Johnny Depp: Asnjëherë në jetë nuk kam përdorur dhunë ndaj grave

20 Prill, 2022 - 6:45 pm

Ylli hollywoodian, Johnny Depp, insiston se kurrë në jetë nuk e ka goditur një grua.

58-vjeçari i famshëm po e padit ish-gruan, Amber Heard, duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje ndaj tij, pasi aktorja e kishte shkruar një artikull për gazetën “The Washington Post”, ku e përshkruante veten si viktimë të dhunës familjare. Megjithëkëtë, aktorja 35-vjeçare nuk e kishte emëruar yllin e filmit “Dark Shadow” në këtë shkrim, prandaj ajo ka vendosur ta kundërpaditë Deppin duke kërkuar 100 milionë dollarë dëmshpërblim, raportoi të mërkurën portali “Female”.

Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” dha dëshmi në gjykatë të martën (19 prill), për ta mbrojtur veten nga akuzat për përdorim të dhunës fizike ndaj Heardit.

Depp i hodhi poshtë deklaratat e ish-gruas së tij duke i quajtur ato “të neveritshme dhe shqetësuese”, dhe insistoi se ato nuk bazohen në fakte të vërteta.

Teksa e pranoi se çifti kishte diskutuar shpesh gjatë martesës një vjeçare, Depp tha: “Unë kurrë nuk e kam goditur zonjën Heard dhe nuk e kam lënduar në atë mënyrë. Asnjëherë në jetë nuk kam përdorur dhunë ndaj grave”.

Aktori i filmit “Fantastic Beasts and Where to Find Them”, tutje deklaroi se akuzat e Heardit në njëfarë mënyre janë përhapur në industrinë e filmit, prandaj dëshironte që me çdo kusht të dëshmonte në gjykatë për ta mbrojtur veten për hir të dy fëmijëve, Lily-Rose dhe Jack, të cilët i ka me ish-partneren Vanessa Paradis.

“Ndihem përgjegjës për ta pastruar emrin tim dhe të fëmijëve, nga këto spekulime të tmerrshme të cilat i kanë lexuar për babanë e tyre. Synimi im është që e vërteta të dalë në shesh, sepse më vret fakti që njerëzit të cilët i kam takuar ndër vite, tani mund të mendojnë se kam qenë person jo i vërtetë dhe i kam gënjyer ata”, deklaroi aktori në gjykatë.

Tutje ai diskutoi për ndikimin që këto akuza të rënda kanë pasur në karrierën e tij hollywoodiane.

“Është shumë e çuditshme kur në njëfarë forme konsiderohesh një hirushe, dhe pastaj brenda vetëm një sekonde shndërrohesh në personazhin e ligë të përrallave. Unë nuk e meritoja këtë. Unë krenohem me ndershmërinë dhe faktin se jam person i drejtë. E vërteta është gjëja e vetme që më intereson sepse gënjeshtrat nuk t’i hapin rrugët në jetë. Unë jam i fiksuar pas të vërtetës”.

Gjatë dëshmisë së tij, Johnny Depp, e përshkroi martesën me Amber Heardin si jo të zakonshme për të, duke thënë se aktorja ishte person problematik me shumë rregulla strikte të cilat ai nuk guxonte t’i shkelë, sepse në të kundërtën reagimet e saj ishin të ashpra./koha.net/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme