Pinnock, me dokumentar në betejë kundër racizmit

13 Gusht, 2020 - 9:05 am

Ylli i “Little Mix”, Leigh-Anne Pinnock, do ta bëjë një dokumentar rreth përvojave të saj personale të racizmit dhe ngjyrës së lëkurës. Dokumentari “Leigh-Anne: Colourism & Race” do të trajtojë po ashtu hollësitë e një çështjeje të gjerë të racës në Britaninë e Madhe.

Këngëtarja ka thënë se donte që ta shfrytëzonte famën e saj si një “platformë për ta hapur këtë debat te publiku më i gjerë”.

Vitin e kaluar, anëtari i bendit të saj, Jesy Nelson, mori lëvdata për një dokumentar “frymëzues” rreth ngacmimeve në internet. Pinnock ka thënë se donte ta realizonte një dokumentar, “sepse gjithmonë kam qenë shumë e dhënë pas të drejtave të komunitetit të njerëzve me ngjyrë”, duke shtuar se do të donte “të jetë zëri i komunitetit tim”.

“Bisedat që lidhen me racizmin dhe ngjyrën janë gjithmonë pjesë e diskutimeve me të dashurin tim dhe familjen”, ka thënë ajo, shkruan KOHA. “Racizmi sistematik është i ndërlikuar; duke e bërë këtë dokumentar dua që të mësoj se cila është mënyra më e mirë për ta ngritur zërin për këtë çështje, kështu që të rinjtë të cilët më përcjellin nuk do të ballafaqohen me atë që unë e gjenerata ime po duhet të merremi”.

Duke i përcjellë protestat “Black Lives Matter” në fillim të këtij viti, Pinnock hapi zemrën me anë të një videoje, me të cilën tregoi se është ballafaquar me racizmin.
Në këtë dokumentar, Pinnock ndan përvojat e saj dhe do të flasë se si të kesh lëkurë më të bardhë dhe të jesh e famshme i bie se ajo ndonjëherë duhet të jetë në një pozitë më të privilegjuar sesa të tjerët. Drejtoresha e BBC Three, Fiona Campbell është shprehur e lumtur që një dokumentar i tillë do të transmetohet në televizionin publik të Britanisë.

“Duke punuar me talente të nivelit të lartë si Leigh-Anne dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm, të cilët ajo do t’i takojë gjatë këtij rrugëtimi, shpresojmë se bisedat më të sinqerta që do t’i paraqesë ky film do ta kenë fuqinë që t’i ndërrojnë qëndrimet, do të ofrojnë njohuri dhe do të ndihmojnë për ta parandaluar racizmin në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Të ngjajshme