Modeli kosovar sfilon para 40 mijë të pranishmëve në eventin CHIO Aachen në Gjermani

18 Korrik, 2019 - 1:00 pm

Vitet në Kosovë ishin ato që e formësuan si një djalë me ëndrra shumë, të paktat mundësi që i ofron vendi jonë për model, ai u mundua t’i shfrytëzoi, por vizioni i tij ishte më i largët. Modeli kosovar Arblind Zymberi, vendosi që karrierën e tij si model ta vazhdojë jashtë Kosovës. Ishte Gjermania vendi i cili hapi dyert për të mirëpritur kosovarin i cili synon që një ditë të sfilojë në pasarelat më të mëdha botërore e të pozojë për markat e njohura, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, në Aachen të Gjermanisë janë mbajtur garat botërore në kalërim, CHIO. Kjo konsiderohet gara më e njohur botërore e kalërimit që ngërthen rreth vetes një publik shumë të madh. Si çdo herë CHIO e ka një vend tjetër si partner dhe këtë vit ishte Franca partneri i Aachenit. Duke qenë Franca vend i modës, këtë vit ajo është prezantuar në këtë event me dizajnerë të shumtë.

Por, pjesë e kësaj sfilate të madhe ishte edhe modeli kosovar Arblind Zymberi i cili mori vëmendje me paraqitjen e tij.

Ai sfiloi për dizajneren Maj-Britt Kreft bashkëpunimi me të cilën sipas tij ka qenë i mrekullueshëm. “Ajo ka bërë një punë të mrekullueshme dhe jam i lumtur që pata mundësi t’i prezantoj veshjet e saj”.

Për të gjithë modelët ishte një ndjenjë e veçantë të ecin në paradën më të njohur të garave të kalërimit, ku u prezantuan hiç më pak se 280 kreacione nga dizajnerë të ndryshëm.

Edhe për Arblindin, kjo eksperiencë mbetet e paharruar. Ai për KultPlus ka treguar që të sfilosh para 40 mijë personave sa ishin prezentë aty, ishte një emocion i veçantë e që një mundësi të tillë nuk beson që do ta kishte në Kosovë.

“Ishte kënaqësi shumë e madhe që të marr pjesë në shoun më të madh për kalërim, ishte një atmosferë shumë e bukur, një organizim i mrekullueshëm. Kisha emocione sepse po sfiloja para 41 mijë personave, por gjithçka shkoi bukur. Ky është eventi i parë i kësaj natyre që unë marr pjesë dhe hera e parë që sfiloj para një publiku kaq të madh, gjithashtu kemi qenë edhe live në televizion”.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe shumë fytyra publike, artistë e përfaqësues të markave të njohura botërore si Chanel, Hermes, Calvin Klein dhe kjo e ka bërë edhe më domethënës prezantimin e kosovarit atje.

“Shpresoj që ky të jetë një hapë i suksesshëm për rrugëtimin tim si model”, përfundoi Zymberi. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme