Fondacioni Jahjaga lanson koleksionin “One in Three and All for One”, synohet fuqizimi ekonomik i grave

13 Korrik, 2022 - 5:03 pm

Fondacioni Jahjaga mbrëmë ka lansuar koleksionin e ri të veshjeve të brendit ”One in Three”, brend ky që është iniciativë e Fondacionit Jahjaga dhe ka për qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes punës në fushën e rrobaqepësisë, shkruan KultPlus.

Atmosfera mbrëmë në Vendum Lounge në Prishtinë nisi qysh në orën 19:00, atëherë dhe kur ambasadorë, pjesëmarrës nga bota e biznesit, showbizit dhe fytyra të shumta publike po mbushnin hapësirën dalëngadalë. Të mbledhur të gjithë për brendin “One in three”, emërtimi i së cilit ka për qëllim rritjen e vetëdijes për shkallën e dhunës me bazë në gjini, duke pasur parasysh që në nivel global, një në tre gra përjeton dhunë, të gjithë pjesëmarrësit bisedat e tyre i drejtonin rreth veshjeve të cilat në një kënd po qëndronin të kuruara deri në pikë të fundit.

Këtij koleksioni i janë bashkuar figura të ndryshme publike dhe aktivistë të cilët kanë kontribuar drejtpërdrejtë në fuqizim ekonomik të grave, duke ofruar dizajne të veshjeve për këtë koleksion. Më pas, këto produkte janë qepur me shumë dashuri dhe përkushtim nga gratë e angazhuara në këtë projekt.

Ngjarja është shoqëruar nga fjalime prej ish-presidentes Atifete Jahjaga (Presidente e Republikës së Kosovës 2011-2016) dhe Carolin Ziadeh, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkaq veshjet janë prezantuar nga individë të njohur për publikun të cilët kanë kontribuuar në koleksion duke i dizajnuar këto veshje.

“Ky projekt me brendin “Një në tre” është një kreacion i cili është punuar nga fillimi me shumë dashuri, me shumë pasion dhe për qëllim kryesor ka pasur fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave përmes punës së tyre të dorës dhe pavarësimin e tyre financiar. Fatkeqësisht, ne të gjithë e dimë që tregu i punës nuk është një hapësirë e barabartë për të gjithë, sidomos kur bëhet fjalë për vajzat dhe gratë. Pikërisht për këtë arsye, fondacioni Jahjaga vitin e kaluar ka lansuar këtë projekt me qëllimin e vetëm, pikësëpari që të shkëputet ky zinxhir i dhunës që po shtohet ndaj vajzave dhe grave të Kosovës”, thotë Jahjaga.

Sipas saj, para disa muajve, ky projekt ka filluar vetëm me një dyqan virtual me disa gra kreatore, me një vizion dhe pasion të jashtëzakonshëm për të punuar kreacione, por tani disa muaj më pas, po lansohet edhe linja e dytë.

“Ne e dimë që Kosova ka pasur dhe ka gra të zonja të cilat e kanë dëshmuar veten dhe po e dëshmojnë veten dita ditës, por ato gra nuk do të mund të kishin arritur këtu ku janë sot, pa kaluar një numër të madh të sfidave. Një në tre gra në botë është viktimë e dhunës fizike apo psikike përbrenda familjes. Mjafton vetëm një individ që të ngritë zërin apo të marrë një iniciativë për të vetëdijesuar shoqërinë. Ne që jemi mbledhur sot në këtë masë është një tregues i qartë që neve duhet të përçojmë një mesazh të rëndësishëm që dhuna nuk lejohet dhe të arrihet barazia mes nesh”, përfundon ajo.

Ndërkaq, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Carolin Ziadeh, ka thënë se është një privilegj që ajo ishte mbrëmë në mesin e tyre.

“Është privilegj të jem këtu sot. Ky projekt është një demonstrim i gjallë i një rruge të suksesshme drejt barazisë gjinore”, ka thënë ajo.

Kështu krejt në fund u prezantuan edhe veshjet e mahnitshme nga vetë figurat e pranishme që janë pjesë e këtij koleksioni.

Deri më tani, Fondacioni Jahjaga ka lansuar dy koleksione –One in three: Atifete Jahjaga dhe One in Three: Hope, duke ofruar mundësi pune për disa gra, dhe duke zgjeruar punën synojmë të punojmë më tutje drejt fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë financiare të grave.

Veshjet mund ti gjeni edhe online KËTU. / KultPlus.com

Të ngjajshme