“Don’t Judge Me” kënga e re e FKA Twigsit që flet për racizmin në Britani të Madhe

27 Janar, 2021 - 3:53 pm

FKA Twigs e ka publikuar videoprojektin e ri muzikor me titull “Don’t Judge Me”, të cilin e sjell në bashkëpunim me reperin Headie One dhe kantautorin britanik Fred Again.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip të fuqishëm, të cilin këngëtarja e ka bashkëdrejtuar me regjisorin Emmanuel Adjei, i cili në të kaluarën ka punuar me yje të tillë të muzikës, si Madonna dhe Beyoncé.

Sipas një prononcimi për media bëhet e ditur se projekti, “Don’t Judge Me”, e shfaq eksperiencën e të qenit afrikano-amerikan dhe britanik në botën moderne, si dhe e përfaqëson një luftë të përbashkët kundër tiranisë së padukshme të shkaktuar nga paragjykimet kulturore, sistematike dhe strukturore, të cilat shpesh është vështirë për t’i parë dhe ende më e vështirë për t’i tejkaluar.

Së fundmi FKA Twigs e kujtoi abuzimin e tmerrshëm racist që e kishte përjetuar, gjatë kohës sa ishte në lidhje dashurie me aktorin e njohur britanik, Robert Pattinson. Ajo tha se ishte pre e komenteve të rënda dhe injorante nga disa adhurues të zjarrtë të aktorit, gjatë tri vjetëve sa ishte në lidhje romantike me të.

Gjithashtu para pak javësh, këngëtarja britanike emri i vërtetë i së cilës është, Tahliah Barnett, ka ngritur padi kundër aktorit Shia LaBeouf, të cilin e akuzon për abuzim fizik dhe emocional gjatë lidhjes së tyre një vjeçare.

Padia e ngritur në gjykatën e lartë të Los Angelesit, kërkon dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga aktori, i cili besohet se e ka sulmuar atë seksualisht dhe i ka shkaktuar shqetësim emocional.

Sipas saj, LaBeouf e kishte nënçmuar vazhdimisht duke iu drejtuar me fjalë ofenduese. Në një rast thuhet se aktori e ka përplasur këngëtaren për veture dhe ka provuar ta ngufatë atë. FKA Twigs po ashtu thotë se aktori disa herë, me vetëdije të plotë i ka bartur sëmundje seksuale.

Këngëtarja shumë e talentuar FKA Twigs e posedon një zë interesant dhe stil unik të interpretimit, por jo gjithmonë arti i saj kreativ arrin të kuptohet nga publiku mbarëbotëror. Megjithatë ajo vazhdon të sjell projekte të veçanta në tregun muzikor. / KultPlus.com

Të ngjajshme