Këngëtarët që i qëndruan besnikë muzikës së tyre

22 Gusht, 2018 - 8:00 pm

Trendet dhe kërkesat e reja në skenën muzikore kanë bërë që shumë këngëtarë të dalin jashtë kornizave të tyre, duke iu përshtatur pikërisht asaj që kërkohet.

Ndryshimet e mëdha i shohim prej kohësh, dikush e ka gjetur vetën mirë e të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim të asaj që do t’i shndërronte në emra të kërkuar dhe mbi të gjitha të kishin përfitime nga ajo që bëjnë.

Megjithëkëtë, një pjesë e këngëtarëve të njohur kanë arritur t’i rezistojnë asaj që cilësohet komerciale, e cila në këtë fakt shumicës po i sjell shumë klikime, mbrëmje muzikore dhe si rrjedhojë shumë para. Një pjesë e atyre që kanë zgjedhur këtë drejtim nuk janë tërhequr nga skena por kanë vazhduar të jenë aktiv duke sjellë projekte muzikore në momente të caktuara, e veçmas duke marrë pjesë në festivale muzikore edhe pse nuk janë të shumta.

Eliza Hoxha është një prej këngëtareve, e cila nuk ka bërë kompromise me muzikën e saj. Ka sjellë këngë e videoklipe, ka marrë pjesë nëpër festivale, mirëpo gjithmonë duke ardhur me këngë të jashtëzakonshme, të cilat megjithëse jokomerciale, janë mirëpritur, dëgjuar e shumë prej tyre janë shndërruar në hite të mëdha. Këngëtarja e njohur nuk ka lënë anash as projekte videomuzikore, përmes të cilave ka prekur tema sociale dhe kauza të rëndësishme për shoqërinë tonë, siç ishte ai me titull “Për ata që s’janë”.

Këngët dhe klipet e saj janë të rralla sepse edhe Rosela Gjylbegu ka zgjedhur këtë rrugë. E nisi tek “Ethet e së premtes mbrëma”, ashtu siç kanë bërë shumë kolegë të saj, por gjithmonë i qëndroi besnike muzikës së saj. Rosela njihet sidomos për pjesëmarrjet nëpër festivale.

Ani pse kohëve të fundit nuk janë aktivë, në Kosovën e pasluftës grupet “Jericho” dhe “Troja” i kanë dhënë shumë rok-muzikës shqiptare. Pikërisht, janë këto dy grupe që i kanë rezistuar tregut të vrazhdë dhe asaj që vazhdimisht është kërkuar.

Kësaj liste nuk i mungon Rona Nishliu. Madje, këngëtarja tregoi më së miri se si me një këngë me vlera, me një mesazh dhe me një interpretim nga shpirti mund të shkëlqesh dhe të fitosh vëmendje edhe në një skenë siç është ajo e Festivalit Evropian “Eurovizion”, aty ku më shumë se kudo tjetër kërkohen këngët komerciale.


“Shtyje”, “Krejt andrrën” e “Këtu” janë disa nga këngët e kantautorit Genc Salihu, i cili gjithashtu ka arritur ta ruajë shumë mirë atë që ka kultivuar qysh herët.

Hashani, Shpat Deda e Mariza Ikonomi janë disa emra të tjerë, të cilët i kemi parë të mos eksperimentojnë shumë, por të vijnë në ujërat e tyre e që gjithsesi risitë nuk kanë munguar.

Këta ishin vetëm disa nga emrat që arritën t’iu rezistojnë ndryshimeve të mëdha, t’i qëndrojnë besnik stilit të tyre dhe të kultivojnë muzikën që e duan, edhe pse dikush më shumë e dikush më pak aktiv./KultPlus.com

Të ngjajshme