Ed Sheeran ia ka dhuruar 170 mijë funte shkollës së tij të vjetër

19 Maj, 2020 - 2:22 pm

Pop ylli 29-vjeçar, Ed Sheeran, ia ka dhuruar një shumë të majme të hollash shkollës “Thomas Mills School” në Suffolk, përgjatë një periudhe mbi dy vjeçare. Qëllimi i këngëtarit është që t’i ndihmojë studentët të dallohen në sferat e artit dhe departamentin e IT-s.

Gjatë kësaj kohe, fondacioni “Ed Sheeran Suffolk Music Foundation” ka ndihmuar në blerjen e laptopëve, kamerave dhe krijimin e një dhome të fotografisë për këtë shkollë, që është vendi ku Sheeran e kishte takuar bashkëshorten e tij, Cherry Seaborn, transmeton Koha.

Richard Hanley, drejtori i departamentit të muzikës në këtë shkollë, citohet të ketë thënë: “Nxënësit dhe stafi i kësaj shkolle janë fatlum që e kanë një person bamirës i cili i njeh dhe i çmon vlerat e artit në fushën e edukimit. Ai e kupton sa i rëndësishëm është arti për të rinjtë dhe se si mund t’i ndryshojë jetët e tyre.”

Përveç këtij donacioni, ylli i hitit “Shape of You” i ka dhuruar edhe 10 mijë funte për një shkollë fillore lokale, si dhe 10 mijë funte të tera për spitalin “Aldeburgh Hospital League of Friends”.

Ndërkohë, kantautori Sheeran së fundmi e kryesoi listën e të përditshmes “The Sunday Times” të muzikantëve më të pasur nën moshën 30-vjeçare në Britani të Madhe. Sheeran, falë 40 milionë funteve të fituara gjatë vitit të kaluar, ka arritur ta krijojë një pasuri totale prej 200 milionë funtesh, duke e siguruar kështu edhe vendin e parë në listën e muzikantëve më të pasur të rinj. / KultPlus.com

Të ngjajshme