Fatmiri e Mimosa dhe parfumi i tyre “Versuit” që lindi nga dashuria

3 Nëntor, 2018 - 8:00 pm

Fatmir Kastrati me bashkëshorten e tij, Mimosa Alimehaj, kanë lansuar në Cyrih parfumin e ri me emrin “Versuit”, në të cilin kanë investuar mund dhe dashuri të madhe

“Versuit” është një emër të cilin Fatmir Kastrati e kishte ruajtur me fanatizëm për 16 vite.
31-vjeçari me prejardhje nga Karaçeva e Kosovës ka vendosur ta nxjerrë nga arkivi emrin “Versuit” dhe së bashku me bashkëshorten e tij, Mimosa Alimehaj, me prejardhje e Lybeniqit të Pejës, kanë emërtuar parfumin e tyre që është lansuar, mbase si produkt i parë i këtij lloji, “Made in Switzerland”.
Aroma më e re për femra, e lansuar nga Fatmiri dhe Mimosa, ka dalë në shitje ndërsa ëndrrën e tyre dy bashkëshortët e rinj e kurorëzuan në një event të organizuar në Cyrih me miq dhe shokë të tyre.
“E kam ruajtur me vite këtë emër duke ëndërruar se do të bëj ndonjëherë ndonjë koleksion rrobash me emrin tim `Versuit`”, rrëfen Fatmiri, i cili prej vitesh vizaton plane në sanitari.

Dashuria e shkrirë në emrin e parfumit

Por, historia e këtij emri ka edhe dashuri brenda. Fatmiri i kishte shpallur Mimosës martesë në ishujt Maldive dhe gjatë rrugës e kishin zbuluar idenë e tyre për të bërë bashkë një parfum të tyre në Zvicër.
“Personi i parë që i kam treguar për emrin `Versuit` ishte Mimosa”, tregon Fatmiri.
Pastaj fillon edhe konkretizimi i idesë: hapja e firmës, dhe patentimin e emrit në shumë vende të botës: SHBA, Japoni, Rusi, Kinë, Evropë etj.
“Natë e ditë punuam duke bërë dizajne, vizatime dhe në vitin 2017 e kam braktisur punën për t’iu përkushtuar produktit të ri”.

“Aromën e kemi gjetur në Zvicër. Ajo pra është `Made in Switzerland` dhe na ka marrë shumë kohë, gati dy vjet deri sa e kemi finalizuar produktin për tregun zviceran”, thekson Mimosa, emri i së cilës ka vulën në parfum, e që nuk e shohin të gjithë po vetëm njerëzit e verbër (Sistemi Braille).
Nuk është vetëm emri, parfumi i tyre ka edhe një lidhje me Mimosën. “Versuit” ka aromë nga lulja mimozë, një lule që rritet në pemë dhe është e njohur si pemë mëndafshi persike.
“Tashmë janë realizuar kontaktet e para me shitoret e specializuara për parfum dhe bizhuteri.
Fatmiri dhe Mimosa mbase mund të jenë çifti i parë shqiptar në Zvicër që ka prodhuar një produkt të këtillë “Made in Switzerland”.

“Të gjithë na kanë inkurajuar për guximin dhe na kanë premtuar se do të na mbështesin në biznesin tonë”. Mimosa dhe Fatmiri shpresojnë te miqtë e shokët, tek bëjnë gati porositë e para të parfumit të tyre..
“`Versuit` është parfum i pastër, pa përzierje tjera”, krenohet çifti shqiptar duke pretenduar edhe tregun jashtë Zvicrës: Evropë dhe SHBA.
Çifti do të na befasojë edhe me produkte tjera
Linja me emrin “Versuit” nuk do të përfundojë vetëm në një parfum femrash. Mimosa dhe Fatmiri kanë edhe plane tjera, që nuk ngurruan t’i zbulojnë për albinfo.ch.
“Nëse e bëjmë një parfum burrash nuk do të dalë i njëjtë. Ky produkt ka një histori, ka një moment dhe është kurorëzim i një dashurie”, thotë Mimosa, me profesion infermiere-asistente e mjekut.
Vizatimet në plane për sanitari i ndihmuan Fatmirit që të dizajnojë dhe koleksionojë formën e parfumit, po edhe linjën e koleksioneve tjera.
Befasi do të ketë edhe në të ardhmen. Shumë shpejt do të hasni edhe koleksione rrobash në Zvicër, po edhe në kozmetikë, po me të njëjtin emër “Versuit”.

Parfumi “Versuit” mund të porositet online: www.versuit.ch./albinfo.ch

Të ngjajshme