Sinéad O’Connor: Dua ta dinë të gjithë se si është të kesh sëmundje mendore (VIDEO)

9 Gusht, 2017 - 12:20 pm

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur irlandeze, Sinéad Marie Bernadette O’Connor, e cila njihet edhe si aktiviste e të drejtave të grave, fëmijëve dhe viktimave të luftës, por edhe për pikëpamjet e saj për fenë, tani po kalon një periudhë të vështirë në jetën e saj, duke u ballafaquar me sëmundje mendore, shkruan KultPlus.

Sinead O’Connor, u bë e njohur në vitet 90-ta me këngën ‘Nothing Compare 2 You’, duke folur hapur për sëmundjen e saj mendore dhe mënyrën se si ajo po ndihet në këtë gjendje, ajo kërkoi ndihmë nga familja e saj. Sipas saj “të huajt në Facebook” janë më mbështetës për të sesa familja e saj. Ajo poashtu u kërkoi fëmijëve të saj të rritur dhe baballarëve të tyre për të bërë një përpjekje për ta sjellë atë në Irlandë.

Këngëtarja 50 vjeçare, është duke qëndruar e vetme në një dhomë hoteli në periferi të qytetit New Jersey, prej ku ka postuar edhe një video 12 minutëshe, në Facebook, ku flet për gjendjen e saj emocionale dhe thotë se është vetëvrasëse dhe se po të ishte në dorën e saj do ‘të zhdukej’.

‘Jam vetëm, nuk kam asnjë në jetën time, përveç doktorit tim, psikiatrit tim, njeriu më i ëmbël në botë, i cili thotë se jam heroi i tij, dhe kjo është absolutisht e vetmja gjë që më mban gjallë në këtë moment… dhe kjo është patetike. Dua që të gjithë ta dinë se çfarë është, prandaj po e bëj këtë video. Sëmundja mendore është si droga, nuk do t’ia dish se kush je, dhe çfarë është më e keqja, është stigma, askush nuk dëshiron të dijë më se kush je. Papritur të gjithë njerëzit që ti mendoje se të donin dhe kujdeseshin për ty, tani të trajtojnë si një mbeturinë, rrëfen duke qarë këngëtarja, nënë e katër fëmijëve, përcjellë KultPlus.

Përveç dhjetë solo albumeve, puna e saj përfshin shumë këngë, këngë për filma, bashkëpunime me shumë artistë të tjerë, si dhe shumë koncerte me qëllime bamirësie. /KultPlus.com

Të ngjajshme