Dua me albumin e ri ia arriti qëllimit

10 Prill, 2020 - 9:07 am

Dua Lipa ia hoqi sytë kamerës dhe e mbuloi fytyrën me njërën dorë.

“Nuk doja ta bëja këtë”, psherëtiu ajo. Nuk mund t’i fshihte lotët. Ishte fiks pas orës 10:00 të një të hëne marsi. Nuk ishte rrugës për New York për prova, para paraqitjes së planifikuar në emisionin “Saturday Night Live”. Nuk ishte as për sesion fotografish, siç rëndom bën një artist para albumit të dytë të shumëpritur.

Ishte në karantinë, në Londër. Nga Instagrami po fliste me fansat për vetëm herën e dytë.

“Kam qenë në një konflikt për publikimin e albumit dhe e dini nëse është gjëja e duhur gjatë kësaj kohe, sepse shumë njerëz po vuajnë”, sqaroi Dua me lot në sy. Albumi do të publikohej pas 11 ditësh. Dua e mblodhi veten dhe foli për shmangien e përqendrimit në presionin që vjen troç me realizimin e albumit të dytë që mund të përcaktojë fatin e këngëtares.

Ama albumi e bëri të ndihej mirë. Ajo shpresonte se albumi “Future Nostalgia” do të sillte gëzim te fansat e saj në kohë paqartësie. Lansimet e pop-albumeve janë si fishekzjarrët e 4 korrikut: me shumë koreografi dhe pjesë të menduara mirë që kërcënojnë të shpërthejnë në çdo moment.

Për një artiste të re e të fuqishme si Dua, albumi i ekzekutuar me mjeshtëri mund të vendosë nëse do të shkojë hapave të yjeve si Katy Perry e Lady Gaga, apo t’u bashkohet shpresëdhënësve që u rrëshqiti fama, raporton NYT, transmeton KOHA.

Pasi bëri bashkë “Future Nostalgia” – të ndërtuar në suksesin e albumit debutues të vitit 2017, me gjashtë këngë fort të suksesshme në toplista dhe me qindra performanca nëpër botë – Lipa dhe ekipi i saj krejt papritur e morën vesh se disa topa ia kishin huqur cakut; dhe krejt anija e tyre ishte në rrezik të fundosej. / KultPlus.com

Të ngjajshme