nderohet me yll në shtegun e famës në Hollywood

12 Prill, 2022 - 1:04 pm

Producenti i famshëm i muzikës hip-hop, DJ Khaled, u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.

Ceremonia e zbulimit të yllit të tij u bë të hënën (11 prill) në Los Angeles dhe të pranishëm ishin disa prej kolegëve të tij më të famshëm në industrinë e muzikës, si Fat Joe, Jay-Z dhe Sean Combs.

“Ti je një pionier. Ti je një ikonë dhe një biznesmen i shkëlqyeshëm. Por, më e rëndësishmja, je një mik i mirë për të gjithë ne, një baba i mrekullueshëm, një burrë i përkushtuar dhe një prej njerëzve më të dashur që i kam takuar ndonjëherë. Energjia dhe etika jote e punës nuk ka të krahasuar. Ne të festojmë për gjithçka që ke arritur deri më sot, dhe gjithçka që i ke dhuruar skenës kulturore dhe industrisë së muzikës. Khaled do të thotë përgjithmonë”, deklaroi reperi Sean Combs.

Në fjalimin prekës dhe emocional para të pranishmëve, Khaled zgjodhi ta nderojë gruan e tij, Nicole Tuck dhe dy fëmijët Asahd dhe Aalam, raportoi të martën agjencia e lajmeve “AP”.

“Fillimisht dua ta falënderoj Zotin, të cilin e dua dhe e vlerësoj shumë. Po ashtu dua ta falënderoj gruan dhe dy djemtë e mi të bukur, ju dua shumë të treve. Pa juve nuk do të isha këtu ku jam sot. Nicole, e vlerësoj shumë çdo gjë që e bën për ne dhe që kujdesesh siç është më së miri për fëmijët dhe mua, sidomos kur e di që nuk jam një burrë i zakonshëm”, tha Khaled.

Ai shtoi se me këtë yll i është plotësuar ëndrra e kamotshme.

“Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet, por ëndrrat realizohen vetëm me punë dhe përkushtim. Unë kështu besoj, që ti mund të kesh ëndrra të mëdha për jetën, por nuk duhet t’i lësh të mbesin vetëm ëndrra. Duhet të punosh për t’i bërë ato realitet. Është emocion i veçantë për mua që vij nga Miami, të jem këtu sot duke i nderuar me një yll që e mban emrin tim në shtegun e famës në Hollywood. Jam shumë falënderues dhe ia dedikoj këtë arritje familjes dhe djemve të mi. Do Zoti që një ditë edhe ata të nderohen me yll në këtë bulevard”.

Gjatë karrierës së suksesshme muzikore, DJ Khaled i ka publikuar gjashtë albume dhe katër këngë, të cilat kanë kryesuar toplistat muzikore anembanë botës. Po ashtu ai është shpërblyer me disa çmime si dhe është nominuar katër herë për çmimin prestigjioz “Grammy”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme